Pas një harku kohor prej dhjetë vitesh, që përfshin premtimin në dy fushata elektorale se do të mundësojë votën e diasporës, (mbështetur së fundmi edhe në qëndrimet publike të kryeministri Edi Rama) Partia Socialiste depozitoi në afatet limit të kohës, (pa konsensusin e partisë tjetër më të madhe në opozitë) projektligjin për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare 2025
Nevila Gjata
“Kjo është hera e fundit që ju nuk mund të votoni direkt nga ku ndodheni, motra dhe vellezër emigrantë, sepse ne kemi nisur punën: një punë kolosale për të regjistruar shqiptarët jashtë Atdheut.”
Kështu premtoi kryeministri Rama para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Fakt është se në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 25 prill 2021, për Kuvendin e ri, diaspora nuk votoi dhe çështja që shtrohet është a do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025?
Amendamentet e propozuara nga PS kanë si fokus vetëm detyrimin për riformulimin e dispozitave të caktuara të Kodit Zgjedhor, sipas arsyetimit dhe dispozitivit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për dy çështje; mundësimin e votës së diasporës dhe proporcionalitetin e herësit për ndarjen e mandateve brenda të njëjtit subjekt zgjedhor sipas votës parapëlqyese të dhënë nga zgjedhësit.
Faktoje.al është fokusuar në këtë artikull tek njëra çështje; vota e diasporës për të cilën partitë në union kanë trumbetuar ndër vite, porse këtë muaj (korrik 2024) ky proces është kanalizuar në vetëm tre nene të ndryshuara të Kodit Zgjedhor aktual. Dhe, mbi të gjitha, pa konsensus.
Ndryshimet
Me fjalë të thjeshta, referuar projektligjit të depozituar nga PS, votimi nga jashtë vendit do të organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja, sipas parashikimeve aktuale në Kod.
Procesi do të realizohet përmes shërbimit postar dhe jo elektronikisht. Ky i fundit varianti më i mundshëm (por jo i vetmi) që kish propozuar më herët kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.
Aktualisht lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Që do të thotë se lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët kërkojnë nga KQZ – ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë vendit. (Aktualisht të rregjistruar janë 10.300)
Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë dokument
Dokumentacioni që kërkohet për të regjistruar vendbanimin e zgjedhësve që kanë shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit është i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin “Për identifikimin e regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret Brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Më tej, fletët e votimit të plotësuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.
Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu se, fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ (aty ku edhe do të numërohen) do të ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
Por a është ky varianti më i mundshëm për tu realizuar?
Eksperti i njohur për zgjedhjet, Kristaq Kume, i cili ka një eksperiencë të rëndësishme edhe në drejtimin (në të kaluarën) të KQZ-së, argumenton në një prononcim për Faktoje.al se, varianti i propozuar është një ndër variantet, dhe krahasuar me atë që parashikohet në Kodin Zgjedhor aktual nuk ka ndryshime në esencë. “Veçanërisht në kërkesën që parashikohet në Kod dhe që, edhe ky propozim e përmban, që është pasja e adresës së tij të përhershme të regjistruar në regjistrin e adresarit të emigrantëve këtu në Shqipëri si kushti i nevojshëm”
Nëse ky detyrim nuk plotësohet, sipas tij, nuk mund të votosh.
“Në ndryshim nga mënyra se si trajtohet në Kodin Zgjedhor ky propozim trajton vetëm votimin e emigrantëve dhe jo votimin e shtetasve nga jashtë territorit”, vëren Kume.
Çfarë do të thotë kjo? “Nëse një shtetas ditën e zgjedhjeve nuk është në Shqipëri, por është tek të afërmit e vet, (ka shkuar kohë më përpara), ai nuk mund të votojë dot nga jashtë edhe nëse shpreh dëshirën për të votuar sepse adresa e vendbanimit është këtu”
“Në 2025 ne do ta realizojmë votimin nga jashtë territorit të vendit, por numri i zgjedhësve do të jetë relativisht i vogël ose shumë më i vogël në krahasim me numrin potencial të tyre sepse dhe mbi të gjitha edhe në propozimin e socialistëve ruhet kushti që duhet të plotësohet; të kesh regjistruar adresën këtu në Shqipëri, poqe se i referohemi mënyrës se si votohet, ai që dëshiron të votojë duhet të deklarojë adresën e tij të përhershme së bashku me gjithë informacionin e nevojshëm që parashikohet në ligjin për adresarin e emigrantëve të miratuar në vitin 2016, pra është ruajtur 100% ajo që është e fiksuar në dispozitën përkatëse në Kodin Zgjedhor si kushti i nevojshëm për të votuar nga jashtë vendit”, thotë Kume.
