Në 2020-n, politika vendosi të përfshinte teknologjinë në zgjedhje, duke ia lënë në dorë KQZ-së vendimin për shtrirjen e saj. Por pas dy procesesh zgjedhore, KQZ-së iu mohuan fondet që kërkoi për garantimin e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të mëdha, duke pamundësuar edhe përmbushjen e nenit 22 të Kodit Zgjedhor. Për ekspertët, edhe pse votimi elektronik u pilotua suksesshëm, problemet elektorale në Shqipëri mbeten peng i vullnetit politik dhe mund të zgjidhen vetëm nga një reformë e thellë.
Jona Plumbi
Identifikimi dhe votimi elektronik në zgjedhje është një temë që shqiptarët e dëgjojnë prej vitesh. Në 2020-n, partitë politike ranë dakord ta përfshinin teknologjinë në zgjedhje në Kodin Zgjedhor, me qëllim përmbushjen e një kërkese që në kohë të ndryshme ka ardhur nga të dy anët e kampit politik. Por sot, tre vjet dhe dy procese votimi më vonë, përdorimi i teknologjisë për votim dhe numërim në ditën e zgjedhjeve duket ende shumë larg.
Çfarë thotë ligji?
Ligji që rregullon procesin zgjedhor në Shqipëri, në nenin 22 të tij i jep KQZ-së kompetencën për të vendosur mbi përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe pajisjeve teknologjike. Madje, Kodi e detyron KQZ-në që përdorimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10% të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.
Kjo teknologji që KQZ zgjedh të përdorë në zgjedhje, duhet të jetë e aplikueshme të paktën në pesë procese zgjedhore të njëpasnjëshme. Kështu vendosi Partia Socialiste, ajo Demokratike dhe asokohe Lëvizja Socialiste për Integrim, në reformën zgjedhore të 2020-s për sistemet dhe pajisjet teknologjike që përdoren për identifikimin elektronik të votuesve dhe votimin elektronik.
Çfarë ndodhi
Edhe pse me një afat shumë të shkurtër kohor dhe punë të madhe përgatitore përpara, KQZ arriti që në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit të përdorte identifikimin elektronik të votuesve (përmes shenjave të gishtërinjve) në 100% të vendit, si dhe të pilotonte votimin elektronik në një nga zonat zgjedhore në Tiranë.
Në projektin e parë që KQZ pilotoi për votimin elektronik, nuk u arrit të mbulohej as 1% e listës së zgjedhësve. Njësia 10 në Tiranë, e cila kishte 32 qendra votimi, mbulonte rreth 23,600 votues nga mbi 3 milionë e 500 mijë zgjedhës që regjistronte KQZ-ja në 2021-shin.
Sipas KQZ-së kjo ndodhi për shkak të mungesës së kohës për edukimin e personave që menaxhojnë pajisjet, si dhe trajnimit të qytetarëve për përdorimin e saj. Lidhja e kontratës me kompaninë e shpallur fituese në tender për pajisjet elektronike që mundësojnë votimin dhe numërimin elektronik, u realizua në datë 29 Mars 2021, më pak se një muaj përpara datës së zgjedhjeve.
Projekti pilot i zbatuar në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, për ekspertin politik Afrim Krasniqi ishte i sforcuar, erdhi si rezultat i presioneve politike dhe me qëllim parësor “shfaqjen” si një zgjidhje që kënaqte të gjitha palët pjesmarrëse në zgjedhje.
“Për shkak të presionit që u bë nga opozita, mazhoranca u detyrua të pranojë eksperimentin në disa zona, por në fakt edhe në zonat që palët propozuan nuk u arrit konsensusi, ndaj eksperimeti që u zbatua në zgjedhjet e kaluara ishte zgjidhje e momentit të fundit. Zgjedhjet nuk vidhen në Tiranë kshtuqë nuk ka arsye të bëhet eksperiment në Tiranë. Zgjedhjet kontestohen në bashki të tjera dhe aty kjo nuk u aplikua.” – argumenton Krasniqi.
Pavarësisht kësaj, rezultatet e dala nga kontrolli që KQZ i bëri fletëve të votimit, “vulosën” se në 2021-shin votimi elektronik në Njësinë 10 në Tiranë, ishte i suksesshëm.
Ky raport vlerësimi për mbarëvajtjen apo jo të projektit pilot për votimin elektonik, duhej të përcaktonte vendimmarrjen e KQZ-së për përdorimin në vijim të teknologjisë, sipas Kodit Zgjedhor.
