Video e një tabele në Milano për mbledhjen e donacioneve për Ukrainën, ku paratë mund të depozitohen nga hunda e presidentin Zelensky, është e rreme. Verifikimi i “Faktoje” sqaron përse bëhet fjalë për një manipulim dhe se tabela nuk është vendosur ndonjëherë në Piaza Duomo.

—————————

Një video që po qarkullon në internet duket se tregon një reklamë me foton e presidentit ukrainas Zelensky ku njerëzit mund të fusin ‘donacione’ në një vrimë të hundës së tij ku është instaluar një aspirator që thith paratë. 

Në një skenë të videos, duket se kjo tabelë ndodhet në Piazza Duomo në Milano.

Tabela duket se ndodhet në Piazza Duomo në Milano

Siç kanë shpjeguar kolegët e Open Fact-Checking, këto tabela janë pronë e Bashkisë së Milanos, dhe pa autorizimin e saj instalimi i një tabele të tillë është i pamundur. 

Kontaktuar nga Open Fact-Checking, Bashkia e Milanos tha se “sa i përket videos që tregon një tabelë mbledhje fondesh për Ukrainën në Piazza Duomo, Bashkia e Milanos përgënjeshtron se kjo video është e vërtetë sepse asnjë poster i tillë nuk është autorizuar në hapësirat nën administrimin e Bashkisë.”

Gazetari David Puente kontaktoi agjentët e sigurisë në Duomo, të cilët thanë se nuk e kanë parë kurrë këtë tabelë. Duke qenë se sheshi është nën monitorimin e kamerave të sigurisë, nëse dikush do të kishte instaluar këtë tabelë, do të ishte ndaluar nga policia. 

Për më tepër, siç tregohet nga video e postuar nga Puente, tabela në Piazza Duomo nuk ka hapësirë ku mund të instalohej një aspirator.

Ndërkohë, në sekondën e 17 të videos, pamja ndryshon duke marrë një ngjyrë të verdhë, gjë që tregon se kjo video me gjasa është e modifikuar.

Një tjetër tregues se video është modifikuar është fakti se kjo video është e vetmja ‘provë’ e ekzistencës së kësaj tabele. Nëse kjo tabelë do të ishte vendosur vërtet në një vend publik dhe aq të frekuentuar sa Piazza Duomo, raportime, video apo foto të tjera të saj do të ishin postuar në internet dhe media.