Besarta Basha
Ezaurimi i kapaciteteve në spitalet Covid në Tiranë, detyroi ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu që në mesin e shkurtit 2021 të njoftonte hapjen e pavioneve Covid në spitalet rajonale. Nga një verifikim për Faktoje, rezultoi se spitalet rajonale funksionuan vetëm 3 muaj. Me shumefishimin e numrit të të prekurve nga Covid, rrezikon një përsëritje e situatës së nëntorit 2020 ku pacientët u dyndën në spitalin Infektiv. Eksperti i epidemiologjisë Ilir Alimehmeti sugjeroi që në muajin dhjetor, si të domodoshme ‘rifutjen në forcë’ të spitaleve rajonale.
—————-
“Fakti që 90% e kapaciteteve në 4 spitalet COVID në Tiranë tashmë janë ezauruar, na ka bërë që të kalojmë në skenarin e parë për hapjen e spitaleve rajonale, ku fillojmë sot me hapjen e Spitalit Rajonal të Durrësit, me pavion të dedikuar dhe gjithashtu në Spitalin Rajonal të Shkodrës e më pas do të vijojmë me Spitalin Rajonal të Korçës, Vlorës, Elbasanit.”- deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një inspektimi në spitalin rajonal të Durrësit më 15 shkurt.
Gjatë nëntorit 2021, ne vendosëm të verifikojmw për Faktoje, nëse spitalet rajonale i kishin në funksion pavionet e dedikuara Covid, duke iu drejtuar me kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë ktheu përgjigje një muaj më vonë, pas ankimimit te Komisioneri Për Të Drejtën e Informimit.
“Pacientët që kanë nevojë për shërbim spitalor trajtohen pranë spitaleve Covid të përcaktuara në Tiranë dhe këto spitale të përcaktuara përballojnë nevojat dhe kanë kapacitete të mjaftueshme për ofrimin e këtij shërbimi, si dhe kapacitete për të përballuar çdo skenar.
Skenarët i gjeni të publikuar në strategjinë e vitit 2021-2023 të publikuar në web linkun e faqes zyrtare MSHMS.
Në këto momente, për rastet e paraqitura si të dyshuara për Covid-19, ato (spitalet rajonale) kryejnë procedurat sipas protokolleve në vlerësimin e pacientëve dhe për ato raste që gjykohet i nevojshëm trajtimi spitalor, dërgohen pranë spitaleve Covid në Tiranë. Për rastet që gjykohet jo i nevojshëm trajtimi spitalor, këto struktura shëndetësore i rekomandojnë pacientëve ndjekje ambulatore nga mjeku i familjes”-sqaroi MSH për Faktoje.
Përgjigja e MSH për Faktoje, 22 dhjetor 2021
Ne klikuam në seksionin Plani i Përgjigjes 2021-2023, në faqen zyrtare të MSH, i cili na të dërgoi tek njoftimet ditore ku nuk ka ansjë informacion për strategjinë.
Një kërkesë për informacion iu drejtua në emër të Faktoje më 22 nëntor të 2021 edhe 5 spitaleve rajonale në vend, atij të Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Vlorës, Korçës, ku pyetëm në cilën periudhë kanë funksionuar pavionet Covid dhe si po veprohet aktualisht me pacientët e infektuar me koronavirus.
Kërkesa për informacion dërguar 5 spitaleve rajonale, 22 nëntor 2021
Deri në publikimin e këtij artikulli, kemi marrë përgjigje vetëm nga spitali rajonal i Elbasanit, ku ndër të tjera sqarohet se pavioni Covid në këtë spital ka qenë funksional nga 24.02.2021 deri më 20.05.2021.
Në përgjigjen zyrtare sqarohet se aktualisht në shërbimin infektiv të këtij spitali nuk ka një pavion Covid.
Në muajin dhjetor, Faktoje bëri një verifikim në Spitalin e Durrësit, një ndër spitalet rajonale më të mëdha në vend, për të parë nga afër si po veprohet me pacientët e infektuar me koronavirus. Nga komunikimi që patëm me stafin mjekësor mësuam se në shërbimin e urgjencës të këtij spitali ofrohet vetëm ndihma e parë për pacientët e prekur nga Covid-19 me koronavirus dhe më pas, nëse gjendja e tyre është e rënduar, dërgohen drejt Tiranës.