Bazuar mbi këtë pikë të ligjit, KQZ-ja rekomandoi shtrirjen më të gjerë të procesit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhje.
“Eksperiment të suksesshëm” e quan edhe Afrim Krasniqi, studiues shkencor dhe autor i botimeve mbi sistemet zgjedhore dhe partitë politike.
“Ishte eksperimet pozitiv, sepse nuk pati kontestime nga asnjëra palë. Pra ishte i vetmi segment i zgjedhjeve që pati vlerësim pozitiv konsensual. Rezultatet dolën shpejt. Monitoruesit e zgjedhjeve nuk patën rol dhe nuk patën problematika me numëruesit dhe kjo e bëri të veçantë eksperimentin që u praktikua.” – sqaron Krasniqi për Faktoje.
Zgjedhjet e pjesshme – Mars 2022
Nuk kaloi viti dhe Shqipëria e gjeti veten përballë një tjetër procesi zgjedhor. Shkak u bënë vakancat në 6 bashki të vendit, kryetarët e të cilave u shkarkuan apo dhanë dorëheqje për arsye që varionin nga arrestimi (në rastin e bashkisë Lushnje) tek dorëheqja për marrjen e postit të deputetit (Bashkia Dibër).
Edhe në këto zgjedhje KQZ-ja vendosi të përdorë të njëjtat pajisje për votimin elektronik të zhvilluar në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit.
Bashkia Vorë numëronte 44 Qendra Votimi me mbi 30 400 votues. Edhe në këtë rast, vlerësimi ishte i njëjtë me atë të raportit për zgjedhjet e 2021-shit.
Zgjedhjet lokale 2023
Më pak se një vit më vonë, në 14 maj 2023 Shqipëria do të organizojë përsëri zgjedhje lokale, këtë herë në të gjithë bashkitë e vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i paraqiti qeverisë planin për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki nga 61 që ka në total.
Kostoja e zbatimit të teknologjisë në zgjedhje për vitin 2023, si për identifikimin biometrik në gjithë Shqipërinë dhe për votimin dhe numërimin elektronik të votave në 6 Bashki, u përllogarit të ishte rreth 5.3 miliardë. Nga kwto, 3 miliardë lekë për votim/numërimin elektronik në 6 bashki të tjera, 1.3 miliardë lekë për identifikimin elektronik të zgjedhjësve, kamerave, pagesave të komisionerëve dhe edukimit të zgjedhësve dhe rreth 1 miliard të tjera janë kosto administrative dhe logjistike.
Ky propozim i KQZ-së nuk u mor parasysh nga qeveria e cila në projekt-buxhetin për vitin 2023 ka përcaktuar 1.8 miliardë lekë për zgjedhjet. Buxheti i përcaktuar mbulon të gjitha aspektet e zgjedhjeve të 14 Majit, përveç shtrirjes së votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të tjera, përpos Vorës.
Më shumë lekë në buxhet, më pak financim për KQZ-në
E pyetur nga Faktoje mbi arsyet që e çuan në refuzimin e buxhetit të kërkuar nga KQZ, Ministria e Financave deklaroi:
“Kjo kërkesë e KQZ ka lidhje me Kodin Zgjedhor dhe për pasojë kërkon një vendimmarrje politike të gjerë, e cila shkon përtej kompetencave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.”
“Kolosale” e quajti partia në pushtet shifrën e kërkuar nga KQZ-ja për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të vendit edhe pse vetë theksoi se ky “është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”.
Nëse shihen shpenzimet që KQZ pati në vitin 2021, kur bëri përgatitjen e sistemit të votim/numërimit elektronik, vërehet se thuajse 120 milionë lekë u deshën për projektin pilot në Tiranë që mbuloi vetëm 32 qendra votimi, me rreth 23,600 votues.
Por nëse pajisjet, administrimi dhe trajnimi i personelit për rreth 23,600 zgjedhës në vitin 2021 i kushtoi KQZ-së 120 milionë lekë, sa do duhej të kushtonte përgatitja për mbi 1 milion e gjysmë zgjedhës dhe më shumë se 2 200 qendra votimi?
Kjo kërkesë e KQZ-së do të përmbushte dhe tejkalonte detyrimin që vjen nga Neni 22 i Kodit Zgjedhor, që vijon të mbetet i paplotësuar, pasi pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik, edhe pas dy procesesh votimi, nuk është shtrirë ende në 10% të të gjithë votuesve.
