.

.

BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraViti i ri shkollor shtyhet me 3 javë, MASR pa strategji për plotësimin e boshllëqeve që shkaktoi pandemia

Viti i ri shkollor shtyhet me 3 javë, MASR pa strategji për plotësimin e boshllëqeve që shkaktoi pandemia

Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi në prill të këtij viti se po hartohet një strategji për të testuar njohuritë e nxënësve dhe çfarë mangësish janë krijuar gjatë vitit pandemik. Nga një komunikim zyrtar me MASR, Faktojes iu tha se strategjia do publikohej brenda qershorit për t’i paraprirë vitit të ri shkollor. Por sipas ekspertëve të sistemit parauniversitar, strategjia nuk mund të jetë gati para dhjetorit, ndërkohë që qeveria ka njoftuar shtyrjen e nisjes së mësimit për sistemin parauniversitar në 27 shtator duke ofruar disa udhëzime, për perseritjen e disa lendeve, një proces për të cilin vetë mësuesit janë skeptikë. Ministria e Arsimit nuk ka bërë publike planin e veprimit që evidenton qartë mangësitë konkrete të nxnënësve të arsimit parauniversitar të shkaktuar gjatë periudhës së pandemisë.


Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi në një intervistë televizive për Top News, në 21 prill deklaroi:

“Sa i përket njohurive, mangësive që mund të jenë krijuar gjatë kësaj periudhe tek nxënësit, ne po hartojmë një strategji në bashkëpunim me ekspertet tanë dhe me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauiversitar”

Bazuar në këtë deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion MASR-së për ta pyetur se cila është strategjia e cila po hartohet për të vlerësuar mangësitë dhe problematikat që janë krijuar gjatë këtij vitit pandemik dhe kur do të bëhet publike?

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, 12 maj 2021

Nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë na u konfirmua se kjo strategji dhe procesi i mbledhjes së të dhënave do të mbyllet brenda muajit qershor.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka hartuar planin e veprimit për vlerësimin e arritjeve të nxënësve, me qëllim identifikimin e nevojave për përmirësimin e tyre, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Rezultatet që do të merren nga ky plan veprimi, pas grumbullimit të tyre do të përmbyllen me hartimin e udhëzuesve për orientimin e shkollave lidhur me organizmin e procesit të përsëritjes, përforcimit për përmirësimin e arritjeve të nxënësve. Procesi i përfundimit të mbledhjes së të dhënave është parashikuar të mbyllet brenda muajit qershor. https://faktoje.al/masr-asnje-te-dhene-mbi-efektivitetin-e-mesimit-te-kombinuar-qe-nga-shtatori-2020/

Të gjitha institucionet e varësisë së MASR janë duke punuar në këtë proces në mënyrë që në fillim të vitit të ardhshëm shkollor 2021-2022 të përforcohen të gjitha njohuritë në të cilat nxënësit paraqesin vështirësitë e tyre.”- thuhej në përgjigjen zyrtare të institucionit të MASR-së.

Përgjigje e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, 19 maj 2021

Në datë 2 gusht Ministrja e Arsimit Evis Kushi me një anë të një statusi në rrjetin social Facebook lajmëroi:

“Shkolla fillon me 1 shtator, me konsultime për mangësitë e krijuara për vitin 2020, temat që do të përzgjidhen nuk do të jenë të njejta për të gjithë institucionet arsimore dhe do të jenë në dorë të mësuesit. Si dhe mësuesit do të paguhen me orë shtesë. Nuk do të ketë vlersim me notë të nxënësve, dhe pjesmarrja nuk do të jetë e detyruar. Mësimi do të fillojë ne 8 e 30 dhe do të zgjase 45 minuta ora.”

Duke pranuar kështu se procesi I mbledhjes së të dhënave pritej ende të ndodhte, ministrja Kushi  publikoi edhe 3 udhëzues të ndarë sipas niveleve të arsimit parauniversitar:

Udhëzuesi 1– Në ndihmë të drejtuesve të shkollave 9-vjeçare dhe të mësuesve të arsimit fillor klasat 2/5 Korrik 2021, Udhëzues për përmirësimin e arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Lendet:Gjuhe Shqipe dhe Matematikë.

Udhezuesi 2– Në ndihmë të drejtuesve dhe të mësuesve të shkollave 9-vjeçare, klasa 6/9 Udhëzues për përmirësimin e arritjeve të nxënësve në arsimin e mesëm të ulët, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19

Lëndët : “Gjuhë shqipe”, “Matematikë” dhe “Gjuhë e huaj e parë”

Udhëzuesi 3– Në ndihmë të drejtuesve dhe të mësuesve të shkollave të arsimit të mesëm të lartë, klasat 10/12, do të ushtrojne lëndët: “Gjuhë shqipe”, “Letërsi”, “Matematikë”, “Gjuhë huaj e parë”, “Biologji”, “Kimi” dhe “Fizikë”.

Dy javë më vonë, vetë Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi shtyrjen e vitit të ri shkollor më datë 27 shtator. Ky ndryshim, sipas ministres erdhi nga ankesat e mësuesve dhe prindërve se koha  e mësimit plotësues ishte e pamjaftueshme.

Pas këtyre zhvillimeve, Faktoje iu drejtua sërish MASR dhe Agjencisë për Sigurinë e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), të cilave u kërkuam të na vinin në dispozicion raportin e plotë të planit të veprimit për vlersimin e nxënësve, gjatë vitit shkollor 2020-2021?

