.

.

BallinaFaktometerPa kategoriVizita e tretë e Ramës në "10 Downing Street" publikohet si risi

Vizita e tretë e Ramës në “10 Downing Street” publikohet si risi

Titulli kryesor që shoqëroi vizitën e kryeministrit Rama në Londër në 23 mars u përqëndrua në faktin se kjo ishte vizita eparë e një kryeministri shqiptar në zyrën e homologut të tij britanik.Verifikimet vërtetojnë se kjo ishte në të fakt vizita e tretë e Ramës në godinën historike “10 Downing Street”, që prej ngjitjes së tij në pushtet në vitin 2013. 

Jona Plumbi

Kryeministri Rama e cilësoi vizitën e tij në 23 mars në godinën historike të homologut britanik “10 Downing street”, si një ngjarje që ndodh për herë të parë. 

Por nëse kryeministrit mund t’i falen këto deklarime emocionale, është roli i medias që të verifikojë raportimet e informacioneve që transmeton. Ky mision dështon të ndodhë në përditshmëri në lajmet e portaleve në rrjet, por për fat të keq edhe në mediat kombëtare, që shpesh thjesht përsërisin çfarë ju serviret.

Lajmi i vizitës së kryeministri Rama në Lonër dhe takimit të tij me homologut britanik Rishi Sunak, u shpërnda në media me një pretendim lehtësisht të verifikueshëm.

Në videon e lajmit të publikuar në media shfaqet kryeministri Rama duke biseduar me kryeministrin britanik Sunak, të cilit i thotë se “Sikurse e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike. Jam falënderues për këtë. Është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona.”

Në fakt kjo është e pavërtetë, sepse kryeministri Rama ka qënë edhe dy herë të tjera më parë në të njëjtën godinë në Downing Street, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë.

Por edhe nëse Sunak nuk ka përse ta dijë, mediat duhet të paktën të verifikojnë informacionin që shpërndajnë si fakt. Kjo gjë nuk ka ndodhur në rastin e Top Channel, Klan TV, Dosja.al, RTSH, TPZ, News Bomb.

Rama në Downing Street në 2013-ën

Keqinformimi ka nisur nga vetë Kryeministri Rama, i cili e ka shpërndarë vizitën e tij në rrjetet sociale duke e njoftuar si “të parën vizitë zyrtare në Downing Street”. Por me një kërkim në rrjet, lehtësisht zbulohet se kryeministri Rama ka takuar kryeministrin Britanik, David Cameron në vitin 2013. Edhe pse publikimi i informacionit në faqen e Kryeministrisë është i fshirë, imazhi i takimit dhe titulli i lajmit ne adresën URL në rrjet janë ende të dukshme dhe njoftojnë “vizitën e kryeministrit Rama në 10 Downing Street”.

*Rama në takim me Kryeministrin e Britanisë në 10 Downing Street në vitin 2013, shpërndarë nga faqja e Kryeministrisë

Për këtë takim, kanali në YouTube i quajtur RILINDJE2013 ka publikuar edhe një video.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në 10 Downing Street, ku u takua me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron. Gjatë takimit me homologun britanik, Kryeministri Rama u përqendrua tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe theksoi reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.” – thuhet në informacionin e shpërndarë.

Kjo video është shpërndarë edhe nga faqja zyrtare e Kryeministrisë në 2013-ën.

*Video e takimit të kryeministrit Rama me David Cameron në 10 Downing Street

Rama në Downing Street në 2019-ën

Por kjo vizitë e Kryeministrit Rama në Downing Street në 2013-ën, është pasuar nga një tjetër vizitë, ajo e vitit 2019 në kuadër të një takimi të NATO-s në Britani.

*Rama duke hyrë në 10 Downing Street për samitin e NATO-s, 2019

Në rrjet gjenden foto të kryeministrit Rama duke hyrë në 10 Downing Street, si kryeministër i Shqipërisë, në aktivitetin e organizuar nga kryeministri i atëhershëm i britanisë, Boris Johnson, në 70 vjetorin e krijimit të Aleancës Euroatlantike, NATO.

Edhe nëse Kryeministrit Rama i intereson të shpërndajë informacione të pavërteta, mediat e kanë pjesë të punës së tyre verifikimin e fakteve përpara se t’i shpërndajnë ato për publikun. Në këtë rast pjesa më e madhe e mediave kanë besuar plotësisht kryeministrin Rama, edhe pse ai në fakt ka thënë një të pavërtetë.

Është për t’u vlerësuar gazetari shqiptar në Londër, Arben Manaj, i cili rrëzoi i pari publikisht si të pavërtetë këtë deklaratë të kryeministrit gjatë një lidhje të tij në emisionin Top Story.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img