.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorVdekja e anëtarit të MEK po hetohet nga Prokuroria e Durrësit

Vdekja e anëtarit të MEK po hetohet nga Prokuroria e Durrësit

Në 20 qershor në kampin e MEK, në Manzë, u ndez një revoltë pasi Policia ushtroi kontroll me urdhër të SPAK. Po atë ditë, anëtarët e MEK shfaqeshin duke mbajtur foton e njërit prej banorëve të kampit, që sipas tyre kishte vdekur nga dhuna e policisë. Ministri i Brendshëm (në atë periudhë) Bledi Çuçi e hodhi poshtë menjëherë pas ngjarjes versionin e dhunës si shkak, por u deshën disa javë të sarohej opinion publik. SPAK i konfirmoi Faktojes se çështja i kaloi për hetim, prokurorisë Durrës. Këtu mësohet se është depozituar edhe raporti mjeko-ligjor pas autopsisë në trupin e të ndjerit, që konfirmon si shkak të vdekjes së Ali Mostasharit infarktin në zemër.

ILDA HOXHA


Pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në kampin e muxhahedinëve në Manzë dhe akuzave nga anëtarët e MEK se autoritetet shqiptare shkaktuan një viktimë, ministri i Brendshëm asokohe, Bledi Çuçi deklaroi se vdekja e tij nuk kishte ardhur si pasojë e veprimeve të policisë.

“Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë”-deklaroi ish-ministri Çuçi më 20 qershor.

Por ngjarja u shoqërua me një lumë raportimesh të nxitura edhe nga persona brenda kampit që telefonin gazetarët dhe redaksi të ndryshme, përfshirë edhe Faktoje, duke i mëshuar fort variantit se anëtari i komunitetit të tyre Ali Mostashari kishte vdekur nga dhuna e policisë.

Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit, më 4 korrik, pasi deri në atë moment ende nuk ishte publikuar ndonjë detaj për rezultet e autopsisë së të ndjerit.

Kërkesa për informacion dërguar Policisë së Shtetit, 4 korrik 2023

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, që mban datën 25 korrik, policia jep këtë sqarim në lidhje me vdekjen e anëtarit të MEK:

“Shtetasi që humbi jetën gjatë kontrollit nga Policia, në kamp, u dërgua në morgun e spitalit, për të kryer ekspertizë mjeko-ligjore. Nga veprimet e para dyshohet se ky shtetas humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, pasi nuk ka qenë i përfshirë në revoltën e banorëve të tjerë të kampit ndaj Policisë. Ka një ekspertizë mjeko-ligjore dhe për ta marrë atë, duhet të drejtoheni te SPAK-u”-sqaron Policia e Shtetit.

Më tej, Policia e Shtetit sqaron se nuk ka ushtruar dhunë ndaj banorëve:

“Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nga Policia e Shtetit nuk është ushtruar dhunë ndaj muxhahedinëve, gjatë kontrolleve të ushtruara në mjediset e kampit “Ashraf 3”, në zbatim të vendimit të GJKKO-së. Përkundrazi, ndaj Policisë është ushtruar presion dhe dhunë nga banorët e kampit”, i komunikoi ky institucion Faktojes.

Ndërkohë për dokumentin e ekspertizës mjeko-ligjore për shtetasin iranian që humbi jetën në kamp, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion SPAK-ut, (pas adresimit nga Policia e Shtetit) i cili dha këtë përgjigje:

“Lidhur me kërkesën tuaj, mund t’i drejtoheni Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila po ndjek rastin”.  

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe jemi në pritje të përgjigjes zyrtare.

Ndërkohë në një edicion informativ të Televizionit Klan ku citohet dokumenti i mjekësisë ligjore, që disponohet nga ky televizion sipas gaztetarit, zbardhen shkaqet e vdekjes së Mostasharit.

Screenshot nga rapaortimi i TV Klan, korrik 2023

Në lidhje me ngjarjen në kampin ‘Ashraf 3’ në Manzë, më 20 qershor, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço vlerëson:  

“Ata (muxhhedinët) kanë bërë një dezinformim. Më 20 qershor, kanë marrë në telefon të gjithë kontaktet që kanë pasur, përfshirë dhe mua dhe thonin që policia po gjuan me armë, po gjuan me shkopinj gome, janë disa të vdekur, me qindra të plagosur. Kjo ka vendosur të gjithë median, të gjithë opinionin publik në një panik të madh se çfarë po ndodh në Manzë.“

“Ndërkohë që e gjitha kjo ishte një dezinformacionin, në kohë rekord, për një orë e gjysmë, personi, i cili tashmë është viktimë, i kanë printuar fotografinë dhe të gjithë demostruesit kanë dalë me fotografinë e tij: ‘na e vratë, na e vratë’.

Pra, mendoni sa të organizuar janë. E shkuara e tyre është një organizim paramilitar, që mund të bëjnë edhe nga këto veprime. Janë shumë të organizuar, dinë çdo detyrë se çfarë duhet të bëjnë në këto raste”, argumenton Karamuço.

Në një artikull të publikuar në fund të muajit qershor, Faktoje raportoi se si situata për ngjarjet e ndodhura në kampin e MEK u “ndez” mediatikisht, me tituj dhe përmbajtje që raportonin për një të vrarë, dhjetëra të plagosur dhe një fushë lufte, duke futur në panik opinionin publik, informacione që rezultuan të rreme.

Pas kësaj ngjarjeje autoritetet bënë të ditur se kishte nisur hetimi penal për 6 shtetas iranianë, rezidentë në vendqëndrimin e organizatës MEK, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img