AURORA SHPATAJ

Gjatë muajit janar, sipas një konfirmimi zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë për Faktoje, do të mbërrinte kontigjenti me vaksinat kundër Covid, Johnson&Johnson. Nga verifikimi i kryer dhe një përgjigje tjetër zyrtare e MSH, konfirmohet se mbërritja e këtij kontigjenti do të kryhet brenda tremujorit të parë 2022. Nga ana tjetër, fondi i alokuar për vaksinat është 3 990 000 USD, por sipas ekspertëve të ekonomisë mbetet e paqartë sasia e vaksinave të do të sigurohet me këtë buxhet.

……………………………………………

Një shkresë zyrtare e mbërritur gjatë muajit dhjetor 2021 në redaksinë e Faktoje, si përgjigje ndaj interesimit se kur mbërrijnë vaksinat Johnson&Johnson, të premtuara nga autoritetet e shëndetësisë, konfirmonte muajin janar 2022.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë

Kjo përgjigje kishte ardhur pas kërkesës së Faktoje në vijim të disa deklaratave, ndër të cilat ajo e datës 20 dhjetor nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila tha:

“Presim të kemi sasinë e parë të vaksinave Johnson &Johnson nga Covax së shpejti.”- tha ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu në Kuvend, 20 dhjetor 2021

Por në një tjetër përgjigje nga ministria e Shëndetësisë, afati për mbërritjen e vaksinave Johnson&Johnson nuk ishte muaji janar, por 3 mujori i parë i 2022, duke lënë një tolerancë deri në muajin mars 2022.

“Sasia e vaksinave Johnson&Johnson pritet të vijë brenda 3 mujorit të pare të vitit 2022 nëpërmjet instrumentit të Covax, i cili është një angazhim i qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat Covid-19, e miratuar me ligjin nr.134, datë 29.10.2020 Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Aleancës ”Gavi” (covax-facility).” –citohet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri në ditën e publikimit të këtij artikulli, 17 shkurt 2022, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për mbërritjen e vaksinave Johnson&Johnson, sasia e të cilave nuk bëhet e ditur nga MSH:

“Për sasinë e dozave Johnson&Johnson që do të mbërrijnë do të informoheni sapo këto të vijnë në Shqipëri.”-thuhet në përgjigjen e MSH për Faktoje.

Vaksina anti Covid Johnson&Johnson është e çertifikuar nga EMA më datë 11 mars 2021. Sipas EMA, kjo lloj vaksine i ka efektet anësore më të lehta dhe kohëzgjatja e tyre është 1 deri në 2 ditë pas injektimit të vaksinës.

Aktualisht në Shqipëri po injektohen vaksinat Pfizer dhe AstraZenneca siç ka deklaruar zyrtarja e ISHP, Silva Bino, njëkohësisht dhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ministria e Shëndetësisë, nuk sqaron ndërkohë specifikisht sa është fondi për kontigjentin Johnson&Johnson, që pritej të vinte në janar, por jep këtë sqarim.

“Në bazë të aktit ligjor të sipërcituar, shuma nga buxheti i alokuar për MSHMS dhe FSDKSH është 3 990 000 (tre milion e nëntëqind e nëntëdhjetëmijë) dollarë amerikanë, shumë e cila është e pagueshme në total nga pjesëmarrja e vendit tonë në këtë instrument (Covax) dhe pa u ndarë apo specifikuar si fond në lidhje me sasitë e caktuara vaksinash që mund të vijnë rast pas rasti prej këtij instrumenti, por që i rikthehet buxhetit të shtetit në përmbyllje të marrëveshjes.”

Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë

Sipas ekspertit Azmi Stringa, mungesa e transparences mbi shpenzimin e fondit në bazë të llojit të vaksinave ngre pikëpyetje.

“Buxheti i alokuar për MSHMS dhe FSDKSH është 3 990 000 (tremilion e nëntëqind e nëntëdhjetëmijë) dollar amerikanë, por është e paqaratë se sa është sasia e vaksinave që do të vijë me këtë buxhet.”-thotë ai.