Kërkesë për Informacion drejtuar Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, 4 gusht

ASCP na ktheu këtë përgjigje:

Përgjigjja zyrtare e ASCAP

Pas përgjigjes zyrtare Faktoje, iu drejtua njërit prej hartuesve , njohës i sistemit arsimor parauniversitar, i cili nuk pranoi të identifikohej.

“Vlersimi i nxënësve bëhet në bazë shkolle dhe një raport i plotë i planit të veprimit për vlerësimin e tyre, nuk mund të bëhet në një periudhë të shkurtër. Mbledhja dhe gjetja e këtyre të dhënave kërkon kohë dhe i gjithë ky raport mund të dalë në fund të vitit”-konfirmoi ai për Faktoje

A mund të rikuperohen boshllëqet në 3 javë ‘përsëritje’ ?

Faktoje komunikoi me prindër, nxënës dhe mësues të cilët dëshmojnë se viti shkollor 2021-2022 u ka lënë mangësi që vështirë se mund të rikuperohen.

D.N mësuese në një gjimnaz të Tiranës tha për Faktoje:

“Ky vit mësimor që kaluam, përveç pasigurisë, u shoqërua me pengesa sidomos në fushën e arsimit. Ky është ndër vitet mësimore më të veshtirë të karrierës time deri më tani! Jemi përballur me sfida të ndryshme që nga përshtatja me rregullat e reja të pandemisë, deri tek ndryshimi i metodologjisë së mësimdhënies, krahasuar me atë tradicionalen. Mund të them se i bëmë ballë këtyre sfidave, mirëpo dëmi është i konsiderueshëm dhe veshtirë se mund të zevëndësohet me tri javë përsëritje.

Lidhur me strategjitë e këtij fillimviti shkollor, për të krijuar një periudhe kohe rikuperimi nga mangësite e vitit që lamë pas, jam pak skeptike.”

Majlinda nga Tirana, nënë e dy fëmijeve në sistemin parauniversitar thotë:

“Jemi munduar shumë t’u krijojmë kushtet maksimale fëmijëve tanë për të mësuar e për t’ju përgjigjur kërkesave të tyre gjatë këtij viti të vështirë mësimor, për arsye të pandemisë dhe pasojave që solli. Kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me mësuesit kujdestarë dhe me mesuesit e lëndëve përkatese, e përseri themi se mangësite janë lehtesisht të evidentueshme. Mësimi online mbetet një krizë për shoqerinë tonë, pasi nuk i përmbush objektivat që kërkohen. Fëmijët duket sikur janë ‘dembelosur’ dhe nuk po e gjejnë më fokusin siç duhet tek mësimet”.

M.D nxënës në klasën e 10 në shkollën “Aleks Buda” ndihet i çoroditur pas gati dy vitesh mësimi online dhe të kombinuar, shprehet:

“Ishte shumë shpërqendrues kalimi nga mësimi online, në shkollë dhe anasjelltas. Shumë nga ne nuk i kemi kryer detyrat si duhet. Kemi tema të paqarta pasi nuk është njesoj si të shjegohen online me mënyrën tradicionale, në klasë. Për aq kohë që ditët e përsëritjes në shkollë do të jenë pa notë dhe pa mungesa, nuk mendoj se do të ketë frekuentim të lartë.

Edhe për ekspertin e arsimit Fatmir Vejsiu, vështirësitë që hasi ky vit shkollor  në një periudhe pandemie globale ishin të shumta. Ai argumenton se objektivat arsimore nuk mund të quhen të përmbushura.

“Që të zhvillosh një mësim normal kërkohen veç kushteve infrastrukturore (klasa, laboratorë, etj) edhe impenjimi dhe motivimi i mësuesit dhe nxënësve. Me zhvillimin e teknologjisë, duhet të krijohen të gjitha mundësitë për të mos e ndjerë mungesën e të qenurit në klasë në disa lëndë.

Nga përvoja ime personale si mësues i matematikës, nxësësve i është krijuar mundësia për të ndjekur të gjitha etapat e orës së mësimit, për ta riparë mësimin, duke i krijuar mundësinë për të riparë e rindjekur shpjegimin e mësimit dhe trajtimin e ushtrimeve apo çështjeve delikate.

Nëse do flitej për lëndët, që pjesën më të madhe e zhvillojnë në laboratore, si kimia, fizika, biologjia, TIK, të mësuarit nuk varet vetëm nga motivimi e përqendrimi. Për shkollat profesionale, për lëndët e profilit situata është edhe më e rëndë dhe pasojat kanë qenë edhe më të rënda.

E parë në këtë prizëm, objektivat arsimore nuk mund të quhen të përmbushura, madje do t’i konsideroja të parikuperueshme.

Megjithatë, mësimi në klasë ka edhe elemente të tjera psiko-pedagogjike që influencojnë në formimin dhe sjelljen e nxënësit

Unë jam shprehur për masat që duhet të merrte Ministria e Arsimit për vitin shkollor 2020 – 2021, pasi ishte vit pas një situate të paparashikuar që kaluam (mars 2020) dhe e parashikueshme për situatën që do pasonte (2020 -2021) U mjaftua me përdorimin e termave të grupit të eksperteve të mjekësise (distancim, respektim të rregullave anti covid dhe mbyllje apo hapje të shkollave)

Edhe pse nuk jam shume optimist, shpresoj që në shkollat të mbërrijnë masat për rikuperimin sa më të madh të humbjeve.”-thotë skeptik zoti Vejsiu.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Faktoje dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Lexo edhe: Mësimi online një dështim sipas komunitetit, MASR anulon publikimin e sondazheve

A mund të vazhdohet me mësimin e kombinuar kur ai po rezulton jo efektiv?

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img