EDIT NIKOLLI
Nga data 25 dhjetor, kur hyri në fuqi vendimi i KQZ për ndalimin e disa aktiviteteve promovuese nga subjekte apo zyrtarë politikë, deri në 11 janar, janë denoncuar të paktën 20 shkelje. Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, vijon të promovojë banesat e rindërtuara, dhe ka sfiduar publikisht KQZ-në duke e etiketuar si ‘tryezë analistësh’. Kryetari Celibashi, i pyetur nga Faktoje, thotë se për subjektet në monitorim do t’i përmbahet ligjit.
Më 7 janar të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, sfidoi hapur institucionin e KQZ, i cili në 24 dhjetor shpalli vendimin, që ndalon aktivitet promovuese të disa subjekteve dhe zyrtarëve, 4 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Një ndër aktivitetet e ndaluara është promovimi i objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtmi, për shkak të fatkeqësive natyrore.
“Është shumë e rëndësishme që të kalojmë nga një KQZ që bën analistin, në një institucion serioz, që nuk bën analiza që kalojnë mbi ligjin. Ka ligj që kërkon t’i bëjmë këto punë”- tha Veliaj, teksa dorëzonte çelësat e një banese të rindërtuar në Farkë, duke shkelur në mënyrë të përsëritur urdhërin e KQZ. Aktiviteti u promovua, përveçse nga institucini i bashkisë edhe në rrjetet sociale në 7 janar.
Screenshot nga postimi në Facebook i Erion Veliaj, 7 janar 2021
Nga verifikimi i Fakoje, Veliaj kishte shkelur këtë vendim edhe në 29 dhjetor, në një aktivitet të ngjashëm.
Faktoje, në 11 janar pyeti kryetarin e Komisionit Rregullator në KQZ, Ilirjan Celibashi për qëndrimin ndaj deklaratës së kryebashkiakut, i cili sfidonte hapur vendimmarrjen e institucionit zgjedhor.
“KQZ nuk mban qëndrime mediatike ndaj subjekteve që i ka nën monitorim, sipas Kodit Zgjedhor dhe vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të KQZ-së. Çdo vendimmarrje në lidhje me subjektet e monitoruara do të zbatohet në përputhje me Kodin Zgjedhor, Kodin e Procedurave Administrative dhe akteve nën ligjore fuqi. ”- i tha zoti Celibashi Faktojes.
“Sa i përket rishikimit të akteve të KQZ-së, dispozitat e nenit 20 dhe 123/1 i Kodit Zgjedhor, kanë përcaktuar të drejtën e subjekteve apo palëve të treta, për të vënë në lëvizje KQZ-në për interesat e tyre të ligjshme dhe që janë komptencë e KQZ-së.” -u shpreh Celibashi, kur e pyetëm nëse do të ketë një rishikim të këtij vendimi të kontestuar nga Veliaj.
Megjithatë ai shmangu përmendjen e zotit Veliaj apo institucionit të bashkisë Tiranë , edhe kur u pyet se sa aktivitete kanë qenë në shkelje të vendimit të KQZ datë 24 dhjetor dhe cilët ishin subjektet shkelëse.
“Nga data 25 dhjetor janë kallëzuar 20 aktivitete. Subjektet që kanë kallëzuar janë: 1 individ dhe 2 persona juridikë. Të gjitha kallëzimet janë në proces shqyrtimi”.
Faktoje pyeti edhe zotin Veliaj, nëse do ndërmarrë ndonjë hap ligjor për të vënë në lëvizje KQZ vendimin e kontestuar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm një përgjigje.
Screenshot i mesazhit derguar Kryebashkiakut Erion Veliaj
Menjëherë pasi Faktoje u interesua për rastin, KQZ publikoi një reagim në faqen zyrtare lidhur me monitorimin e zbatueshmërisë së vendimit të 24 dhjetorit.
Screenshot i mesazhit derguar kryetarin të KQZ Ilirjan Celibashi
Faktoje kërkoi opinionin e konstitucionalistit dhe ish kryetarit të KQZ, Kristaq Kume lidhur me këtë çështje.
“Ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, nëpërmjet neneve 91/92, trajtojnë problemet që kanë të bëjnë me: keqpërdorimin e aseteve publike dhe mundësive që të jep pushteti qendror apo vendor, për të përdorur këto në funksion të garës elektorale. Kërkesat e këtyre dispozitave dhe mënyra sesi ato janë shtjelluar pas kësaj në udhëzimin përkatës të KQZ, e kanë përjashtuar mundësinë për të keqpërdorur asetet publike ose pushtetin në funksion të zgjedhjeve, siç është dhe rasti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, që justifikon veprimin e tij me faktin se është duke bërë detyren. KQZ, në udhëzimin që ka miratuar i ka përcaktuar qartë kufijtë, të cilët në rast se kapërcehen përbëjnë shkelje të Kodit Zgjedhor dhe ka përcaktuar qartë rrugën që duhet ndjekur institucionet të cilët domosdo edhe gjatë kësaj periudhe 4 mujore do të zhvillojnë veprimtari dhe aktivitete të ndryshme. KQZ është ai që në fund të fundit do të japë gjykimin për çfarë është denoncuar”-tha për Faktoje, zoti Kume.
Duke iu rikthyer urdhërit në fjalë, kryebashkiaku Veliaj, shënoi shkeljen e radhës këtë të martë, datë 12 janar, me një tjetër promovim në Baldushk, ku së bashku me deputetin e PS, Xhemal Qefalia, përcollën mesazhe për zgjedhjet e 25 prillit.
Foto e Erion Veliaj i cili përuron shtëpitë e rindërtuara në Baldushk 12 janar 2021