Vaksinat mARN nuk shkaktuan më shumë vdekje se ç’shpëtuan jetë. Artikulli që po citohet nga konspiracionistët është një përmbledhje e pretendimeve të përgënjeshtruara më parë, botuar në një revistë me besueshmëri të ulët, e cila e ka tërhequr nga botimi pas vetëm 26 ditëve.
—————————————————-
Një artikull i botuar në Janar 2024 në revistën Cureus pretendon se vaksinat anti-Covid me mARN kanë shkaktuar më shumë vdekje se sa kanë shpëtuar jetë. Disa media kanë publikuar këtë studim, mes të cilëve në 17 shkurt në Shqipëri edhe portali Patriotik Media, duke kërkuar në këtë mënyrë një provë shkencore të teorive anti-vaksinim.
Artikulli në fjalë është botuar në revistën Cureus më 24 janar 2024. Megjithatë, më 19 shkurt 2024, një nga autorët njoftoi se redaksia e Cureus kishte vendosur ta tërhiqte artikullin pas një rishikimi të brendshëm që gjeti një sërë keqinterpretimesh të dhënash dhe pretendimesh të pasakta ose të pabaza.
Shumë nga autorët e artikullit kanë shpërndarë keqinformim lidhur me Covid-19 dhe vaksinimin më parë.
Steve Kirsch ka shpërndarë pretendimin e pasaktë se vaksinat kanë vrarë miliona njerëz në mbarë botën.
Dr. Peter McCullough ende rekomandon trajtimin e pacientëve me COVID-19 me Hidroksilklorinë dhe Ivermectin, edhe pse të dyja janë treguar se nuk funksionojnë kundër sëmundjes. Ai gjithashtu promovon dhe shet produkte të “detoksifikimit të proteinave spike” për njerëzit që janë vaksinuar, pavarësisht se nuk ka prova që njerëzit e vaksinuar kanë nevojë për ndonjë detoksifikim të tillë.
Stephanie Seneff është një informaticiene që ka promovuar idenë e rreme se vaksinat shkaktojnë autizëm. Ajo dhe McCullough kanë qenë bashkëautorë edhe në një tjetër artikull (i cili citohet në artikullin e Cureus) që keqpërdor të dhënat nga sistemi VAERS për të pretenduar pa prova se vaksinat mARN shkatërrojnë sistemin imunitar të lindur.
Jessica Rose është akuzuar gjithashtu se ka keqpërdorur të dhënat e VAERS për të pretenduar se vaksinat nuk janë të sigurta – një taktikë e përdorur rëndom nga komuniteti anti-vaksinim.
Artikulli citon dhe madje riboton një shifër nga një postim i Rose lidhur me numrin e “alarmues” të raportimeve në VAERS për “çrregullime autoimune” pas vaksinimit anti-Covid, krahasuar me vaksinat e gripit. Artikulli pretendon se raportimet e shtuara “përfaqësojnë një sinjal të jashtëzakonshëm pasigurie”. Por, numri më i lartë i raportimeve në VAERS për vaksinat e COVID-19 mund të shpjegohet nga faktorë të shumtë, si rritja e ndërgjegjësimit dhe kërkesat më të rrepta të raportimit – dhe në vetvete nuk përbën një sinjal pasigurie. Një raportim mund të depozitohet nga kushdo dhe nuk do të thotë se një vaksinë ka shkaktuar një problem të veçantë.
Artikulli i titulluar “Vaksinat e mRNA COVID-19: Mësimet e nxjerra nga sprovat e regjistrimit dhe fushata globale e vaksinimit”, përsërit shumë pretendime të zakonshme anti-vaksinë, të bazuara në studime ose analiza që janë kritikuar ose përgënjeshtruar gjerësisht.
Pretendimi se vaksinat shkaktojnë “dëmtime serioze për njerëzit”, për shembull, bazohet në një rianalizë problematike të ngjarjeve të padëshiruara të raportuara në testimet origjinale që u botua në revistën Vaccine në 2022. Megjithatë, siç shpjegohet në një koment të botuar në të njëjtën revistë, kjo rianalizë ka të meta të shumta metodologjike, duke përfshirë mënyrën se si numëronte ngjarjet e padëshiruara.
Artikulli citon gjithashtu në mënyrë jokritike një analizë të pabotuar nga ish-profesori i fizikës Denis Rancourt që pretendon se rreth 17 milionë njerëz vdiqën nga vaksinat e COVID-19. Faktoje ka shpjeguar më parë se raporti gabimisht ka shpërfillur vdekjet nga COVID-19 në numërim dhe se shifra të tilla janë të pabesueshme.
Artikulli riciklon gjithashtu pretendimet e paprovuara lidhur me “nivelet e larta të kontaminimit të ADN-së” në vaksinat mARN dhe mundësinë që fragmente të tilla të ADN “të integrohen në gjenomin e njeriut” dhe të shkaktojnë kancer. Faktoje ka shpjeguar më parë se nuk ka asnjë provë që ADN e mbetur në vaksina mund të ndryshojë ADN e një personi ose të shkaktojë kancer.
