.

.

BallinaFaktometerPa kategoriVdekjet e fëmijëve nuk u rritën pas vaksinimit ndaj Covid

Vdekjet e fëmijëve nuk u rritën pas vaksinimit ndaj Covid

Një foto e shpërndarë në internet deklaron se 23 mijë fëmijë kanë vdekur në të gjithë Evropën që kur EMA miratoi për herë të parë vaksinën Covid-19 për fëmijët. Duke i lidhur këto dy fakte të pavarura aludohet se vaksina anti-Covid është shkaktare për numrin e lartë të këtyre vdekjeve. “Faktoje” ka rishikuar shifrat për të përgënjeshtruar këtë pretendim.

Patris Pustina

Një foto e publikuar fillimisht nga portali konspiracionist Exposé ka gjetur popullaritet edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, madje dikush duke kwrkuar edhe “dwnimin e merituar pwr ata qw detyruan vaksinimin”. 

“Mbi 23 mijë fëmijë kanë vdekur në të gjithë Evropën që kur EMA (Agjensia Evropiane e Medikamenteve) aprovoi për herë të parë vaksinën Covid-19 për fëmijët sipas të dhënave zyrtare.“

Në një verifikim të mëtejshëm të fakteve të publikuara, “Faktoje” zbuloi se grafikët, të cilëve iu referohet kjo foto vijnë nga projekti EuroMOMO, një projekt që monitoron vdekshmërinë në Bashkimin Evropian. 

Duke përdorur këto të dhëna, Exposé ka llogaritur numrin e fataliteteve të fëmijëve të raportuara në 69 javët e fundit, në periudhën 31 maj 2021 – 19 shtator 2022. Exposé ka përdorur si fillim të përllogaritjes, majin e vitit të kaluar, pasi në 28 maj 2021 u aprovua përdorimi i vaksinës për fëmijët nga 12 deri në 15 vjeç. 

Dy probleme që “Faktoje” ka përshkruar dhe më parë vihen re në këtë analizë.

Problemi i parë është përzgjedhja e të dhënave, dhe nxjerrja e tyre jashtë kontekstit. “Faktoje” përdori po të dhënat e EuroMOMO për të ndërtuar këtë grafik: 

Siç vihet re, nëse krahasojmë numrin e vdekjeve për të njejtën periudhë kohore ndër vite, rezulton se ajo ka qenë pak a shumë konstante. Madje, përpara pandemisë dhe vaksinës anti-Covid, raportohen numra pak më të lartë vdekjesh se në dy vitet e fundit.

Kështu, 23 mijë vdekje, megjithëse të trishta, duket se nuk janë anomali, aq më pak anomali e lidhur me vaksinën anti-Covid.

Për më tepër, pretendimi bie pre e defektit logjik që haset më shpesh në teoritë anti-vaksinim, besimi se vetëm sepse një fenomen pasohet nga një fenomen tjetër, kjo do të thotë se i pari e ka shkaktuar të dytin. 

EuroMOMO paralajmëron shprehimisht kundër këtyre interpretimeve: “Duke qenë se EuroMOMO mbledh të dhëna mbi vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet, por asnjë informacion mbi shkaqet specifike të vdekjeve, shifrat e përllogaritura nuk lejojnë për përfundime specifike mbi shkaqet themelore të ndryshimit të niveleve të vdekshmërisë.”

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img