A është zgjidhja më e mirë votimi me postë në kushtet ‘shqiptare’, a shmang ajo abuzimet e për pasojë kontestimet nga palët dhe nga cili shërbim duhet bërë, shqiptar apo i huaj?
“Mënyra e votimit me postë është një nga mënyrat më shpesh të përdorura edhe në vende të tjera, natyrisht, siç theksohet, është e rëndësishme që për këtë mënyrë votimi të bien dakord palët që janë në garë, pra pozita dhe opozita që unë e pres të realizohet një dakordësi e tillë. Dhe mos jetë detyrë që t’i ngarkohet postës shqiptare, por një poste të huaj”.
Votimi vjen edhe me kosto…
“Duke pasur parasysh koston që shoqëron këtë mënyrë të votuarit veçanërisht në atë që pritet të ndodhë, pra që këtë shërbim ta kryejë një shërbim postar i huaj, PS ka propozuar që kostoja të ndahet midis shtetit dhe zgjedhësit. Pra zgjedhësi të paguajë shërbimin postar për ta dërguar fletën e votimit”, vëren Kume
A është ky proces i plotësuar me të gjithë komponentët e duhur dhe a mund të shërbejë si zgjidhje afatgjate edhe pas 2025?
Analisti Afrim Krasniqi thotë fillimisht për Faktoje.al se propozimi i ardhur nga PS-ja vjen në afatet limite, më shumë si lëvizje për të tërhequr vëmendjen.
Krasniqi e sheh si taktikë elektorale për të shtuar mandate deputeti në favor të partisë sesa zgjidhje apo përfaqësim real të diasporës.
“Propozimi i ardhur nëse PS-ja arrin të sigurojë 84 vota për ta kaluar pastaj si ndryshim në Kodin Zgjedhor i mundëson PS-se dhe strukturave të saj sidomos në Greqi, një numër të madh votash, që mund t’i sjelle tre deri në pesë mandate, por nuk siguron pjesëmarrje reale të diasporës në jetën politike të vendit dhe as përfaqësim real në sistemin tonë zgjedhor dhe politik.
Për shkak se Shqipëria dallon nga vendet e tjera sepse ka një përqindje shumë të lartë të diasporës në vendet e tjera (rreth 40-45%), do të duhej të ishte zgjidhur gjithashtu çështja e përfaqësimit të diasporës.
A do të ketë një zonë zgjedhore si Kroacia ku të ketë përfaqësim diaspora apo do të kemi mekanizma të tjera me kuota të përkohshme apo mekanizma të tjera përfaqësimi?!
Propozimi i PS-se është për shpërndarjen e votës sipas qarqeve gjë që nuk e bën as votën proporcionale dhe nuk e rrit realisht dhe nuk e bën të dukshme praninë e diasporës në votime për më tepër rrezikon që disa votues nga qarqe të caktuara të Shqipërisë të identifikohen për shkak të votës së tyre adresuar tek qarku dhe si e tillë nuk siguron po themi një përfaqësim real dhe as zbatimin me integritet të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai
Çfarë paralajmëron 2025 në këndvështrimin e Krasniqit?
“Vitin e ardhshëm nuk do të ketë vote reale të Diasporës, por do të ketë një përpjekje për ta deformuar konceptin e votës së diasporës në kalkulime elektorale të momentit”, përgjigjet ai.
Pse?
“Fatkeqësisht mazhoranca nuk ka një qasje transparence dhe zgjidhje afatgjatë të kësaj problematike pavarësisht se e ka pasur program elektoral në dy fushata elektorale. Por edhe opozita, nga ana tjetër, nuk ka një qasje të tille dhe një propozim konkret.
Diaspora po shihet si kërcënuese për të dyja palët dhe ato po bëjnë përpjekje për të gjetur artifica për t’i mbajtur larg dhe për të përfituar nga skema taktike të përfaqësimit vetëm të militantëve të tyre politik, që janë aktiv në diasporë”, vëren Krasniqi.
Një shtet serioz, sipas tij, do të duhet të kishte marrëveshje me shtete ku ndodhen emigrantet shqiptare për të lehtësuar procedurat administrative të votimit dhe regjistrimit të qytetarëve aktuale atje.
Shqipëria aktualisht nuk ka bisedime e aq më shumë marrëveshje me asnjë shtet të Europës në lidhje me votën e diasporës.