Artikulli nënvizon gjetjet nga një studim vëzhgues i Cleveland Clinic të cilin e quan “provën më të mirë për dështimin e aftësisë së vaksinës mRNA për të ofruar mbrojtje kundër COVID-19”. Studimi, i cili gjeti një lidhje midis më shumë dozave të vaksinës dhe një norme më të lartë të testimit pozitiv me Covid-19, është cituar shpesh nga ata që kundërshtojnë vaksinimin. Megjithatë, këto gjetje bien ndesh me gjetjet e shumë studimeve të tjera, të cilat përgjithësisht kanë gjetur lidhje mes mbrojtjes së shtuar dhe më shumë dozave. Më tej, studimi nuk tregoi se më shumë doza shkaktojnë një rrezik më të lartë infektimi. Në fakt, shumë ekspertë dyshojnë se lidhja ka të ngjarë të jetë pasojë e dallimeve të tjera midis njerëzve që kanë marrë një numër të ndryshëm dozash. Për më tepër, qëllimi kryesor i vaksinimit është mbrojtja kundër sëmundjes së rëndë – dhe ka prova të shumta që vaksinat e COVID-19 kanë qenë shumë të suksesshme në këtë drejtim.
Autorët e artikullit janë kritikuar edhe për faktin që kanë cituar studimet e veta në artikull dhe kanë përdorur botime joshkencore si burime parësore.
Shpërndarësit e artikullit theksojnë me ngazëllim faktin që ai i është “nënshtruar rishikimit nga kolegët” dhe është botuar në një revistë që e ushtron këtë praktikë.
Rishikimi kolegial, procesi në të cilin kolegët shkencëtarë të japin komente mbi një dorëshkrim dhe mbi nëse ai është i mirë mjaftueshëm për botim, mund të jetë shumë i dobishëm për të siguruar që një punim i caktuar nuk përmban të meta ose gabime të mëdha. Megjithatë, rishikimi nga kolegët është po aq i mirë sa komentet e dhëna – dhe ai nuk do të thotë automatikisht se artikulli është i besueshëm. Jo të gjithë revistat me rishikim kolegial janë njësoj, sepse secila ka standarde dhe reputacione të ndryshme.
Revista Cureus, për shembull, ka për qëllim botimin e shpejtë të artikujve dhe reklamon rishikim kolegial “efiçent” dhe një përvojë botimi “pa telashe.” Sipas të dhënave të gjashtë muajve të fundit nga Cureus, koha mesatare nga dorëzimi i artikullit në botim është 33 ditë, dhe 51% e artikujve të depozituar botohen. Për krahasim, revista prestigjoze Nature pranon 8% të artikujve të dorëzuar dhe koha mesatare nga dorëzimi në botim është 267 ditë.
Sipas të dhënave të artikullit, procesi i rishikimit kolegial zgjati 77 ditë.
Në vitin 2015, duke iu përgjigjur shqetësimeve në lidhje me revistën dhe procesin e saj të shpejtë të rishikimit kolegial, themeluesi, presidenti dhe kryeredaktori i Cureus, Dr. John R. Adler, tha se “me qëllim, rishikimi kolegial nuk është pjesë e madhe e procesit tonë të rishikimit” dhe se revista mbështetet gjithashtu në rishikimin pas publikimit për të “zgjedhur atë që është cilësore/e rëndësishme”.
Një punim nga bibliotekarët e Universitetit Emory, prezantuar në një konferencë në 2022, e klasifikoi Cureus si potencialisht “të pabesueshëm ose malinj”. Revista është e disponueshme në PubMed Central, databaza të Instituteve Kombëtare amerikane të Shëndetit për kërkimet biomjekësore, por nuk është e indeksuar në MEDLINE, e cila kërkon një farë verifikimi për t’u përfshirë. (Shfaqja e një artikulli në databazë nuk nënkupton asnjë lloj miratimi nga NIH.)
Cureus publikoi dy studime problematike lidhur me Ivermectin për COVID-19 në 2022. Rezultatet e studimeve nuk përputheshin me studime më të forta që nuk gjetën ndonjë përfitim nga përdorimi i Ivermectin për COVID-19. Të dy studimet kishin të meta metodologjike dhe ishin shkruar nga mbështetës të Ivermectin – një fakt që nuk u tregua në kohën e publikimit.
Edhe pse edhe revistat më të mira i tërheqin herë pas here studimet e botuara, Cureus ka përfunduar disa herë në faqet e Retraction Watch, një databazë online e tërheqjeve të artikujve shkencorë – së fundmi më 26 janar për 56 studime të tërhequra si pasojë e autorësisë së rreme gati dy vjet pasi ishin sinjalizuar. Në 2022, Retraction Watch raportoi se një studim i tërhequr nga revista Frontiers in Medicine u përditësua më vonë dhe u botua në Cureus.
Më 19 shkurt 2024, redaksia e Cureus kishte vendosur ta tërhiqte edhe këtë artikull, pas një rishikimi të brendshëm që gjeti një sërë rastesh keqinterpretimi të dhënash dhe pretendimesh të pasakta ose të pabaza.