Pas miratimit të projektbuxhetit në parlament, duket se edhe në zgjedhjet e vitit 2023 KQZ do përdorë të njëjtat pajisje që përdori në dy zgjedhjet pararendëse, duke mos përmbushur detyrimin për të mbuluar “jo më pak se 10% të zgjedhësve” siç e kërkon Neni 22 i Kodit Zgjedhor.
Problem parash apo vullneti?
Përdorimi i votimit dhe numërimit elektronik në kushtet ku është Shqipëria, për Afrim Krasniqin duket e vështirë të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për problemin e zgjedhjeve. Kjo, sepse përpos investimit të madh teknologjik dhe të vazhdueshëm, politika nuk është e gatshme të heqë dorë nga kontrolli i procesit.
“Vetë partitë politike që e kontrollojnë momentalisht procesin zgjedhor nuk janë gati të heqin dorë nga ky kontroll. Do duhet të ndodhë një ndryshim i madh me strukturën zgjedhore ndoshta edhe në sistemin e votimit që të shkohet tek votimi përmes tekonolgjisë në të gjithë territorin e shqipërisë dhe me të njëjtat standarde.”, shpjegon Krasniqi për Faktoje.
Sipas tij, edhe aplikimi i teknologjisë per votimin dhe numërimin elektronik në 6 bashki nuk do të sillte zgjidhjen e të gjithë problemeve që ka Shqipëria për manipulimin e votave, ndaj sugjeron zgjidhje të tjera paralele.
“Nëse ne do të përdornim votim-numërimin elektronik në disa zona problematike dhe dy tre zona pilot të eksperimentonim me komisionerë jo partiakë, atëherë do arrinim të krijonim një pikpamje më të gjerë se cila prej metodave është më efektive dhe cila duhet të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme.” – sugjeron Krasniqi.
Për të “shëruar” problemin e hershëm të manipulimit të votave në vend, Krasniqi zgjidhjen e sheh vetëm tek një reformë e madhe e ligjit zgjedhor, pjesë e së cilës mund të jetë teknologjia.
Nevoja për një reformë të thellë
Zbatimi i votimit dhe numërimit elektronik solli aspekte pozitive të dallueshme, mes të cilave studiuesi Afrim Krasniqi veçon heqjen e mundësisë së manipulimit apo makinacioneve në zona ku ende nuk ka përfunduar numërimi i votave, apo heqjen e mundësisë së deformimit të votës nga numëruesit.
Por sipas tij, integriteti i zgjedhjeve cënohet edhe nëse votimi elektronik nuk garanton përfshirjen e diasporës, pra zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo edhe heqjen dorë nga monopoli i partive politike në monitorimin, përgatitjen dhe administrimin e procesit elektronik.
Shembull për këtë ofron rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë, ku zgjidhja afatgjatë ka qënë jo vetëm përdorimi i teknologjisë, por harmonizimi i procesit teknologjik i transparencës së procesit elektroral, reformën e partive politike, reformën e financimit zgjedhor dhe depolitizimin e strukturës zgjedhore.
“Duhet një reformë shumë e madhe sesa teknologjia. Duhet reformuar financimi i fushatës elektorale dhe pastaj te roli i partive në raport me shtetin dhe fushatën elektorale dhe në fund shkohet te procesi i menaxhimit të votave, dmth votim numërimi elektronik dhe shpallja e rezultatit.” – shpjegon Krasniqi.
Përfundimi
Edhe pse ekziston ende një “dritare” përmes të cilës KQZ shpreson të marrë financim shtesë nga qeveria për të zgjeruar përtej bashkisë Vorë sistemin e votimit dhe numërimit elektronik, detyrimi që vjen nga Neni 22 i Kodit Zgjedhor mbetet ende i papërmbushur, duke mos arritur pilotimin e votimit elekntronik për 10% të votuesve.
Shkak për këtë mospërmbushje ligjore duket të jetë mungesa e vullnetit politik për të ndërtuar një strategji të gjithëpranuar nga palët politike, të cilat sot janë “në timon” të procesit zgjedhor dhe nuk janë aspak gati ta lëshojnë këtë drejtim.
Ekspertët sugjerojnë reformim të thellë të ligjit zgjedhor për të mundësuar një transparencë më të lartë të financimeve të partive politike dhe fushatave, shoqëruar me depolitizimin e administratës zgjedhore.