BallinaPertejNë pritje të Komisionit të Venecias, “ngrin” Paketa Antishpifje

Në pritje të Komisionit të Venecias, “ngrin” Paketa Antishpifje

MARJO BRAKAJ

Dekreti për ndryshimet në paketën antishpifje nuk u votua sot në Kuvend, siç ishte parashikuar. Kryetari i grupit parlamentar të PS, i cili më herët kishte konfirmuar rrëzimin e këtij dekreti, sot ndryshoi qëndrim. Taulant Balla e argumentoi këtë ‘tërheqje’ me argumentin se do të pritet vendimi i Komisionit të Venecias, ndërsa kryeministri Rama, nismëtari i kësaj pakete nuk e përmendi në asnjë moment gjatë fjalës së tij në Kuvend këtë temë.

———————————————————————————————–

Komisioni i Venecias ka pranuar që ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar në sesionin e 21 marsit. Gjatë muajit shkurt përfaqësues të Komisionit të Venecias do të vinë në Tiranë për të dialogur me ne, me këdo. Votimi i dekretit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet, deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet, më 20-21 mars”.

Kjo ishte deklarata me të cilën kreu i grupit parlamentar të PS lajmëroi tërheqjen e maxhorancës nga rrëzimi i paralajmëruar i dekretit të presidentit Ilir Meta për kthimin e “Antishpifjes” në Kuvend për rishqyrtim.

Kujtojmë se dy projektligjet e qeverisë për kontrollin administrativ të medias online u miratuan mes protestës dhe kundërshtive të shoqatave të gazetarëve dhe shoqërisë civile në seancën e 18 dhjetorit 2019 dhe në 12 janar të këtij viti iu kthyen për rishqyrtim Kuvend nga presidenti Ilir Meta .

Ligji për mediat u kundërshtua edhe nga institucionet ndërkombëtare si BE, rrjetet ndërkombëtare të mbrojtejes së gazetarëve, Komisioni Europian, Federata Europiane e Gazetarëve, dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit. Ato  reaguan ashpër pas votimit në Kuvend të projekligjit “Anti-shpifje” duke e konsideruar si “censurim të lirisë së shprehej”. Megjithatë maxhoranca deri më sot kishte paralajmëruar se nuk do të tëhiqej nga kjo paketë madje ende pa u votuar në seancën e 18 dhjetorit, kryeministri Rama u shpreh se ligji do “të vihej” në punë pas Vitit të Ri duke marrë të mirëqenë se ai do të kthehej nga presidenti i Republikës.

Më herët gjatë kësaj të enjteje, para se të niste seanca plenare, reporteri për Shqipërinë në PPE David Lega në një postim në rrjetet sociale u shpreh i shqetësuar “mbi rrezikun që mbartin ligjet e reja për median në lidhje me çeljen e mundshme të negociatave me BE-në.

Në fakt Komisioni i Venecias pritet të shqyrtojë çështjen e “antishpifjes” në 21 mars, siç konfirmon edhe kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, ndërkohë që qëndrimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë është parashikuar  jo më vonë se në 6 muajt e parë të 2020-s.

Siç edhe njoftoi sot gjatë seancës në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Balla, Komisioni i Venecias do publikojë raportin më 20-21 mars. Pas opinionit të Komisionit të Venecias pritet të merret edhe vendimi përfundimtar mbi paketën “Anti-shpifje”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img