Urgjenca e Spitalit Rajonal Durrës, dhjetor 2021
“Rastet për shtrim me Covid i çojmë në Tiranë. Ne normalisht japim ndihmën e parë. Pra i bëjmë ekzaminimet, shohim në çfarë gjendje është, i bëjmë tamponin, i bëjmë matjen e oksigjenit. Bëhet terapia, bëhen konsultat, pastaj dërgohen ose jo drejt Tiranës e vendos doktori, varet nga gjendja e pacientit”- thanë mjekët e urgjencës për Faktoje.
Spitali Rajonal Durrës, dhjetor 2021
Mungesën e një pavijoni Covid në Durrës, të paktën deri në fund të vitit 2021 e konfirmuan edhe mjekët e shërbimit infektiv të cilët shpjegojnë:
“Pavioni Covid ishte nga shkurti deri në maj 2021. Të sëmurët me Covid nuk shtrohen më këtu, dërgohen në Tiranë. I sëmuri fillimisht duhet të bëjë lidhjen me urgjencën, më pas urgjenca bën procedurat e tjera të nevojshme. Nuk shtrohet në Durrës asnjë pacient me Covid, nuk kemi në shërbimin infektiv të shtruar me Covid”.
Pacientët e dyshuar si të infektuar me Covid apo variantet e reja të tij, kanë si kontakt të parë spitalin e qytetit ku banojnë. Koha e qëndrimit aty varet nga përgjigja e tamponit PCR që kërkon disa orë të dalë, ose të testit të shpejtë.
Shërbimi infektiv, spitali Rajonal Durrës, dhjetor 2021
Në këto kushte, e gjithë barra për trajtimin e pacientëve me Covid bie mbi spitalin Infektiv në Tiranë. Por, sa i përballon ky shërbim të gjitha rastet që vijnë nga qytete të ndryshme të vendit?
Në muajin dhjetor 2021 ne i dërguam një kërkesë për informacion spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili shërbeu si spital Covid 2 nga 29 marsi 2020 deri në 2 qershor të vitit 2021. Aktualisht mësohet se ai funksionon vetëm si shërbim për pacientët post-covid.
“Kapaciteti maksimal i pranimit të pacientëve për SUSHN është 193 pacient-shtretër. Aktualisht kemi një pavion me 70 shtretër për hopsitalizimin vetëm të pacientëve POST-COVID. 123 shtretërit e tjerë janë në funksion të pacientëve me diagnoza të tjera bazuar në shërbimet e ofruara. Të gjithë shtretërit mund të kthehen për pacientët COVID nëse jepet një urdhër. Çdo gjë është gati, bazuar në infrastrukturë, burime njerëzore, antibiotik, oksigjeno-terapi, kujdes Intensiv (reanimacion), pajisje respiratore dhe çdo aparaturë mbështetëse për të gjitha llojet e ekzaminimeve”- bën të ditur spitali “Shefqet Ndroqi”.
Përgjigjja nga spitali “Shefqet Ndroqi”
Ne biseduam me epidemiologun klinik, doktor Ilir Alimehmeti, i cili që në ditët e fundit të dhjetorit theksoi për Faktoje, domosdoshërinë e pavionëve Covid në spitalet rajonale.
“Sot (27 dhjetor) në spitalin Infektiv po marrin trajtim 121 pacientë, nga të cilët vetëm 34 (28%) janë nga Tirana, si rrjedhojë patjetër që disa prej spitaleve rajonale mund të ishin përfshirë në trajtimin e pacientëve Covid.”
Zoti Alimehmeti sjell si shembull dy raste nga Italia, për mënyrën se si u vendos të menaxhohej situata me shtrimet e pacientëve të infektuar me Covid.
“Që në mars të vitit 2020, Italia tregoi qartë se rruga që duhej ndjekur ishte ajo e kthimit të spitaleve rajonale në spitale Covid dhe mbajtja e qendrave të mëdha spitalore pa të shtruar Covid.
