Video e një mbledhjeje në Senatin e shtetit amerikan Texas po shpërndahet në rrjetet anti-vaksinë për të pretenduar se vaksinat anti-Covid nuk janë testuar para hedhjes në treg.
Fillimisht, duhet sqaruar se, ndryshe nga ç’pretendon postimi i mësipërm, kjo video nuk është nga Senati i ShBA, por nga një mbledhje e Komisionit mbi Punët e Shtetit në Senatin e Texas, një nga shtetet e ShBA, e mbajtur më 6 maj 2021.
Në video, një nga anëtarët e Senatit të Texas, Bob Hall, pretendon se vaksinat anti-Covid u hodhën në përdorim pa u testuar tek kafshët. Kjo sepse, sipas Hall, testimet tek kafshët u ndalën pasi “kafshët po vdisnin.” Më tej, senatori Hall pretendon se vaksinat anti-Covid nuk u testuan as tek njerëzit përpara hedhjes në treg.
Si fillim, pretendimi se vaksinat, të cilat u autorizuan për përdorim urgjent nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) anashkaluan testimin tek kafshët është i pasaktë.
Të tre vaksinat e autorizuara nga FDA deri më sot, Pfizer-BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson, iu nënshtruan testimit paraklinik në kafshë përpara se të merrnin autorizimin. Studimet që raportojnë rezultatet e këtyre testimeve te kafshët u botuan në revista shkencore (Pfizer-BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson). Në 2020, një njoftim për shtyp nga Pfizer dhe artikuj lajmesh raportonin testimin paraklinik në kafshë, para autorizimit të vaksinës së parë COVID-19 në Dhjetor.
Sa i përket pretendimit se kafshët në të cilat vaksinat anti-Covid u testuan ngordhën, Hall nuk jep ndonjë provë apo burim për të. Në fakt, nëse kafshët do të kishin ngordhur gjatë testimit, testimi tek njerëzit do të ishte ndaluar menjëherë.
Së fundi, pretendimi se vaksinat e autorizuara për COVID-19 nuk janë testuar te njerëzit përpara se të hidheshin në përdorim është gjithashtu i pasaktë. FDA kërkon që kompanitë të paraqesin prova që tregojnë se një vaksinë është efektive dhe se përfitimet e saj tejkalojnë rreziqet e saj, përpara se të lëshojë autorizimin e përdorimit urgjent. Siguria dhe efikasiteti i vaksinave të prodhuara nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna, u vërtetuan nga testimet klinike të Fazës 2 dhe 3 në të cilat morrën pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Rezultatet e fazës 1 dhe 2 të testimit të vaksinës Johnson & Johnson u botuan në New England Journal of Medicine, duke treguar se vaksina është e sigurt.