Në fushatën për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati fitues Ermal Dredha premtoi pastrimin e qytetit të Vlorës përmes organizimit e bashkërendimit të punës së privatit me pushtetin vendor, shtimit të koshave dhe hapësirave për grumbullim të mbetjeve si dhe fushatave edukuese në shkolla. Verifikimi i Faktoje tregon se premtimi nuk është përmbushur. Patatja e nxehtë në duart e bashkisë për pastrimin në Vlorë mbetet landfilli i Sherishtës, i cili ende nuk është vënë në funksion.
Jona Plumbi
Gjatë fushatës elektorale përpara zgjedhjeve të 14 majit 2023, kandidati socialist për Vlorën, Ermal Dredha vendosi si prioritetin e parë të programit të tij elektoral premtimin për një qytet të pastër.
Sipas këtij premtimi bashkia Vlorë do të punojë fort për organizimin e pastrimit të qytetit, shtimin e koshave dhe hapsirave të dedikuara për grumbullimin e mbejtjeve si dhe krijimin e fushatave edukuese për ndërgjegjësim rreth tematikës së pastërtisë së qytetit.
Ajo që bie në sy është se kryebashkiaku vlonjat ka “harruar” se arsye kryesore përse qytetarët e Vlorës ngrenë shqetësimin e pastrimit është vendgrumbullimi i mbetjeve të qyteti,t që vetëm gjatë këtij viti ka marrë flakë të paktën katër herë duke helmuar ajrin për ditë dhe javë me rradhë.
Për të parë nëse Bashkia Vlorë po punon vërtetë fort për pastërtinë e qytetit ne vendosëm të bëjmë një verifikim në terren.
Shtimi i koshave të mbeturinave
Ne shkuam në Vlorë për të parë nga afër situatën në fund të dhjetorit 2023. Nga vëzhgimi në rrugët e qytetit vumë re se koshat e mbetjeve përgjithësisht ishin të tejmbushur, sidomos ato që janë pranë bizneseve.
Situata ishte e njëjtë në disa rrugë të qytetit.
Vende-vende qytetarët apo bizneset përdorin pemët e qytetit si vendgrumbullim mbetjesh.
Vetë bashkia Vlorë, pranoi pas kërkesës për informacion se nuk janë shtuar koshat e mbeturinave. “Nga nisja e mandatit të kryetarit të Bashkisë Vlorë, nuk janë shtuar kosha për mbetjet në qytet.”- thotë bashkia për Faktoje, në përgjigjen e dërguar më 5 janar 2024
Fushatat e ‘padukshme’ edukuese
Kur e pyetëm bashkinë se çfarë fushatash edukuese janë zhvilluar, referuar premtimit të kandidatit fitues, bashkia Vlorë u përgjigj:
“Janë bërë njoftime periodike për të cilat nuk disponojmë fotogarafi.”
Pastrimi i qytetit
Sa i përket pastrimit të rrugëve të qytetit, gjendja në të cilën e gjetëm Vlorën në dhjetor kur edhe fluksi qytetarëve dhe turistëve është shumë më i ulët, linte për të dëshiruar.
Rrugët pranë pyllit të Sodës dhe plazhit të vjetër të qytetit të Vlorës janë edhe më të ndotura. Në rrugë shihen mbetje, por edhe inerte nga shembja e godinave të vjetra apo të amortizuara.
Qytetarët na tregojnë se situata më e keqe është pikërisht pranë vendgrumbullimit të mbetjeve që ndodhet shumë pranë pyllit të Sodës në rrugën Sazani, buzë detit.
Zona në fjalë ishte në gjendje të mjerueshme. Pylli është lënë në mëshirë të fatit. Pemët e rrëzuara apo të thyera janë lënë pa lëvizur. Mbetjet plastike dhe organike mbulojnë thuajse të gjithë hapsirën e gjelbër.
Në përgjigjen e bashkisë Vlorë për Faktoje nëse ka organizimin dhe bashkërendimin e punës mes shtetit dhe privatit për pastrimin e qytetit, nuk përshkruhet të ketë ndodhur diçka e tillë. Pastrimi i qytetit është procesi rutinë që ka ekzistuar më parë.
“Organizimi i pastrimit në qytet kryhet nga sektori i pastrimit, i atashuar pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Vlorë. Në përbërje të sektorit është e atashuar flota e makinave teknologjike për evadimin e mbetjeve nga kontenieret. Operojnë gjithashtu burimet njerëzore në terren si dhe mjete të tjera si kamioncinë dhe skrep që shërbejnë në varësi të problematikës së punës.”-shkuan bashkia.
Vendgrumbullimi i mbetjeve
Vetëm 400 metra larg rrugës Sazani është vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës. Mbetjet janë të përhapura në të gjithë zonën përreth.
Mbetjet e grumbulluara formojnë një mal me plehra, era e rëndë e të cilave ndjehet në të gjithë zonën.
Të vetmit “pastrues” që pamë gjatë vëzhgimit tonë në Vlorë, ishin derrat që po gostitnin në vendgrumbullimin e mbetjeve.
Pasi kjo fushë me mbetje mori flakë në muajin gusht, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha premtoi zgjidhje të shpejtë të situatës.
“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset në funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë. Problemi është që ka disa pengesa ligjore. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFV-në derisa të arrijmë në një emërues të përbashkët për ta zgjidhur këtë problematikë, sepse nuk varet vetëm nga Bashkia.” – tha asokohe Ermal Dredha.
Në fakt, Landfilli i Sherishtës duhej të ishte gati për punë që në qershor të vitit 2021.
Ndërtimi ishte pjesë e projektit për menaxhimin e integruar të mbetjeve të Vlorës që kushtoi 20.8 milionë euro të financuara nga KFV, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi, ndërsa 8.3 milionë janë grante.
Kompania që kreu punimet është Integrated Technology Services që u vendos nën sekuestro në 14 dhjetor 2021 me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Premtimin elektoral të kryebashkiakut socialist Ermal Dredha se do të punojë fort për pastrimin e qytetit, pas verifikimit të kryer në terren në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës dhe informacionit zyrtar, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.