Pretendimi: Politikania amerikane Nancy Pelosi ka pranuar zyrtarisht se i përket reptilianëve.
Verdikti: Mungon konteksti
Një fjali e shprehur nga politikania amerikane Nancy Pelosi është kapur nga konspiracionistët dhe është interpretuar si pranimi i shumëpritur se ajo dhe kolegët e saj në fakt janë zvarranikë alienë, një teori e vjetër konspirative. Këto interpretime janë amplifikuar më shumë gjatë fushatës presidenciale dhe garës së ashpër mes kandidatëve demokratë dhe republikanë.
Në gusht 2024, Pelosi u shfaq në emisionin televiziv PBS News Hour në televizionin amerikan PBS ku, ndër të tjera, citohet të ketë thënë “Ne jemi të matur, jemi zvarranikë, jemi gjakftohtë. Dhe këtu dallojmë nga presidenti.”
Megjithatë, nëse dëgjojmë deklaratën e saj të plotë kuptohet qartësisht se, brenda kontekstit, Pelosi nuk po pranonte origjinën e saj zvarranike, por po përdorte një metaforë:
“Unë isha në Michigan javën e kaluar me ftesë të guvernatorit. Kandidati ynë për Senat atje është shumë përpara. Mos merrni asgjë si të mirëqenë. Ne mendojmë se mund të kapim një mandat atje dhe të mbajmë ato që kemi. Unë bëra një parashikim sot për Al Hunt. Ai tha se ndoshta ju mund të fitoni 5. Unë thashë, unë dua 10. Ai tha: Ky është parashikimi juaj? Unë thashë, dua të paktën 10. Ne duam 31. Tani mbani mend, në zgjedhjet e fundit ata thanë se do të humbnim 30 ose 40 mandate. Çfarë? Ata nuk e dinin se për çfarë po flisnin. Ne jemi ndryshe nga presidenti. Ne jemi shumë të matur, zvarranikë, gjakftohtë. Këto janë garat që duhet të fitojmë.”
Dukshëm, Pelosi po flet këtu për qasjen e Partisë Demokrate ndaj garës për Senatet e shteteve individuale, në krahasim me garën presidenciale.
Pelosi ka përdorur të njejtën metaforë edhe më parë për të përshkruar qasjen e saj realiste ndaj politikës dhe zgjedhjeve. Duke folur për zgjedhjet afatmesme të 2022, ajo tha“Unë jam më reptiliane. Gjakftohtë. Për të fituar zgjedhjet.”