BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookProfili i rremë i Behgjet Pacollit premton dhurata për të rritur klikimet

Profili i rremë i Behgjet Pacollit premton dhurata për të rritur klikimet

Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet sociale ku shpërndan para për ndjekësit e tij. “Faktoje” verifikoi se profili që e ka shpërndarë këtë video nuk është e politikanit Kosovar. E njëjta skemë mashtrimi është përdorur edhe me identitetete e këngëtareve të njohura Rita Ora dhe Dua Lipa.

—————————————————————————————————-

Një profil në Facebook në emër të biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli ka shpërndarë në 18 janar një video me përshkrimin “Zgjidhni muajin tuaj të lindjes dhe do të merrni një dhuratë sipas muajit tuaj të lindjes, bëje me besim”.

Ndërsa në postimin e publikuar krahas videos shkruhet: “Përshëndetje të gjithëve, ne sponsori zyrtar i Behgjet Pacollit brenda pak ditësh po bëjmë diçka të veçantë”.

Screenshot, postimi i publikuar në një faqe të rremë në Facebook

Ajo që vihet re është se postimi në fjalë ka marrë mbi 6 mijë komente, 110 mijë shikime dhe rreth 600 pëlqime.

Video është ndarë në dy pjesë, në njërën anë ku shfaqet Pacolli në makinë duke zhvilluar një komunikim live me ndjekësit e tij, ndërsa në pjesën tjetër duket shuma që supozohet se përfitohet sipas muajit të lindjes. Në videon e publikuar nga faqja e rreme nuk flitet në asnjë moment nga biznesmeni për ndonjë shpërblim për ndjekësit.

Nëse kryhet një verifikim i thjeshtë duke klikuar faqen ku është shpërndarë video shihet se kemi të bëjmë me një faqe të rreme me vetëm 372 ndjekës dhe vetëm një publikim. Një shenjë se profile është krijuar rishtazi me qëllim ngritjen e një skemë të tillë mashtruese.

Faqja e rreme e hapur në emër të Behgjet Pacollit

Duke kërkuar në Facebook me emrin e politikanit shihet se zoti Pacolli ka një faqe të verifikuar. Në faqen e vërtetë të tij nuk ka asnjë postim apo fushatë për të ndarë para për ndjekësit e tij në Facebook. E njëjta skemë mashtrimi është përdorur dhe denoncuar nga kolegët tanë të Kallxo me identitetetet e këngëtareve të njohura Rita Ora dhe Dua Lipa.

Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet publikimeve të tilla bëhet me qëllim rritjen e pëlqimeve të faqeve, të cilave më pas u ndryshohet emri nga administratorët e tyre dhe shiten tek palë të treta apo përdoren për marketing online.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img