.

.

BallinaAktualitetCovid-19Vetëm 1 nga 10 të sëmurë kronikë vaksinohen, mjekët në Shkodër alarm për situatën epidemiologjike.

Vetëm 1 nga 10 të sëmurë kronikë vaksinohen, mjekët në Shkodër alarm për situatën epidemiologjike.

AURORA SHPATAJ

Në shumë qendra shëndetësore kanë mbaruar vaksinat e gripit sezonal dhe s’dihet se kur mbërrin kontigjenti i dytë, i 368 mijë vaksinave të porositura në total nga Ministria e Shëndetësisë. Në Shkodër, në një prej qendrave më të medha shëndetësore, nuk e përfiton vaksinimin më shumë se 1 në 10 të sëmurë kronikë, me sasinë e mbërritur, pa llogaritur pjesën tjetër të kategorive të rrezikuara. Mjekët e familjes paralajmërojnë se kjo mungesë dhe vonesat në procesin e vaksinimit do përkeqësojnë situatën epidemiologjike, të rënduar tashmë nga pandemia e Covid-19.

Para 3 javëve, Ministrja e Shëndetsisë Ogerta Manastirliu gjatë një inspektimi në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, për nisjen e procesit të vaksinimit kundër gripit u shpreh se fushata do të përfshinte më shumë kategori në krahasim me vitet e kaluara:

“Vaksinën e gripit e përfitojnë falas grupet e riskuara, jo vetëm personeli shëndetësor, por edhe mësuesit, edukatorët dhe të sëmurët kronikë, të moshuarit  që do jenë përfitues.

 

Sa të sëmurë kronikë arrijnë të vaksiohen në një qendër shëndetësore Shkodër?

Gjatë një vëzhgimi që Faktoje bëri në qendrat shëndetësore të Shkodrës rezultoi se kontigjenti i parë nuk i mbulon as vetëm njërën prej kategorive të rrezikuara, të sëmurët kronikë.

“100 doza kemi marrë në këtë qendër e nuk mbulon dot as çerekun e pacientëve të mi. Afërsisht ne kemi rreth 1000 të sëmurë kronikë në qendrën 4, të cilët janë në kategorinë e personave që duhet të bëjnë vaksinën e gripit, sepse janë më të rrezikuar.”-shprehet për Faktoje mjeku i familjes, i cili dëshiron të mos identifikohet.

Foto e bërë nga Aurora Shpataj e cila tregon flakonin e vaksinës së gripit.

Nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër morëm informacionin se në 4 qendrat më të mëdha shëndetsore janë shpërndarë 510 doza vaksinash gjithsej.

Të dhëna të siguara nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Shkodër.

 

Vetë mjekët e pranojnë se mungesa mbulimit të kategorive të rrezikuara me vaksinën e gripit sezonal në kohën e duhur do sjellë një problematikë shumë të madhe në situatën epidemiologjike në vend.

“Problematika jonë kryesore është të na furnizojnë me vaksina në kohë, sepse periudha e gripit ka ardhur dhe po dyfishohen rastet që duan të bëjnë vaksinën, ndërkohë që është dhe virulenca e Covidit dhe qytetarët duhet ta bëjnë me patjetër. Nëse qytetarët nuk e bëjnë në kohë do krijiohet një kaos në sistemin tonë shëndetësor” -shprehet mjeku i familjes për Faktoje.

Gjatë një komunikimi me personelin shëndetsëor në qendrat që ofrojnë këtë shërbim në Shkodër, mësuam se pritet të vijë kontigjenti i dytë me një sasi më të lartë, por deri më tani çdo ditë që kalon është në favor të rëndimit të situatës epidemiologjike.

“Na kanë thënë që do vijnë me date 7-8 nëntor. Urojmë që të vijnë doza më të mëdha e të mbulohen kategoritë e rrezikura”.

Lista me kategoritë e rrezikuara që përfitojnë vaksinën e gripit.

 

Shkodra është një ndër tre qytetet me përhapjen më të madhe të virusit të Covid-19 në Shqipëri. Aktualisht  në Shkodër  ka 494 persona të infektuar .

 Rastet e përhapjes së Covid -19 në Republikën e Shqipërisë.

Edhe më herët Faktoje ka  shkruar mbi problematikën e mbulimit të nevojave për kategoritë e rrezikuara me vaksina edhe pse Ministria e Shëndetësisë është zotuar se sasia e tyre është disa herë më e madhe  në krahasim me vitet e kaluara. Nga verifikimet e Faktoje, edhe nëse mbërrin i gjithë furnizimi prej 368 mijë dozash të vaksinave të porositura, nuk mund të mbulohet as vetëm kategoria e të sëmurëve kronikë në rang vendi.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img