Pretendimi: Rezistenca palestineze sulmoi një oficer të lartë të ushtrisë izraelite
Verdikti: Mungon konteksti
Lajmet e shpërndara në rrjetet sociale për vrasjen e një oficeri të lartë të ushtrisë izraelite janë të rreme. Verifikimet tregojnë se është vrarë një 66-vjeçar izraelit.
—————-
Një postim i shpërndarë më 22 qershor në rrjetet sociale në vendin tonë pretendon se njofton vrasjen e një oficeri të lartë të ushtrisë izraelite në një sulm hakmarrës.
“Një oficer i lartë izraelit në ushtrinë okupuese u vra nga rezistenca palestineze në Qalqilya në Bregun Perëndimor e pushtuar”- shkruhet në postimin e një fotoje të viktimës së atentatit.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Faktoje bëri një verifikim të këtyre pretendimeve, për të mësuar më tepër rreth kësaj ngjarjeje. Nga kërkimi nëpërmjet mjeteve të verifikimit të imazheve konstatuam se foto është reale dhe se ka pasur një raportim për vrasjen e një izraeliti më 22 qershor.
Mirëpo, ndryshe nga çfarë pretendohet në postim, nuk është vrarë oficeri i lartë izraelit. Sipas raportimeve, një kolon 66-vjeçar izraelit u vra pasi kishte shkuar për të blerë ushqimore në qytetin e Qalqilya në Bregun Perëndimor tashmë të pushtuar nga ushtria izraelite.
Mediat pro-palestineze raportojnë gjithashtu për këtë ngjarje, por theksojnë se viktima ishte një civil.
“Një kolon u qëllua teksa ishte në makinën e tij në qendër të qytetit Qalqilya, që ndodhet në veri të Bregut Perëndimor. Zëdhënësi i ushtrisë pushtuese konfirmoi se sionisti në fjalë u vra. Përpara se forcat pushtuese të mbërrinin në vendngjarje, një grup të rinjsh palestinezë i vunë flakën automjetit”.
Media palestineze përmend burime të pakonfirmuara se viktima ka qenë më parë një punonjës i MOSSAD (Agjencia Kombëtare e Inteligjencës së Shtetit të Izraelit), një lajm që vështirë se mund të konfirmohet për shkak të sekretit që mbulon këtë agjenci.
Sipas mediave të huaja, sulmi ndaj kolonit ndodhi kur luftëtarët palestinezë hapën zjarr ndaj një automjeti me targa izraelite pranë Sofin, në lindje të Qalqilya.
Gjithashtu, në një kërkim të bërë në mediat ndërkombëtare, nuk ka raportim për vrasjen e një oficeri të lartë të ushtrisë izraelite.