Përdorues të mediave sociale po shpërndajnë një kolazh fotografish duke pretenduar se kompania amerikane e veshjeve Target ka hedhur në treg një linjë të re rrobash për fëmijë me tematikë satanike. Verifikimet tregojnë se pretendimet janë të pavërteta dhe imazhet që po qarkullojnë në rrjete sociale janë të përpunuara përmes Inteligjencës Artificiale.

—————-

“Moda amerikane për fëmijë. Cila nënë u ofron fëmijëve të saj këtë lloj reklame!?”. Ky është një nga qindra postimet që po qarkullon në rrjete sociale prej muajit maj. Postimi i këtij përdoruesi të Facebook në Shqipëri shoqërohet me një video që përmban imazhe të ndryshme që tregojnë se marka e njohur amerikane e veshjeve TARGET po shet në dyqanet e saj një linjë rrobash për fëmijë me temë satanike.

Ky postim ka tërhequr dhjetra reagime ndërkohë që video është parë nga qindra të tjerë.

Kolazhi në video përfshin një manekin me ngjyrë të kuqe, me kokë dhie dhe një vajzë të re të veshur me një këmishë të zezë me një pentagram. Një tjetër imazh tregon dy fëmijë të tjerë të veshur me pulovra të kuqe, secili me një kokë dhie të bardhë me sy të bërë që t’i ngjajnë logos së njohur të Target, kuq e bardhë.

Por si qëndron e vërteta?

Kolegët tanë të Associated Press kanë verifikuar se në fakt bëhët fjalë për imazhe të përpunuara nga Inteligjenca Artificiale.

Pra, verifikimet e AP-së tregojnë se fotot nuk janë reale. Ato janë bërë duke përdorur një program të sofistikuar për gjenerimin e imazheve.

Dan Reese, një zhvillues softuerësh në Hellertown, Pensilvani, konfirmoi në mesazhet në Facebook për Associated Press se ai krijoi imazhet duke përdorur një program gjenerues të Inteligjencës Atificiale të zhvilluar nga Midjourney, një laborator i pavarur kërkimor me bazë në San Francisko.

Reese i tha AP-së se ishte frymëzuar për të krijuar imazhet pas raporteve të rreme se Target po shiste rroba për fëmijë me temë satanike si pjesë e koleksionit të saj ‘Pride’ gjatë muajit maj.

Fokusi i pretendimeve të mëparshme ishte rreth përfshirjes nga Target të markës Abprallen, një kompani me bazë në Londër që shet gjithashtu disa veshje dhe aksesorë LGBTQ+ me temë okulte dhe satanike, të tilla si kunjat dhe këmisha të njohura me shprehjen “Satani respekton përemrat”.

Nga ana tjetër, Erik Carnell, krijuesi i markës, theksoi në një deklaratë të postuar në Instagram javën e kaluar se kompania kishte vetëm tre artikuj të paraqitur në koleksionin e Target dhe asnjëri nuk kishte referenca satanike.

Por Target konfirmoi për AP se manekini me kokë dhie të kuqe dhe sende të tjera të portretizuara në imazhet që qarkullojnë këtë javë nuk ofrohen në gati 2000 dyqanet e saj në mbarë vendin. Një rishikim i faqes së internetit të Target gjithashtu nuk zbuloi asnjë nga mallrat e supozuara.

“Target nuk i ka shitur kurrë këto artikuj,” shkroi kompania në një email.