Pretendimi: Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpall fajtore për rryshfet sepse fshehu mesazhet e që shkëmbeu me drejtorin e Pfizer Albert Bourla.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Një artikull i botuar më 15 maj në portalin Mast.al pretendon se presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen është shpallur “fajtore për rryshfet” sepse fshehu mesazhet që shkëmbeu me drejtorin e Pfizer, Albert Bourla.

Në brendinë e tij, artikulli vijon:

Gjykata Europiane e Drejtësisë e shpalli fajtore Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen për refuzimin e zbulimit të mesazheve SMS që ajo shkëmbeu me drejtorin ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, gjatë pandemisë Covid-19!

Shkurt, gjykata e akuzon atë për shkatërrimin e provave që e inkriminonin atë dhe A. Bourlas për transaksione financiare, pra për “ryshfete”.

Megjithatë, Gjykata Europiane e Drejtësisë nuk ka shpallur fajtore Ursula von der Leyen për refuzim provash, e aq më pak për rryshfet, diçka që nuk ishte fare në diskutim në këtë çështje.

Në të vërtetë, më 14 maj, Gjykata Europiane e Drejtësisë anuloi vendimin e Komisionit Europian për t’i mohuar gazetës New York Times qasje në mesazhet e shkëmbyera midis von der Leyen dhe drejtorit ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, duke konstatuar se institucioni nuk arriti të shpjegonte në mënyrë të besueshme pse nuk i zotëronte mesazhet.

Gjykata vendosi se Komisioni “nuk ka dhënë një shpjegim të besueshëm për të justifikuar mospatjen e dokumenteve të kërkuara.”

Sipas Gjykatës, Komisioni nuk mund thjesht të pretendojë se nuk i ka dokumentet e kërkuara. Ai duhet të ofrojë shpjegime të besueshme që i mundësojnë si publikut ashtu edhe Gjykatës të kuptojnë pse këto dokumente nuk mund të gjenden.

Gjykata gjeti se New York Times kishte paraqitur prova relevante dhe të qëndrueshme që tregonin ekzistencën e mesazheve midis Presidentes të Komisionit dhe Drejtorit Ekzekutiv të Pfizer në lidhje me prokurimin e vaksinave kundër Covid-19.

NYT zbuloi ekzistencën e mesazheve në vitin 2021 gjatë intervistave me Bourla, por hasi pengesa kur kërkoi akses në to. Komisioni pretendoi se nuk mund t’i jepte tekstet. Pas përpjekjeve të përsëritura të pasuksesshme për të marrë mesazhet, New York Times e çoi çështjen para gjykatës më të lartë të BE në janar 2023.

Sipas rregullores së BE-së të vitit 2001 mbi aksesin publik në dokumente, mesazhet me tekst kualifikohen si “dokumente” dhe duhet të ruhen dhe të vihen në dispozicion sipas kërkesës, argumentoi New York Times.

Rregullorja e përcakton një dokument si “çdo përmbajtje, pavarësisht mediumit të tij (i shkruar në letër, i ruajtur në formë elektronike ose si një regjistrim zanor, vizual ose audiovizual), që lidhet me një çështje që lidhet me politikat, aktivitetet dhe vendimet brenda sferës së përgjegjësisë së institucionit.”

Komisioni kishte pretenduar gjatë një seance paraprake vitin e kaluar se mesazhet ishin dërguar vetëm për të koordinuar takime dhe se përmbajtja e tyre nuk ishte mjaftueshëm e rëndësishme që ato të klasifikoheshin si dokumente. Si rrjedhim, ato nuk ishin të regjistruara dhe të disponueshme për t’u lëshuar gazetarëve. Megjithatë, avokatët e KE pranuan se nuk i kishin parë mesazhet dhe nuk mund të thoshin nëse ato ekzistonin ende.

Për gjyqtarët e BE, Komisioni nuk ka shpjeguar në detaje llojin e kërkimeve që ka kryer për të gjetur ato dokumente ose identitetin e vendeve ku janë kryer këto kërkime. Prandaj, nuk ka dhënë një shpjegim të besueshëm për të justifikuar mospasjen e dokumenteve të kërkuara.

Për më tepër, Komisioni nuk ka sqaruar në mënyrë të mjaftueshme nëse mesazhet e kërkuara janë fshirë dhe, nëse po, nëse fshirja ka qenë e qëllimshme, automatike apo për shkak të zëvendësimit të telefonit celular të Presidentes ndërkohë.

Komisioni Europian reagoi me ​​një deklaratë ndaj vendimit sipas së cilës tani do ta studiojnë nga afër vendimin e gjykatës dhe do të vendosin për hapat e mëtejshëm. Institucioni ekzekutiv gjithashtu do të “miratojë një vendim të ri që ofron një shpjegim më të detajuar” pas kërkesës fillestare të New York Times.

Komisioni Europian ka dy muaj kohë për të apeluar vendimin e Gjykatës Europiane së Drejtësisë, ose duhet ta zbatojë atë duke i botuar mesazhet, nëse ato ekzistojnë ende, ose duke dhënë një shpjegim të detajuar për mungesën e tyre, duke përfshirë informacion nëse ato janë fshirë dhe, nëse po, në çfarë rrethanash.

Kështu, pretendimi se Gjykata Europiane e Drejtësisë ka shpallur Ursula von der Leyen fajtore për rryshfet është i pavërtetë.