.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriVotimi elektronik – Qeveria e lë pa fonde KQZ-në, shkelet përsëri Kodi Zgjedhor

Votimi elektronik – Qeveria e lë pa fonde KQZ-në, shkelet përsëri Kodi Zgjedhor

Qeveria shtoi fondin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin elektoral të 14 Majit 2023, me një shumë që lejon votimin elektronik vetëm në tri bashki Vorë, Elbasan dhe Kamëz. Edhe në këto zgjedhje mbetet i papërmbushur detyrimi që vjen nga Kodi Zgjedhor, për pilotimin e kësaj teknologjie në të paktën 10% të zgjedhësve. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi shpjegon për Faktoje se si vullneti i politikës gjatë diskutimeve nuk përkthehet në financim të projektit, që e miratuan vetë tre vjet më parë në parlament.

Jona Plumbi

Më shumë se dy muaj pas miratimit të buxhetit për vitin 2023, qeveria e Shqipërisë e ndryshoi atë me Vendim të Këshillit të Ministrave, për t’i dhënë më shumë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin elektoral të 14 Majit 2023.

Buxheti i shtetit për zgjedhjet

Në ndarjen e parë që qeveria i bëri buxhetit të shtetit, dha rreth 214 milionë lekë për KQZ-në, si dhe një fond rezervë për zgjedhjet vendore, në vlerën 1,8 miliardë lekë.

*pjesë nga projektbuxheti 2023, fondet e ndara për KQZ-në
*pjesë nga projektbuxheti 2023, fondet e ndara për KQZ-në
*pjesë nga buxheti i shtetit 2023, fondi rezervë për zgjedhjet
*pjesë nga buxheti i shtetit 2023, fondi rezervë për zgjedhjet

Në 27 Janar, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtojë fondin për KQZ-në me 800 milionë lekë.

*fondet e dhëna për KQZ-në para dhe pas VKM-së
*fondet e dhëna për KQZ-në para dhe pas VKM-së

Çfarë vendosi KQZ-ja

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave që shtoi fondet për KQZ-në, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në dy bashki të tjera, Elbasan dhe Kamëz, përpos bashkisë Vorë që tashmë ishte vendosur të përdorte këtë teknologji.

*vendimi i KQZ-së për zgjerimin e votimit elektronik pas shtesës së fondit
*vendimi i KQZ-së për zgjerimin e votimit elektronik pas shtesës së fondit

Nga verifikimi që Faktoje i bëri Kodit Zgjedhor dhe listës së zgjedhësve, rezulton se edhe pas përfshirjes së bashkisë Elbasan dhe Kamëz në projektin pilot të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet 2023, detyrimi që vjen nga neni 22 i ligjit zgjedhor nuk është përmbushur.

Kjo, sepse votuesit e bashkisë Vorë (30 053), ata në Elbasan (168 679) dhe në Kamëz (103 429) bëjnë 8,42% të të gjithë zgjedhësve në Shqipëri.

*përqindja e votuesve të tre bashkive në raport me totalin e zgjedhësve në Shqipëri
*përqindja e votuesve të tre bashkive në raport me totalin e zgjedhësve në Shqipëri

Ndërkohë neni 22 i Kodit Zgjedhor kërkon që teknologjia e zbatuar në projektet pilot të shtrihet në jo më pak se 10 për qind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të zbatimit.

*pjesë nga Kodi Zgjedhor, neni 22
*pjesë nga Kodi Zgjedhor, neni 22

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi shpjegon për Faktoje se arsyeja përse është vendosur limiti minimal prej 10% është për të marrë një rezultat sa më të matshëm dhe përfundime të besueshme mbi procesin e votim-numërimit elektronik.

Ky ishte qëllimi ynë kur kërkuam zbatimin e projektit në 6 bashki. Qeveria u dakordësua të japë një vlerë parash prej 800 milionë lekësh që i korrespondon zhvillimit të projektit të votimit elektronik në rreth 340-360 qendra votimi.” – shpjegon për Faktoje Komisioneri Celibashi.

Përse u zgjodhën këto bashki?

Pas refuzimit që i bëri qeveria sugjerimit fillestar të KQZ-së për zbatimin e teknologjisë së votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të tjera përveç Vorës, si dhe pas fondit shtesë të dhënë përmes VKM-së së miratuar në 17 Janar, KQZ vijoi negociatat.

Bëmë edhe një tentativë tjetër që qeveria të jepte financim edhe për ndonjë bashki tjetër, por nuk e arritëm dot këtë. Tani s’ka më as kohë të angazhohemi për një bashki tjetër.” – sqaron Celibashi.

Pyetur mbi mënyrën e përzgjedhjes së këtyre bashkive, Celibashi sqaron se fondi shtesë i dhënë nga qeveria është përllogaritur mbi numrin e qendrave të votimit që kjo teknologji mund të mbulojë me aq para.

“Për ta diversifikuar dhe për të parë si sillen votuesit në rajone të ndryshme, si dhe për t’i pasur të dhënat për rastin kur kjo teknologji do të zbatohet në rang vendi, menduam që ishte e përshtatshme për Elbasanin dhe Kamzën, sepse janë dy qytete me tipologji të ndryshme.” – argumenton Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet.

Strategjia për të ardhmen

Prej vitit 2020, kur të gjitha palët politike votuan për futjen e teknologjisë në zgjedhje, duke nisur me ato parlamentare të 2021-shit, duket se politika nuk e ka vënë më “ujin në zjarr” për zbatimin në mënyrë sa më efikase të kësaj teknologjie, duke e lënë atë plotësisht në dorë të KQZ-së.

Por ndërsa KQZ po punon me synimin për të krijuar besimin e publikut tek kjo teknologji dhe zbatimi i saj, qeveria duket se nuk ka asnjë strategji për të ndihmuar KQZ-në në këtë proces.

Për Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shprehja e vullnetit nga ana e politikës nuk mungon. Çështja çalon kur vjen puna tek financimi.

“Jemi përpjekur ta bëjmë këtë diskutim edhe me qeverinë edhe me partitë politike, që do vijojmë në këtë drejtim apo jo. Ky ka qënë edhe qëllimi i propozimit tonë për 6 bashki. Në takimet që kemi patur me përfaqësues të partive dhe qeverisë ata tregohen të vullnetshëm ta zgjerojnë projektin, por kur vjen puna tek fondet dhe financimi, dalin argumenta se s’ka para.” – tha Celibashi për Faktoje.

Zgjedhjet parlamentare 2025

Pavarësisht shkeljes së njëpasnjëshme të Kodit Zgjedhor, për shkak të mos- financimit nga qeveria, KQZ mbetet besëplotë se deri në zgjedhjet e ardhshme, kjo teknologji do shtrihet gjerësisht.

“Me siguri në 2025-n, ndoshta në gjysmën e njësive zgjedhore do ta zhvillojmë projektin e votimit elektornik.” – tha Celibashi për Faktoje, duke theksuar se në përfundim të një projekti pilot më të gjerë do mund të mblidhen edhe më shumë të dhëna mbi procesin.

Një gjë është e sigurt, thekson Celibashi, që edhe pse ky proces ka kosto, njëkohësisht shkurtimi i kohës së numërimit të votave, që sot zgjat me ditë të tëra dhe angazhon shumë burime njerëzore, do të thotë shkurtim kostosh dhe rritje të besueshmërisë tek procesi zgjedhor.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img