Video që tregon disa nxënës që godasin mësuesen me dërrasën e karriges nuk është xhiruar në veri të Shqipërisë. Verifikimi i Faktoje zbuloi se në video shfaqen nxënës shqiptarë, por ata janë shqiptarë në Malin e Zi.
——————————————
Në rrjete sociale po qarkullon një video që tregon nxënësit e një klase që godasin mësuesen me pjesën e një karrigeje, me pretendimin se ngjarja ka ndodhur “në veri të Shqipërisë.” Në video dëgjohen zërat e nxënësve që flasin në shqip dhe motivojnë njërin prej tyre që të godasë mësuesen. Një situatë që duhet të shkaktonte reagimin e ministrisë së Arsimit dhe komunitetit për nivelin e disiplinës dhe degradimit të mësimdhënies në këtë shkollë.
Megjithatë, video, që ka marrë mbi 1 mijë pëlqime, nuk tregon një klasë në Shqipëri.
Një tregues fillestar për këtë është prania e flamurit malazez dhe hartës së Malit të Zi, të cilat mund të duken të varura në murin e klasës në video.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se incidenti ishte raportuar nga mediat malazeze në shtator të këtij viti.
Sipas këtyre raportimeve, incidenti ka ndodhur në 7 shtator 2023, në shkollën 8-vjeçare “25 Maji” në Tuz, një komunë e banuar nga shqiptarët në Malin e Zi. Kjo është edhe arsyeja e komunikimit në shqip të nxënësve në video që mund të ketë krijuar perceptimin e gabuar të shikuesve të saj.
Faktoje iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit në Shqipëri me një kërkesë për informacion mbi incidentin e treguar në video. Ministria konfirmoi se “se situata e regjistruar në video nuk ka ndodhur në institucionet arsimore parauniversitare në vend.”
Përgjigjia e MAS