Pretendimi: Kjo video tregon “popullin e ndërgjegjësuar” duke sulmuar një performues drag në skenë.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————–
Një video që ka marrë mbi 5 mijë pëlqime në Instagram duket se tregon një performues “drag queen” duke u goditur me sende dhe duke u refuzuar zëshëm nga publiku në një sallë. Video shoqërohet me përshkrimin: “Gjeja me e bukur kur populli ndergjegjsohet dhe pastron vendin nga mbeturinat. 👏 Nje popull qe pastron vendin shkelqen!🤷♂️ A jeni dakort?”
Një drag queen cilësohet një person, zakonisht mashkull, i cili përdor veshje dhe grim për të imituar sjelljet e gjinisë femërore për qëllime argëtimi. Këto personazhe kanë qenë historikisht meshkuj homoseksualë dhe kanë qenë pjesë e kulturës së homoseksualëve.
Megjithatë, skena që mbështet ky postim duket se është e manipuluar qëllimshëm. Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se performuesi në video njihet si Ferrxn dhe është një performues drag nga Spanja.
Video origjinale është postuar fillimisht në Twitter dhe Instagram nga një tjetër performues drag, La Nina. Megjithatë, audio me të bërtitura të zemëruara nuk dëgjohet në këtë video. Gjasat janë që ajo i është mbivendosur videos së postuar në Instagram me anë të programeve kompjuterike. Video origjinale mban mbishkrimin në spanjisht: “Je turpi i këtij vendi, shporru @ferrxn.”
Megjithatë, ajo është ripostuar nga Ferrxn në Instagram dhe në Twitter, shoqëruar me përshkrimin: “Vajza, jam më i keqi.”
.
Tashmë lexuesi nis të dyshojë se video, dhe abuzimi që tregohet në të, duket se është pjesë e performancës, një mënyrë për të ironizuar urrejtjen dhe sulmet që këta performues dhe komunitetit LGBT marrin shpesh.
Kjo konfirmohet nga vetë Ferrxn, i cili i është përgjigjur një komenti të shqetësuar në Twitter duke sqaruar se bëhet fjalë për një shaka.