Postimet në rrjetet sociale i kanë dhënë zë së fundmi një pretendimi të gabuar të bërë nga analisti i sigurimeve, Josh Stirling në lidhje me vdekjet nga injektimi i vaksinave të Covid-19. Faktoje sjell një sërë argumentesh që tregojnë se ky publikim nuk ka asnjë bazë shkencore.
Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale pretendon se 600 mijë amerikanë po vdesin në vit si pasojë e injektimit të vaksinave të Covid-19, duke ia atribuar këtë analizë ekzekutivit të sigurimeve, Josh Stirling.
“Vdekjet nga injeksioni i vaksinave: Studiuesi kryesor i sigurimeve ofron të dhëna që tregojnë shifra marramendëse. Duke përdorur të dhëna nga MB, një analist kryesor i industrisë së sigurimeve vlerëson se 600,000 amerikanë në vit po vdesin nga injeksionet Covid”, shkruan në 5 qershor profili i Facebook “Investiguesi Shkrimor”.
Screenshot nga faqja e Facebook “Investiguesi Shkrimor”
Por, si qëndron e vërteta në lidhje me këtë teori të ngritur mbi efektin e vaksinave të Covid-19? “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të këtij publikimi, i cili prek një çështje të ndjeshme dhe me interes për qytetarët.
Gjatë një kërkimi rezulton se në fakt postimi përmbledh komentet e Stirling gjatë një tryeze të rrumbullakët të dhjetorit të 2022. Në këtë takim, Stirling analizon disa të dhëna të qeverisë britanike, që ai i kishte përpunuar së bashku me përfaqësues të tjerë të sigurimeve, për të treguar një rritje të shkallës së vdekshmërisë në Mbretërinë e Bashkuar të njerëzve që ishin vaksinuar kundër Covid-19.
“Nëse do t’i merrnit këto shifra dhe do t’i zbatonit në Shtetet e Bashkuara, kjo përfundon të jetë rreth 600,000 vdekje më shumë në vit në Shtetet e Bashkuara, një vdekshmëri më e lartë e shkaktuar nga vaksinat,” përfundon ai.
Por analiza mbi të cilën Stirling bazon këtë vlerësim keqinterpreton të dhënat e publikuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar. Të dhënat tregojnë vdekjet në Angli të ndara sipas statusit të vaksinimit ndaj Covid-19 dhe moshës së çdo personi. Sidoqoftë, të dhënat nuk pretendojnë se vaksina e COVID-19 shkaktoi vdekjen e tyre, thjesht tregon nëse ata ishin ose jo të vaksinuar.
Ka shumë arsye të tjera pse gjetjet e Stirling janë të gabuara, thanë ekspertët për Associated Press.
Sarah Caul, drejtuese e analizës së vdekshmërisë në ONS (Zyra e Institutit Kombëtar në Britani), shpjegoi se teksa analizohet shkalla e vdekshmërisë bazuar në statusin e vaksinimit, ka më shumë variabla në lojë që mund të ndikojnë në humbjen e jetës.
“Kur shumica e popullsisë është e vaksinuar, shumica e vdekjeve janë te personat e vaksinuar. Për fat të keq, njerëzit vdesin gjatë gjithë kohës, për të gjitha shkaqet, pavarësisht nga statusi i vaksinimit”, sqaron ekspertja Caul.
Spencer Fox, asistent profesor i epidemiologjisë dhe biostatistikës në Universitetin e Georgia në SHBA, bëri një vlerësim të ngjashëm me atë të Caul. Ai shpjegoi, për shembull, se njerëzit që ishin vaksinuar kundër COVID-19 ishin përgjithësisht më të moshuar dhe më pak të shëndetshëm se ata që nuk ishin vaksinuar.
Fox shtoi gjithashtu se: “600,000 vdekje është një e dhënë e interpretuar gabimisht në krahasimin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së. Nuk ka asnjë mënyrë që 600,000 vdekje të shkaktuara nga vaksina të mos zbulohen dhe të mos raportohen në vend”.
CDC ka konfirmuar vetëm nëntë vdekje të shkaktuara nga vaksinat COVID-19. Këto raste u shoqëruan për shkak të mpiksjes së gjakut të shkaktuar nga injektimi i Johnson & Johnson. Si rezultat, ajo vaksinë nuk është rekomanduar kryesisht nga zyrtarët e çështjeve të shëndetit. Pasoja të tjera nga vaksinat janë të rralla.
Artikulli është verifikuar edhe nga kolegët e verifikimi të fakteve, të cilët kanë provuar se ky pretendim është i rremë.