.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëVlorë/Djegia e mbeturinave, problematika që po kthehet në emergjencë mjedisore

Vlorë/Djegia e mbeturinave, problematika që po kthehet në emergjencë mjedisore

Një ndër premtimet e kryebashkiakut Dritan Leli në vitin 2015 ka qenë se do t’i jepte zgjidhje çështjes së grumbullimit, trajtimit dhe djegieve të mbetjeve në fushën e Aviacionit dhe zona do të kthehej në një park rekreativ. Por, edhe pas 6 vitesh situata vazhdon të jetë e njëjtë, madje dhe me raste emergjencash mjedisore.  Banorët që jetojnë pranë fushës përballen me rrezikun nga sëmundjet, veçanërisht në këtë kohë pandemie, pritet që zgjidhja të vijë nga përfundimi i landfillit rajonal.


Me 19 Qershor viti 2015 kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli u shpreh se:

“Po ju them solemnisht: Unë nuk do të lejoj që plehrat e Vlorës të digjen në ambient të hapur, të ndotin qytetin dhe të rrezikojnë shëndetin e banorëve. Për të realizuar këtë, ne kemi gati një projekt konkret. Në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët e huaj do të ndërtohet një landfill modern.” – u shpreh kryetari i bashkisë, përgjatë një takimi elektoral ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Rama.

Premtimi i kryetarit të bashkisë mbeti vetëm në fushatën elektorale të vitit 2015 përshkak se Ish-fusha e Aviacionit me një hapësirë prej afërsisht 3 km/2, prej vitesh është shndërruar në një vend grumbullimi masiv mbetjesh, të cilave sistematikisht u vihet zjarri.

Rasti i rradhës i djegies së mbeturinave ishte me datë 4 tetor të këtij viti, ku qytetarët e zonës shprehen të shqetësuar.

“Siç e shikon vetë, këtu ishte një kapicë. Njerëzit e papërgjegjshmë kalojnë dhe hedhin qeset kot më kot. Sot në mëngjes u gdhiva e pashë zjarrin. Ka qenë më keq, por njerëzit djegin mbeturinat, baker…. Ku të shkojmë të ankohemi, kush e zgjedh të drejtën, asnjë nuk e zgjidh. Unë për vete jam me qera, nuk hap dot penxheren e aneksit. Tërë kohën masken me vete, ne e kemi këtu Covidin. Do iki çfarë të bëj, jetohet këtu?!”- shprehet një qytetare rreth të 50-ave, që jeton pranë fushës së Aviacionit.

Foto nga ish- fusha e Aviacionit ku tregohet situata e rënduar e mbetjeve.

Kryetari i bashkisë Dritan Leli, lidhur me këtë rast u shpreh:

“Masakër mjedisore mund ta quanim për 20 vite që digjeshin plehrat e askush nuk kujtohej, ndërsa sot është një incident thuhet zjarrvënie e qëllimshme, por kjo i takon organeve të rendit”- tha Leli, por ndërkohë që zgjidhja e premtuar për banorët ende duket larg.

Sipas premtimit fillestar, kjo zonë do të duhet të shndërrohej në një park rekreativ.

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Vlorë me datë 16 Gusht, nga ku mori përgjigjen se projekti i Parkut Rekreativ dhe Projekti i ish- Fushës së Aviacionit janë akoma projekt-ide dhe përshkak se ka një mungesë të një vendimarrje nga K.K.T si organ kompetent dhe për mungesë financimi, këto projekte nuk janë konkretizuar.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vlorë me datë 16 Gusht.

Përgjigjja e Bashkisë Vlorë, datë 8 Shtator.

Për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problematikës se djegjes së mbetjeve në fushë të hapur, Dritan Leli premtoi dhe ndërtimin e landfillit të mbetjeve.

“Në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët e huaj do të ndërtohet një landfill modern. Gjithçka është gati. Ndërtimi i landfillit të ri do të thotë që do të pastrohen të gjitha pikat ekzistuese të depozitimit të mbetjeve urbane në Pyllin e Sodës, Orikum, Fushën e Aviacionit e të tjera. “- u shoreh Leli më 19 Qershor 2015.

Nga Bashkia Vlorë  mësua se projekti i ndërtimit të landfillit të Sherishtës, është investimi i parë në fushën e trajtimit të mbetjeve urbane në Vlorë  dhe vlera monetare e tij është 10 milion euro,  sipas përgjigjes kanë përfunduar 80% e punimeve.

Foto nga landfilli i Sherristës

Po në ditën ku zjarri kaploi mbetjet në fushën e Ish-Aviacionit kryebashkiaku u shpreh se:

“Nuk dua të futem në historira të panevojshme, ajo që dua t’ju them të gjithëve është se landfilli i Sheristës do të zgjidhë përfundimisht çështjen kaq të nxehtë të trajtimit të mbetjeve në gjithë territorin e bashkisë Vlorë dhe jovetëm. Absolutisht landfilli është duke u ndërtuar. Vlora ka një zgjidhje komplet të ndryshme e cila ka një garanci midis qeverisë shqiptare dhe gjermane me financimin e KVV, bankës gjermane që unë jam i bindur që do të jetë histori suksesi me menaxhimin e mbetjeve të integruar mes bashkisë Vlorë dhe të Selenicës. E jam i bindur që pavarësisht pengesave që duken ndonjeherë në horizont egziston fryma pozitive për të bërë më të mirën. Ka qenë premtimi i parë për një plagë që qyteti e kishte prej 20 vitesh që sot po kthehet në memorien e qytetarëve me një situatë të ngjashme, e më vjen mirë se jeni të gjithë këtu se ajo që ka ndodhur është se jemi shumë herë më sensibël për mjedisin, për trajtimin e mbetjeve se sa ishim vite më parë. “- u shpreh zoti Leli me datë 4 Tetor.

Foto nga deklarata për mediat e kryetarit të bashkisë Dritan Leli me datë 4 Tetor.

Ndërkohë pritet përfundimi i projektit në dhjetor të këtij vitit sipas afateve ligjore. Deri më tani ka përfunduar faza e parë e projektit që është ndërtimi i LandFilldit dhe fabrika e përpunimit MRF. (menaxhimit të mbetjeve urbane). Aktualisht po punohet me ndërtimin e depos bashkiake (garazhi) ku do të vendosen mjetet e reja të pastrimit në krah të fushës së mbetjeve. Sipas një projekt-vendimi në tetor nis ndërtimi për koshat e nëndheshëm dhe makina e koshave të nëndheshëm përndërtimin e të cilëve bashkia e Vlorës ka zbardhur aktualisht lejet e ndërtimit. Investimi prej 25 milionë euro është financim i KFË-së Gjermane i cili zgjedh në mënyrë përfundimtare problemin e menaxhimit të mbetjeve për Bashkinë e Vlorës dhe Selenicës.

Faktoje edhe më parë ka bërë artikuj për këto dy premtime të kryetarit të bashkisë Vlorë Dritan Leli, ku sot nga verifikimet e kryera dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për ish Fushën e Aviacionit do t’i kategorizojmë si premtim të pambajtura, ndërsa landfillin do ta kategorizojmë gjysëm të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img