Artikuj që reklamojnë kura ‘çudibërëse’ natyrale që zëvendësojnë kura të provuara shkencërisht lulëzojnë në rrjetet sociale shqipfolëse. Verifikimi i “Faktoje” vazhdon të tregojë se këto mjekime janë të pabazuara në prova dhe studime shkencore dhe nuk duhet të përdoren në vend të mjekimeve dhe procedurave të këshilluara nga profesionistët e mjekësisë.
———————————-
Një artikull në portalin onlinenews5.com mban titullin “Shmangu operacionin e gjunjëve dhe kuroi në shtëpi dhimbjen e gjunjëve me këtë recetë të thjeshtë dhe Natyrale!”
Teksti në brendësi është i mbushur me fjali të keqpërkthyera që mezi kuptohen. Me ç’mund të deshifrohet, duket se artikulli këshillon përdorimin e një garze të lyer me uthull molle dhe të lidhur përreth gjurit për të shmangur problemet e gjurit.
Artikulli nuk shpjegon se si funksionon ky mjekim, dhe se çfarë vetish pretendohet të ketë uthulla e mollës që ndihmojnë në lehtësimin, parandalimin, apo shërimin e problemeve të gjunjëve.
Nga verifikimi i “Faktoje” , rezulton se nuk ka asnjë provë shkencore se uthulla e mollës ka efekt anti-inflamator tek njerëzit apo se mund të ndihmojë me dhimbjen e nyjeve. Organizata për luftën kundër artritit “Arthritis Foundation” madje e liston përdorimin e uthullës së mollës për dhimbjen e nyjeve si një nga 10 mitet më të përhapura mbi artritin.
Edhe më shqetësues është fakti që kjo kurë alternative promovohet nga titulli i artikullit si një mënyrë për të shmangur një procedurë mjekësore si ndërhyrja kirurgjikale. Disa lexues, bazuar në dizinformimin e këtij artikulli, mund të vënë në rrezik shëndetin e tyre duke besuar se ky mjekim mund të shërbejë si zëvendësim i procedurave të nevojshme mjekësore.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin