.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVaksinat e Covid nuk kanë lidhje me ndryshimin e parametrave të testit për pilotët

Vaksinat e Covid nuk kanë lidhje me ndryshimin e parametrave të testit për pilotët

Një ndryshim në rregulloren e shëndetit të Administratës Federale amerikane të Aviacionit (FAA) po përdoret si ‘provë’ se vaksina anti-Covid-19 shkakton dëmtime në zemër. Nga verifikimi i “Faktoje” rezulton se ky ndryshim ka ardhur si pasojë e të dhënave të reja shkencore mbi një sëmundje zemre, dhe nuk ka të bëjë aspak me vaksinën.

———————————-

Në hapësirat konspiracioniste anti-vaksinë online po qarkullon lajmi se Administrata Federale amerikane e Aviacionit (FAA) ka pranuar “në heshtje” se zemrat e pilotëve amerikanë janë dëmtuar pas vaksnimit.

Nëse FAA do ta kishte pranuar këtë, sado ‘heshturazi’, kjo do të përbënte vërtet lajm. Por, në të vërtetë, çfarë quhet pranim nga konspiracionistët është një ndryshim i vogël në rregulloren e shëndetit për pilotët e avionëve.

Në Tetor 2022, FAA zgjeroi parametrat e pranueshëm që përdoren për të ekzaminuar pilotët për një sëmundje specifike zemre, bllokim atrioventikular, sipas rekomandimeve të këshilltarëve kardiologë të institucionit. Kjo sëmundje mund të vështirësojë pompimin e gjakut nga zemra duke vonuar ose bllokuar sinjalin elektrik që kontrollon rrahjet e zemrës së personit. Ajo diagnostifikohet me anë të një testi që mat aktivitetin elektrik të zemrës, që njihet si EKG dhe mat, ndër të tjera, intervalet PR.

Parametrat normale të intervaleve PR janë mes 120 – 200 milisekonda. Një interval PR mbi 200 milisekonda është zakonisht tregues i bllokimit atrioventikular. Megjithatë, sipas Dr. Roland Assi nga universiteti Yale, grada e parë e kësaj sëmundjeje është zakonisht beninje, rrallëherë shkakton simptoma dhe nuk kërkon trajtim specifik.

Më parë, pilotët me bllokim atrioventikular të gradës së parë duhet të provonin se nuk kishin çrregullime funksionale apo strukturore të zemrës. Me ndryshimin e Tetorit, FAA nuk i kërkon më pilotëve interval PR nën 300 milisekonda.

Kjo nuk erdhi si pasojë e vaksinimit anti-Covid, i tha FAA Associated Press. “Konsultantët tanë të kardiologjisë na informuan se çfarëdo rezultati nën 300 milisekonda nuk ka nevojë për teste të mëtejshme dhe nuk përbën rrezik për paaftësim të menjëhershëm,” tha institucioni. Kjo u konfirmua dhe nga kreu i Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë.

Dr. Assi dhe Dr. Eric Adler nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego, shtuan se nuk ka prova shkencore se bllokimi atrioventikular ka lidhje me vaksinën anti-Covid.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img