Kjo strategji mbështetet në faktin që pacientët duhen trajtuar sa më pranë vendbanimit të tyre, duke marrë parasysh ndër të tjera edhe vështirësitë e mëdha të transportit të të sëmurëve për shkak të nevojës tejet të lartë për oksigjen gjatë rrugës, por edhe sepse qendrat e mëdha spitalore duhet të vazhdojnë punën me sëmundjet e tjera, të cilat nuk janë zhdukur dhe kanë nevojë për të njëjtin nivel përkujdesjeje, në mos më shumë.
Shembull klasik është rajoni i Lombardisë kundrejt rajonit të Venetos. Lombardia zgjodhi të kthente qendrat spitalore në spitale Covid, ndërsa Veneto bëri të kundërtën, mbajti ‘të pastra’ qendrat e mëdha spitalore dhe ktheu spitalet rajonale në spitale Covid. Rezultatet u bënë të qarta në sytë e të gjitha mediave, me Lombardinë që kthye në vatrën kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Itali, ndërkohë që Veneto (krahinë fqinje me Lombardinë) pësoi një goditje pothuajse pesë herë më të ulët”- theksoi Alimehmeti.
A ka qenë një lëvizje e mirëmenduar nga ana e Ministrisë hapja e spitaleve rajonale vetëm disa muaj gjatë viti 2021? Eksperti Alimehmeti sqaron:
“Në fakt, duhet të marrim parasysh që kjo sëmundje do të vazhdojë të jetë mes nesh edhe për disa kohë dhe çdo spital duhet të ketë mundësinë dhe ekspertizën teknike dhe profesionale për të trajtuar pacientë me Covid në çdo kohë, pasi transporti drejt Tiranës herët a vonë do të ndalet dhe do të jetë ekspertiza e mjekëve rajonalë ajo që do të ndihmojë në mbajtjen e situatës në këmbë. Gjithashtu, ka rëndësi fakti që një sëmundje e tillë nuk përballohet dot vetëm prej shërbimeve të specializuara, por përmes bashkëpunimit të ngushtë, fleksibël dhe konsistent ndërmjet shërbimit mjekësor parësor, dytësor dhe tretësor. Ky bashkëpunim në fakt minohet kur pacienti spitalor trajtohet vetëm në Tiranë, duke mos ofruar dot ‘feedback’ ndaj mjekëvë të shërbimit shëndetësor parësor, duke kapërcyer mjekët e sistemit shëndetësor dytësor e si rrjedhojë, duke ngadalësuar optimizimin e protokolleve të mjekimit në nivel parësor dhe dytësor”.
Në javën e parë të janarit 2022, pas grumbullimeve intensive gjatë festave të fundvitit, numri zyrtar i të prekurve me Covid apo variantet Delta dhe Omicron, u shumëfishua.
Në 8 janar 2022 Ministria e Shëndetësisë njoftoi 1801 raste të zbuluara në 24 orë. Në hartën e shpërndarjes së sëmundshmërisë, që kryesohet nga Tirana me numrin më të lartë të të prekurve, bien në sy Fieri, Durrësi, Elbasani, Shkodra e Vlora që mbajnë 1/3 e totalit të infektimeve në të gjithë vendin.
Screenshot i raportimit ditor për situatën Covid nga M.Shëndeësisë, 8 janar 2022
Me rritjen e numrit të infektimeve, edhe hospitalizimet kanë njohur rritje. Në buletinin e datës 9 janar, MSH numëron 123 të shtruar, ndërkohë që spitali Infektiv ka 120 shtretër .
Screenshot i përditësimit grafik të situatës Covid nga M. Shëndetësië
Sakaq, nuk ka asnjë prononcim zyrtar se si do të procedohet më tej, nëse do të angazhohen ose jo struktura të tjera si “Shefqet Ndroqi” apo spitalet rajonale në rast se shtrimet do të vijojnë të rriten dhe ndërkohë që sipas shifrave zyrtare, kapacitetet e infektivit rezultojnë të ezauruara.