Pretendimi: WhatsApp ka përfshirë shenjën e tretë blu në biseda që ju tregon nëse ruajnë mesazhet tuaja
Verdikti: E pavërtetë
Në postime të shpërndara në portale të ndryshme (linku, linku) në vendin tonë pretendohet se aplikacioni i komunikimit WhatsApp do të aplikojë një opsion të ri, shenjën e tretë blu që do shfaqet kur dikush bën një ‘screenshot’ nga ekrani.
Mundësia për të zbuluar nëse bashkëbiseduesit nga ekrani tjetër mund të ruajnë kopje të bisedës është intriguese dhe ka ngjallur interes tek përdoruesit.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/ww.png)
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Megjithatë, duket se kemi të bëjmë me një lajm të pavërtetë. Gjatë kërkimit online vumë re që një informacion i tillë ka qarkulluar edhe më herët, konkretisht në fund të vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022. Në një kërkim të bërë në faqen e kompanisë, nuk ka asnjë njoftim nga META në lidhje me këtë opsion të ri në aplikacionin WhatsApp.
Zakonisht, ndryshimet kryesore të WhatsApp njoftohen paraprakisht nga kompania mëmë META përpara testimit. Këto përgjithësisht kalojnë përmes testimit, përpara se të prezantohen publikisht.
Deri më tani, nuk ka asnjë zhvillim nga kompania mbi një opsion që aplikacioni ju lejon të zbuloni nëse dikush ka marrë një ‘screenshot’ të bisedave tuaja.
Aplikacioni WhatsApp është krijuar për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve të tij, duke ofruar disa opsione të personalizuara për këtë qëllim. Një zgjedhje e tillë do të shkonte kundër kësaj filozofie nga ana e META.
Këto pretendime janë verifikuar në një sërë artikujsh edhe nga kolegët e verifikimit të fakteve në mediat e huaja.