.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVdekjet e gazetarëve në Katar nuk kanë lidhje me vaksinën anti-Covid

Vdekjet e gazetarëve në Katar nuk kanë lidhje me vaksinën anti-Covid

Konspiracionistët anti-vaksinë vazhdojnë të etiketojnë çdo vdekje që vjen në syrin publik si të shkaktuar nga vaksinat. Viktimat më të fundit të kësaj retorike kanë qenë tre gazetarë që kanë vdekur në Katar gjatë Kampionatit Botëror 2022. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se shkaqet e vdekjeve të dy prej tyre nuk janë bërë ende publike, ndërsa vdekja e të tretit është konfirmuar se ka qenë pasojë e një sëmundje që nuk ka lidhje me vaksinimin.

———————————-

Faqja anti-vaksinim në Facebook, Aleanca Për Mbrojtjen e Jetës ka shpërndarë një artikull që informon se tre gazetarë kanë vdekur gjatë Kupës së Botës në Katar. Ky postim është shoqëruar me diçiturën “Vraksinohuni vraksinohuni se kshu thotë edhe Sorosi mos dëgjoni teoritë konspirative…” duke insinuar se vdekja e tyre është shkaktuar nga vaksinimi.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë një postim të Aleancës Për Mbrojtjen e Jetës që pretendonte se vdekjet e dy artistëve të rinj me probleme të mëparshme shëndetësore ishin shkaktuar nga vaksinimi.

Si atëherë, edhe në postimin e fundit, faqja nuk jep asnjë provë se vdekja e këtyre gazetarëve është si pasojë e vaksinimit.

Gazetarët që humbën jetën në Katar ishin Khalid al-Misslam, Roger Pearce dhe Grant Wahl.

Roger Pearce vdiq më 21 nëntor 2022. Ai ishte 65 vjeç. Vdekja e Khalid al-Misslam u raportua nga Gulf Times Qatar më 10 dhjetor 2022. Ai ishte 44 vjeç. Shkaqet e vdekjeve të tyre nuk janë bërë ende publike. Megjithatë, kjo nuk është provë e mjaftueshme për të pretenduar se vdekja e tyre është si pasojë e vaksinimit, siç nuk është provë e mjaftueshme për të pretenduar se ata janë eleminuar nga qeveria vendase, sipas një teorie tjetër konspirative.

Ndërkohë, gazetari tjetër, Grant Wahl vdiq më 10 dhjetor 2022. Ai ishte 48 vjeç. Vetë bashkëshortja e tij deklaroi më 14 dhjetor se, pas autopsisë së tij, u zbulua se ai vdiq si pasojë e plasjes së një aneurizmi aortik të pazbuluar. Në një postim në faqen e Grant Wahl, gruas së tij iu desh të konfirmonte, si pasojë e qarkullimit të teorive konspirative, se “vdekja e tij nuk kishte lidhje me Covid. Vdekja e tij nuk kishte lidhje me statusin e vaksinimit.” Ekspertët konfirmuan për kolegët e Associated Press se nuk ka të dhëna që tregojnë se kjo sëmundje lidhet me vaksinën anti-Covid.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img