Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj në 18 prill të këtij viti u zotua se Kopshti Zoologjik do të jetë gati për fëmijët në 1 Qershor. Gjatë verifikimit në terren Faktoje konstatoi se kopshti është ende një kantier ndërtimi. Vetë institucioni i bashkisë, në një përgjgjje zyrtare pohon se punimet përfundojnë më 18 qershor, megjithatë kur ka përfunduar pak më shumë se gjysma e tyre, edhe kjo datë duket për t’u realizuar.
“Tani që po afron ky 1 qershor, do të jetë një surprizë fantastike për fëmijet kopshti Zoologjik.” – deklaroi kryebashkiaku Veliaj në 18 qershor, ndërsa inspektonte punimet për projektin.
Faktoje, e cila edhe më herët kishte vëzhguar ecurinë e punimeve në këtë kantier, bëri një verifikim të dytë pikërisht më 1 qershor.
Aty takuam inxhinierin që ndiqte punimet, i cili na ndaloi të qëndronim brenda territorit me këtë argument:
“Po punohet në kantier dhe nuk lejohet hyrja pa autorizim nga Bashkia Tiranë”.
Ne arritëm të shkrepim disa foto brenda kantierit të Kopshtit Zoologjik.
Punimet në Kopshtin Zoologjik 1 qershor 2021
Punimet në Kopshtin Zoologjik, 1 qershor 2021
Punimet në Kopshtin Zoologjik, 1 qershor 2021
Më herët Faktoje i kishte dërguar një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë ku interesohej se në çfarë faze ishin punimet për rindërtimin e Kopshtit Zoologjik.
Kërkese për Informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, 6 prill 2021
Pas kalimit të afateve që parashikon ligji, Faktoje e ankimoi mosdhënien e informacionit nga Bashkia Tiranë në Zyrën e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit. Pas kësaj procedure Bashkia na ktheu këtë përgjigje:
“Punimet për rikonceptimin e Koopshtit Zoologjik janë realizuar në masën 60 për qind. Këto punime, sipas afatit kontraktual të tyre përfundojnë në datën 18.06.2021. Vlera e plotë e kontratës së sipërmarrjes është 739 908 795. 98 lekë me TVSH.”
Përgjigje e Bashkisë Tiranë, 7 maj 2021
Edhe pse përgjigjja zyrtare e Bashkisë jep një afat prej rreth 3 javësh nga ai që kishte dhënë kryetari Veliaj, faza ku ndodheshin punimet dukej ende larg përfundimit brenda kësaj kohe.
Punimet në Kopshtin Zoologjik, 1 qershor 2021
Punimet në Kopshtin Zoologjik, 1 qershor 2021
Që prej vitit 2015 Rijetëzimi i Kopshtit Zoologjik është premtuar disa herë nga kryebashkiaku Veliaj.
Kopshti Zoologjik, është i vetmi park publik i këtij lloji në Shqipëri. Punimet për transformimin e tij nisën në gusht 2020, për t’iu përshtatur sa më mirë kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty.
Nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni zyrtar që morëm, vendosëm që premtimin e kryebashkiakut Veliaj, se Kopshti i rindërtuar Zoologjik do të ishte gati më 1 qershor, ta kategorizojmë të pambajtur.