Pretendimi: Gruaja e liderit të vrarë të Hamas mbante një çantë me vlerë 32 mijë dollarë
Verdikti: E pavërtetë
Artikuj të shpërndarë në disa portale në vendin tonë pretendojnë se gruaja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, i cili u vra javën e kaluar nga Izraeli, është fotografuar me çantë “Hermes”, që kap shifrën e 32 mijë dollarwve. Për këtë informacion të shpërndarë, ata i referohen medias izraelite, “The Times of Israel”.
“Fotografohet me çantë Hermes me vlerë 32 mijë euro, shpërthen zemërimi ndaj gruas së liderit të Hamasit”- raportojnë portalet.
Artikujt e shpërndarë në portale
Ky pretendim u shfaq fillimisht në një postim në rjetin X, në profilin e Avichay Adraee, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite. Fotografia, e cila ishte shkëputur nga video supozohet se tregon Samar Abu Zamar, gruan e Yahya Sinwar, duke mbajtur një çantë të shtrenjtë.
Ushtria izraelite publikoi pamjet që tregojnë Yahya Sinwar dhe familjen e tij një natë para se grupi me bazë në Gaza të niste sulmin e tij ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar. Videoja tregon Sinwar duke ecur në një tunel nëntokësor me gruan dhe fëmijët e tij.
Konkretisht në postim thuhej: “A hyri gruaja e Sinwar në tunel më 6 tetor 2023, duke mbajtur një çantë Birkin që kushtonte rreth 32,000 dollarë? Ndërsa banorëve të Gazës u mungojnë paratë për një tendë ose nevoja elementare, ne shohim shumë shembuj të dashurisë së veçantë të Yahya Sinwar dhe gruas së tij për paratë.”
Mirëpo, nëse do të shohim me kujdes pamjet, vihet re qartë se çanta që mban ajo nuk është Hermes Birkin. Kjo është verifikuar edhe nga kolegë të mediave të huaja.
Çanta Hermes Birkin e ka hapjen me ngjyrë të artë, ku kaloni rripi i lëkurës, si dhe një kyç po me ngjyrë të artë. Çanta e gruas së Sinwarit ka thjesht dy pjesë metalike të mëdha që duket se mbajnë dorezën e çantës. Nga krahasimi, qartësisht çantat duken ndryshe.
Hermes Birkin është një ndër çantat më të shtrenjta dhe më të lakmuara në botë dhe blerja e saj nuk është fort e lehtë.
Blerja e një Birkin së pari kërkon që të ndërtoni një marrëdhënie me markën përpara se të keni mundësinë për të blerë një të tillë. Ky ndërtim i marrëdhënieve shpesh nënkupton zotërimin e produkteve të tjera Hermes përpara se të kualifikoheni për të blerë çantën. Për më tepër, ekspertët e modës luksoze thonë se marrëdhënia juaj me bashkëpunëtorin e shitjeve të Hermes luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e përshtatshmërisë suaj për të zotëruar një Birkin.
Nuk duhet të harrojmë edhe tregun e çantave të falsifikuara, ku një kopje e Hermes Birkin, që mund të gënjejë syrin e pastërvitur në një tunel nëntokësor, mund të blihet edhe për një vlerë 25-30 dollarë.