.

.

BallinaFaktometerPa kategori"Vaksinuam 80 000 veta për gripin"...po të tjerët?

“Vaksinuam 80 000 veta për gripin”…po të tjerët?

INVA HASANALIAJ

Situata e krijuar nga gripi sezonal, pa lënë mënjanë frikën që ka shkaktuar përhapja e koronavirusit nga Kina, e nxiti “Faktoje” të kërkojë si po shkon procesi i vaksinimit. Ministrja Manastirliu deklaroi se janë vaksinuar 80 mijë qytetarë, por që prej muajit dhjetor të 2019 ISHP nuk ka më vaksina në dispozicion, ndërsa kërkesat për këtë vaksinë kanë shënuar rritje.

………………………………………………………………………………………………………………………

Në komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në Kuvend, gjatë diskutimit për masat e marra nga strukturat e shëndetësisë për përballimin e situatës së gripit dhe koronavirusit Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë vaksinuar në kohë 80,000 qytetarë.

Lidhur me këtë situatë “Faktoje” ka bërë kërkime gjatë 3 javëve të fundit.  Ne kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) informacion për masat që janë marrë për përballimin e fluksit të qytetarëve të cilët duan të vaksionohen. Gjithashtu pamë nga afër situatën në terren, në disa qytete të vendit sa për procesin e vaksinimit.  

Numri i flakonëve të vaksinave të gripit për vitin 2017- 2018- 2019 që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë

Sipas ISHP në datat 6 dhe 12 Nëntor 2019 në këtë institucion mbërritën përkatësisht 60 000 dhe 20 000 doza, pra në total 80 mijë doza vaksinash, aq sa deklaroi Ministrja Manastirliu. Në vazhdim, NJVKSH-të(Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor)  kanë kryer shpërndarjen dhe trajnimet përkatëse në QSH dhe spitale.

Janë disa kategori të caktuara të cilat përfitojnë vaksinën falas si :

-personeli shëndetësor,

-femijët në moshën 2 deri 5 vjeç,

-gratë shtatzëna,

-persona me sëmundje kronike si diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, sëmundje

kronike të zemrës, veshkave, mëlcisë etj. si dhe persona obezë apo me imunodeficiencë të të gjitha moshave,

-persona mbi 65 vjec

Për të kuptuar ecurinë e këtij procesi ne kërkuam nga Ministria e Shëndetësisë numrin e vaksinave dhe të vaksinuarve në 3 vitet e fundit.

Numri i flakonëve të vaksinave të gripit për vitin 2017- 2018- 2019 që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë

2017- 0 doza (*vaksinat gjatë këtij viti janë dhuruar)

2018- 50 000 doza

2019- 80 000 doza

Numri i popullatës së vaksinuar gjatë viteve 2017-2018-2019 

Sezoni 2017- 2018 – 98 721 të vaksinuar

Sezoni 2018-2019 – 99 500 të vaksinuar

Sezoni  2019- 2020 – 78 984 të vaksinuar (deri në fillim të muajit janar 2020)

Ajo që vumë re është se numri i dozave të vaksinave të gripit është rritur nga viti 2018 dhe në vazhdim deri në vitin 2020, por numri i popullsisë së vaksinuar sipas qarqeve është më i ulët.

Qarku Popullata e vaksinuar sezoni 2017-2018 Popullata e vaksinuar sezoni 2018-2019 Popullata e vaksinuar sezoni 2019-2020
Berat 4860 5430 3850
Diber 3550 4150 2780
Durres 8100 8130 6960
Elbasan 8400 9464 6351
Fier 10650 11870 9096
Gjirokastër 2350 2930 2400
Korçë 10600 11068 8091
Kukës 2330 2762 2598
Lezhë 4960 5981 5300
Shkodër 8350 8700 6847
Tiranë 27587 21283 18288
Vlorë 6984 7732 6423
Total 98721 99500 78984

*Shënim : Të dhënat e  fundit nga Ministria e Shëndetësisë për 2019- 2020 ( 80 000 numri i popullatës së vaksinuar).

Duke marrë të mirëqenë se viti 2020 është ende në fillim, ne vendosëm të verifikojmë në terren procesin e vaksinimit. Edhe sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik përdorimi i vaksinës është në shkallën 99.9%.

Në Institutin e Shëndetit Publik  në Shkodër, nëntorin e vitit të kaluar u shpërndanë 5450 doza, nga të cilat 369 për personelin mjekësor. Dozat janë ndarë për secilën kategori e cila i përgjigjet sëmundshmërisë. Që prej fundit të muajit dhjetor kur janë mbaruar këto vaksina, qendrat Shëndetësore në Shkodër nuk janë furnizuar më, ndërkohë që kërkesat për vaksinim janë të shumta.

Edhe nga të dhënat zyrtare Shkodra për sezonin 2019-2020 është furnizuar me 2000 doza më pak të vaksinës antigrip krahasuar me sezonin paraardhës.

Në Pogradec, Drejtoria e Shëndetit Publik sezonin e fundit është furnizuar me 2500 ose 1300 vaksina më pak se në 2018-n. Ndërkohë kërkesat për vaksinim sivjet janë në rritje, por edhe këtu banorët përballen me mugesën e tyre që prej muajit dhjetor. Duke llogaritur që  470 doza vaksinash janë përdorur për stafin mjekësor, për popullatën kanë qenë në dispozicion rreth 2000 të tilla, ndërkohë që Bashkia Pogradec numëron 41 mijë banorë.

Në Vlorë komunikuam me Drejtorinë e Shëndetit Publik , por edhe pse na premtuan se do nisnin të dhënat zyrtare në rrugë elektronike, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje. 

Ajo çfarë verifikuam në terren korrespondon me komentet e qytetarëve të ndryshëm që gjetëm në faqen zyrtare të ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu, për munges të vaksinave.

Numri i lartë i kërkesave të qytetarëve të cilët presin të vaksinohen e tregon edhe raporti i ISHP për virusin e gripit.

“Në javën e 5 të vitit 2020 vërehet një prirje në rritje e numrit të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme”-shkruan ISHP në raportin e saj.

Praktikisht Ministria e Shëndetësisë sot për sot, kur gripi është në kulmin e tij, nuk ka më vaksina në dispozicion, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara, sepse përveç dozave të blera prej saj, kishte një kontigjent të dhuruar. Këtë vit donacioni nuk është dhënë, për shkak të problemeve të vetë donatorit.

Përgjigjia nga Ministria e Shëndetësisë:

Numri i flakonëve të vaksinave të gripit për vitin 2017-2018-2019 që i janë dhuruar Ministrisë

2017- 100 000 doza

2018- 50 000 doza

2019 – 0 doza  (vaksinat e parashikuara për të ardhur si dhuratë, nuk u mundësuan këtë vit, për problemet që pati vetë dhuruesi)

“Faktoje” nuk është në dijeni nëse përveç 80 000 dozave të blera nga Ministria në 2019 do të ketë blerje të reja për këtë periudhë ndaj kemi dërguar një kërkesë për informacion te ky institucion për të cilin jemi ende në pritje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img