Pretendimi: Kjo video tregon turbulencat që lanë të vdekur një person në një fluturim të Singapore Airlines në Maj 2024

Verdikti: E pavërtetë

—————————————

Një video që po shpërndahet në rrjet ditët e fundit pretendohet se tregon momentet e turbulencave të rënda në fluturimin e Singapore Airlines në 21 maj, si pasojë e së cilave një person humbi jetën dhe të tjerë u plagosën. Video është parë mbi 660 mijë herë.

Një avion që po udhëtonte nga Londra në Singapor devijoi për në Bangkok më 21 maj 2024 pasi “hasi turbulenca të rënda rrugës”. Raportohet se një 73-vjeçar humbi jetën dhe dhjetëra njerëz të tjerë u dërguan në spital prej dëmtimeve.

Video e mësipërme duket se është filmuar nga një pasagjer në një avion ndërsa një turbulencë përplas një stjuardesë në tavan dhe rrëzon bagazhet nga dollapet.

Megjithatë, kjo video nuk tregon turbulencat në fluturimin e Singapore Airlines. 

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se ajo është filmuar në të vërtetë në një avion që udhëtonte nga Prishtina në Basel, Zvicër në vitin 2019, pesë vite më parë

Video është përdorur nga portale dhe ndarë më tej në rrjete sociale nën pretendimin se është pjesë e aksidentit të fundit në Singapor