BallinaAktualitetVaksinimi me dozën e tretë anticovid në Kukës, mungesë transparence nga institucionet dhe refuzim nga moshat e reja

Vaksinimi me dozën e tretë anticovid në Kukës, mungesë transparence nga institucionet dhe refuzim nga moshat e reja

Emiriola Velia

Në qarkun e Kukësit, vaksinimi me dozën e tretë kundër Covid-19 po kryhet më shumë nga moshat e treta. Më të rinjtë janë skeptikë dhe përgjithësisht e kanë refuzuar vaksinimin, ndërkohë që autoritetet shëndetësore e pranojnë se teoritë konspirative po frenojnë këtë proçes. Nga ana tjetër, Njësia Shëndetësore e qarkut, ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesave zyrtare në emër të Faktoje për të dhëna dhe shifra mbi ecurinë e këtij proçesi.

———-

Prej datës 1 nëntor ka filluar injektimi me dozën e tretë të vaksinës anticovid, ku përfshihen persona të moshës mbi 60 vjeç dhe personeli mjekësor. Ky vendim u komunikua nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në fillim të nëntorit.

Ne vendosëm të bëjmë një verifikim se si ka ecur ky proçes në Kukës duke iu drejtuar fillimisht me një kërkesë zyrtare Njësisë Shëndetësore të këtij qarku. Ne pyetëm se si ka ecur procesi i vaksinimit me dozën e tretë, por edhe pse ka kaluar afati ligjor, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Kërkesa dërguar NjVKSh Kukës, 16.11.2021

Pavarësisht mungesës së përgjigjes, ne bëmë një verifikim në terren dhe konstatuam se paralelisht me vaksinimin e stafit mjekësor të qarkut, mosha mbi 60 vjeç po tregon interes për vaksinimin me dozën e tretë.

A.E mjek familjeje pranë Qendrës Shëndetësore Kukës thotë për Faktoje:

“Të moshuarit mbi 60-vjeç po tregojnë ineteres për vaksinimin me dozën e tretë. Ata vijnë dhe interesohen pranë personelit se sa kohë pas dozës së dytë duhet të marrin dozën tjetër. Ndërkohë tek moshat e reja konstatojmë raste refuzimi të vaksinimit, ndoshat edhe për shkak të lajmeve fake neës apo teorive të konspiracionit që po qarkullojnë që prej fillimit të vaksinimit”.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Kukës

Ndikimin e informacioneve të paverifikuara në vendimmarrjen e individëve për të mos u vaksinuar e pranojnë edhe autoritetet shëndetësore. Madje gjatë një inspektimi të procesit të vaksinimit në Kukës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, bëri thirrje që njerëzit të dëgjojnë zerin e shkencës.

Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu gjatë inspektimit në Qendrën e Vaksinimit në Kukës, 8 dhjetor 2021

Por çfarë mendojnë qytetarët në Kukës lidhur me vaksinimin anticovid? Ne pyetëm individë të moshave të ndryshme.
“Kam frikë për jetën, nuk pranoj të vaksinohem. Kam dëgjuar që vaksina nuk është e sigurtë, sepse në shumë raste pas vaksinimit ka ndodhur që kanë ndërruar jetë.”-tha për Faktoje A.M 42 vjeçe.
Edhe Q.V, 71 vjeç është skeptik:

“Vaksinimin me dozën e tretë e kam me pikëpytje edhe pse me dy dozat e marra deri tani jam shumë mirë”.
A.K 31 vjeçe sapo ka bërë dozën e dytë, por është e shqetësuar, sepse siç tregon ka konstatuar rënie të imunitetit dhe lodhje.
Por ka edhe prej tyre që janë të bindur se injektimi i vaksinës është mënyra më efikase e mbrojtjes nga pasojat e rënda të infektimit që jep virusi Covid 19 dhe mutacionet e tij.

“Jam plotësisht dakord me dozën e tretë. Sapo të fillojë për moshat e reja do jem ndër të parët që do të vaksinohem”- thotë për Faktoje A.P 33 vjeç.

Qendra e vaksinimit në Kukës, dhjetor 2021

Deri më tani qytetar të cilët janë vaksinuar me dy doza rezultojnë të jenë rreth 33 mijë duke filluar që nga mosha 18 vjeç. Ndërkohë Faktoje ka mësuar se pas hyrjes në fuqi të dozës së tretë për personelin mjekësor si dhe mbi moshat 60 vjeç gjatë muajit nëntor janë vaksinuar 250 qytetarë. Ndërsa bëhet me dije se në muajin dhejtor vaksinohen çdo ditë rreth 10 qytetarë.

Situata e covid 19 paraqitet e qëndrueshme në Kukës, sipas asaj që raportojnë edhe mjekët e familjes. Gjatë muajve të fundit vihet re një rënie e numrit të të infektuarve, gjë e cila vërtetohet edhe nga harta e shpërndarjes së prekshmërisë nga Covid 19. Në përditësimin e fundit nga ISHP, që i përket datës 19 dhjetor, numri i rasteve aktive për Kukësit është 67, duke e renditur atë në vendin e parafundit në listën e bashkive, ku Tirana mban vendin e parë me numrin më të madh të këtyre rasteve.

Shpërndarja e rasteve aktive me covid 19 sipas bashkive, burimi ISHP

Në fillim të dhjetorit, Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur edhe nga qarkullimi i varianteve të reja të coronavirusit, shpalli se çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese anticovid, nëse kanë kaluar 6 muaj nga doza e dytë anticovid. Komiteti gjithashtu bëri të ditur se deri më datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, duhet të vaksinohen, pasi me datën 4 janar, do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img