BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVideo e fëmijëve palestinezë ndahet online si rrëmbimi i fëmijëve izraelitë nga Hamasi

Video e fëmijëve palestinezë ndahet online si rrëmbimi i fëmijëve izraelitë nga Hamasi

Pamjet e arrestimit të fëmijëve palestinezë nga ushtarët izraelitë po përdoren në media si video nga zhvillimet aktuale të luftës mes dy shteteve. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se video i përket vitit 2021.

Rrëmbimi i fëmijëve izraelitë për t’u mbajtur peng nga luftëtarët e Hamasit, është një lajm i rëndë që tërheq klikime në internet. Këtë interes kanë shfrytëzuar edhe përdorues në rrjetet sociale, të cilët po ndajnë video që pretendohet se dëshmojnë këto rrëmbime apo mbajtjen e burgosur të fëmijëve. Në disa raste edhe mediat kanë rënë preh e këtyre videove duke shpërndarë dizinformim.

Një nga këto raste është edhe një video e shpërndarë në 10 tetor nga portali “Periskopi.com”. “Grupet terroriste të Hamasit keqtrajtojnë dhe marrin peng shumë fëmijë izraelit (PAMJE TË RËNDA)”, titullohet lajmi që shoqëron videot.

Artikulli i shpërndarë nga mediat

Faktoje vendoi të bëjë një verifikim të pamjeve, nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove dhe video. Nga kërkimi rezulton se video e tretë në këtë artikull, në fakt nuk i përket zhvillimeve aktuale nga konflikti Izrael-Palestinë. Pamjet e fëmijës që rrëmbëhet janë të marsit të vitit 2021.

Në këto pamje tregohet arrestimi i fëmijëve palestinezë nga ushtarët izraelitë. 

“Ushtarët izraelitë arrestuan 5 fëmijë palestinezë në kodrat e Hebronit jugor të mërkurën, pasi u raportua se ata kishin kaluar rrethimin në mënyrë të paligjshme. 5 fëmijët, të cilët variojnë nga mosha 8 deri në 13 vjeç, thuhet se u mbajtën për tre orë në stacionin e policisë Kiryat Arba përpara se të liroheshin.

Dy nga fëmijët, 12 dhe 13 vjeç, janë thirrur për pyetje shtesë të dielën, sipas avokatit të fëmijëve Gaby Lasky”, raportonin mediat e huaja në 10 mars të vitit 2021.

Benjamin Netanyahu i shpall zyrtarisht luftë Hamasit më 8 tetor, pas një sulmi të befasishëm nga militantët e Hamasit që erdhi një ditë pas 50-vjetorit të Luftës së Yom Kipur ose Lufta Arabo-Izraelite. Izraeli deklaron se të paktën 900 izraelitë janë vrarë nga Hamasi, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img