AURORA SHPATAJ
Në datën 2 shkurt nisi injektimi i dozës së dytë të vaksinës anticovid, nga kontigjenti prej 1170 vaksinash që u raportuan se mbërritën një ditë më parë. Këto shifra janë shumë herë më të ulëta se ato të premtuara nga kryeministri Rama, i cili kishte premtuar mbërritjen e mbi 10 mijë dozave që në javën e tretë të janarit. Nga ana tjetër edhe zotimet e autoriteteve për nisjen e vaksinimit të qytetarëve, duken jo realiste për sa kohë nuk është vaksinuar as 1/10 e personelit mjekësor që konsiderohet i vijës së parë të rrezikut.
Javën e kaluar, më datë 26 janar, në emisionin “Open” zëvëndësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli garantoi se në datë 2 shkurt do të niste vaksinimi me dozën e dytë anticovid.
“Fillon doza e dytë me 2 shkurt”- tha ajo gjatë emisionit.
Mbrëmjen e 1 shkurtit u njoftua ardhja e 1170 dozave në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Paraditen e kësaj të marte, në 2 shkurt nisi injektimi i dozës së dytë të vaksinës për personat që dozën e parë nisën ta marrin nga 11 janari e në vazhdim. Ky proces vijon në mjediset e stadiumit Air Albania për personelin mjekësor
Me një llogaritje të thjeshtë, nga 1170 doza që erdhën në 1 shkurt, do marrin dozën e dytë të vaksinës anti-covid 975 individët (mjekë dhe infermierë që u vaksinuan duke nisur nga 11 janari).
1170 (doza të mbërritura në 1 shkurt) -975 (individë që do marrin dozën 2 =195 doza të mbetura
Ne pyetëm ekspertin e shëndetësisë Erion Dasho, i cili konfirmon se një numër prej jo më shumë se 195 individësh do të përbëjnë kontigjentin e ri të të vaksinuarve.
“Nga 1170 doza që erdhën, do marrin dozën e dytë dhe 975 mjekë dhe infermierë që u vaksinuan me datë 11 janar. Madje do shtoja që janë me vonesë për marrjen e dozës. Pra, na ngelen 195 doza, pa hequr 50 doza për mjekët e Kosovës që në rast se vijnë ta bëjnë, ne ngelemi me145 “doza të reja.”-shprehet Dasho.
Me këtë ritëm vaksinimi, duket sfidues zotimi i autoriteteve shëndetësore për nisjen e procesit të vaksinimit edhe për qytetarë të kategorive të rrezikuara, paralelisht me stafin mjekësor, brenda muajit shkurt. Të paktën kështu kanë deklaruar zëvendësministrja Rakacolli dhe kreu I Urgjencs Kombëtare, Skënder Brataj, në emisionin Open të datës 26 janar.
“Me përfundimin e vaksinimit të 5 mijë të parëve ku përfshihet personeli mjekësor, do të nisë edhe vaksinimi i qytetarëve”-tha zoti Brataj.
“Vaksinimi i qytetarëve do të nisë brenda muajit shkurt”-shtoi zonja Rakacolli.
Sipas kësaj të fundit, deri në atë datë (26 janar 2021) janë vaksinuar 500-600 mjekë, pra një e dhjeta e atyre që duhet të vaksinohen, para se të nisë procesi edhe për qytetarët.
Sesa i arritshëm do të jetë ky zotim, varet edhe nga sasia e dozave që do të mbërrijnë.
Por fakt është se premtimi i kryeministrit Rama në 1 janar se në fillim të javës së tretë të janarit do mbërrinin 10 750 dozave të vaksinës anticovid, nuk u përmbush.
Brenda muajit shkurt, po sipas deklaratës së kryeministrit do mbërrinin edhe 30 250 doza të tjera.