Ndërsa vendi po kalon një situatë të vështirë ekonomike si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së “Covid-19”, viti i ardhshëm që përkon edhe me zgjedhjet parlamentare,do “prodhojë” 1,244 punonjës të rinj në administratë. Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në gjysmën e parë të këtij viti, detyrimet e prapambetura të institucioneve arritën në vlerën e 55 milionë eurove, ku gjysmën e zënë paditë e fituara nga të larguarit nga puna.
Administratës publike në vend pritet t’i shtohen 1,244 punonjës të rinj, gjë që planifikohet në projektbuxhetin e vitit 2021.
Nga 82,458 punonjës në administratën publike në vitin 2020, numri pritet të shkojë në 83,702 në vitin 2021, duke u rritur me 1,61 për qind.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe ajo e Bujqësisë janë dy institucionet që do kenë shtimin më të madh të punonjësve në administratë.
Aktualisht Ministria e Brendshme ka 14,264 punonjës, shifër e cila do rritet në 15.079 vitin e ardhshëm, i cili përkon edhe me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban aktualisht ka 1,952 punonjës, shifër e cila do rritet në 2.417 në vitin 2021.
Rritja e numrit të punonjësve me 1,61 për qind është ndër më të lartat në vitet e fundit. Në vitin 2020 numri i punonjësve të rinj në administratën publike, në raport me një vit më parë u rrit me 0,32 për qind.
Përtej punësimeve të reja në 6-mujorin e parë të këtij viti, fatura e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucionet publike ndaj bizneseve dhe individëve, arrin vlerën e rreth 6,8 miliardë lekëve apo 55 milionë eurove, ku thuajse gjysma i përket detyrimeve për largimet nga puna. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, niveli i detyrimeve ka pësuar një rritje të lehtë krahasuar me periudhën Janar-Mars të vitit të kaluar, kur ky stok regjistrohej në 6,5 miliardë lekë.
Nga raporti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mësojmë se rreth 57,8 për qind e këtij stoku detyrimesh, i referohen atyre për vendime gjyqësore që buxheti i shtetit duhet të paguajë në favor të palëve fituese, ish punonjës të larguar nga puna apo për dëmshpërblime për prishje objektesh nga ana e Inspektoriatit Kombetar të Mbrojtjes së Territorit. Po ashtu, një kosto të lartë kanë edhe vendimet gjyqësore lidhur me rimbursimin e TVSH-së për bizneset.
Duke nisur nga muaji dhjetor 2020, monitorimi dhe raportimi i detyrimeve i cili më parë kryhej mbi bazë tremujore, nëpërmjet raportimit shkresor të institucioneve do të gjenerohet automatikisht nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë. Ky ndryshim bëhet në funksion të intensifikimit të rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në këtë drejtim dhe monitorimin në kohë të ecurisë së detyrimeve të prapambetura.