”Një shtet serioz do të duhej të kishte ndërtuar një regjistër të qytetarëve jashtë për të cilën ne ngritëm edhe ministrinë e Diasporës gjë që nuk ka ndodhur. Shqipëria bëhet vendi i vetëm në Europë që nuk i përmbush këto dy kritere dhe si e tillë vota e diasporës konsiderohet ende një shans i humbur, për të mos shkuar pastaj tek elemente te tjerë që si do bëhet, si do monitorohet fushata elektorale andej, si do të garantohet e drejta e votimit personal nga ajo që quhet votimi klientelist dhe familjar, si do ndikojnë grupe të caktuara që mund të jenë edhe ekstremiste apo me qëllime të tjera në promovimin apo mobilizimin e votave në komunitete të caktuara, të cilat janë të ndërvarur nga politika zyrtare e shteteve përkatëse dhe, si do të zgjidhet çështja e votës në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Si do të përfaqësohet gjithashtu diaspora edhe në listën e partive politike ndërkohë që në kushtet aktuale ne e lidhim përfaqësimin e kandidatëve me qenien në Shqipëri pra me banimin vetëm brenda territorit kombëtar”, renditi Krasniqi.
Përpos diskutimeve të hapura, lind pyetja tjetër nëse ka kohë të mjaftueshme për ta realizuar këtë proces të ofruar për zgjedhjet e 2025?
Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i kontaktuar nga Faktoje.al (për vetë natyrën e gjithë procesit) nuk komentoi mbi propozimin e PS, por në një deklarim publik për mediat vërejti se, votimi i Diasporës duhej futur në ligj qysh një vit më parë.
“Do të kishim preferuar që ashtu si Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar, të ishin amenduar për votimin nga jashtë një vit më parë. Jemi shumë vonë, por në një mënyrë ose në një tjetër ta qasim këtë problematikë, që na e kanë krijuar të tjerët”, tha Celibashi.
Dhe koha për qasjen e kësaj problematike është vetëm brenda këtij muaji. Që do të thotë brenda këtij sesioni parlamentar.
“Koha në dispozicion për ta realizuar siç ka deklaruar edhe komisioneri shtetëror nëse vendimi do të merret brenda këtij muaji në Kuvend është e mjaftueshme”, përforcoi Kume në anën tjetër.
84 votat
A ka vullnet për ta kaluar si paketë brenda këtij afati apo vota e diasporës do mbetet propagandë edhe kësaj here?
Oerd Bylykbashi nuk dha një përgjigje konkrete kur u pyet nga mediat se cili do të jetë qëndrimi i PD-së për këtë dokument (të firmosur vetëm nga shtatë deputetë të PS).
Për të kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PS-së i voliten 84 vota, që (deri në publikimin e këtij artikulli), nuk i ka.
PD nuk ka ende përgjigje zyrtare, por zyrtarisht nuk ka firmosur as projektligjin paraprak të PS për diasporën.
Lulzim Basha, në emër të grupimit që drejton, e ka kontestuar draftin pasi, sipas tij, nuk mundësohen të tjera kushte me rëndësi për zgjedhjet si listat e hapura.
Kalendari i punës
Ajo që vlen për tu evidentuar gjithashtu është fakti se projektligji për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor nuk është futur në kalendarin e punimeve për votim këtë muaj.
Nga një vështrim i përgjithshëm i kalendarit të punës së Kuvendit për muajin korrik vërehet se projektligji nuk është në rend dite në seancën e 15 korrikut, 18 korrikut dhe as atë të datës 25 korrik. Nëse ka vullnet ajo mund futet këtë muaj vetëm me procedure të përshpejtuar.
Çfarë dimë
Në vitin 2016 u miratua një ligj për regjistrimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Ligji nuk u zbatua. Në vitin 2017, Kryeministri Edi Rama krijoi me vendim qeverie Ministrinë për Diasporën, që kishte për detyrë “koordinimin e procesit për të garantuar regjistrimin dhe të drejtën e pjesëmarrjes së diasporës në votime”. Procesi dështoi. Ministria u kthye në drejtori, aktualisht në varësi të Ministrisë së Jashtme.
Krahasuar me të dhenat e publikuara nga Censi i 2011-s në atë të 2023-shit, popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 420 mijë persona.
Aktualisht kemi 2.4 milion banorë rezidentë, nga këta 1.8 mln banorë janë në moshë vote.
Po sipas të dhënave të fundit të Censusit, për gjeneratën e lindur në vitin 1990, norma e emigrimit është 61%.