.

.

BallinaFaktometerPa kategori“Venecia” rrëzon qeverinë për paketën “Anti-Shpifje”

“Venecia” rrëzon qeverinë për paketën “Anti-Shpifje”

Komisioni i Venecias i kërkon Qeverisë së Shqipërisë të rishikojë paketën “Anti-Shpifje”. Në opinionin e saj Venecia vlerësoi se paketa “Anti-Shpifje” nuk është gati për t’u adoptuar dhe karakterizohet nga vakuum ligjor. “Anti-Shpifja”, e kontestuar gjerë nga palët e interesit dhe institucione ndërkombëtare, u votua në parlament në dhjetor të vitit të kaluar me votat e mazhorancës qeverisëse.


Komisioni i Venecias, këtë të premte publikoi draft-opinionin lidhur me paketën antishpifje, të kërkuar nga Këshilli i Europës.

Ligji karakterizohet nga paqartësi dhe mund të ketë një efekt frenues të fjalës së lirë. Ligji mund të prodhojë censurë dhe autocensurë në median online dhe jo vetëm– thuhet në draft-opinionin e Komisionit të Venecias.

Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi– shton raporti.

Komisioni i Venecias, kritikon edhe gjobat e larta që parashikohen në rast të shkeljeve të ligjit nga mediat “online”, që variojnë nga 100 mijë deri në 800 mijë lekë.

Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të fortë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzar mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media-thekson raporti.

Komisioni i Venecias kërkon nga autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetërregullues që funksionon në mënyrë efektive dhe që përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.

Paketa “Anti-Shpifje”, një nismë e qeverisë për kontrollin administrativ të medias online u miratuan mes protestës dhe kundërshtive të shoqatave të gazetarëve dhe shoqërisë civile në seancën e 18 dhjetorit 2019.

Ligji për mediat u kundërshtua edhe nga institucionet ndërkombëtare si BE, rrjetet ndërkombëtare të mbrojtjes së gazetarëve, Komisioni Europian, Federata Europiane e Gazetarëve, dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit. Ato reaguan ashpër pas votimit në Kuvend të projekligjit “Anti-shpifje” duke e konsideruar si “censurim të lirisë së shprehjes”.

Më 30 janar të këtij viti, 15 organizata mediatike në vend dolën me një deklaratë të përbashkët ku kërkuan mosaprovimin e kësaj pakete.

Ne mirëpresim hapin pas të shumicës parlamentare socialiste për paketën anti-shpifje deri në dhënien e opinionit të Komisionit të Venecias. Ne gjykojmë se shumica parlamentare socialiste ka ndërmarrë hapin e duhur, por jo të mjaftueshëm drejt rikthimit në themelet kushtetuese të vendit sa i përket lirisë së shprehjes. Ne falënderojmë Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për ndihmën e dhënë deri tani dhe mikpresim opinionin e Komisionit të Venecias. Organizatat do të vijojnë të angazhohen në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, thuhej në reagimin e 15 organizatave mediatike.

Lexo: https://faktoje.al/paketa-antishpifje-nderkombetaret-ama-nuk-mund-te-zevendesoje-gjykatat/

Lexo dhe: https://faktoje.al/ne-pritje-te-komisionit-te-venecias-ngrin-paketa-antishpifje/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img