Lajmi i publikuar nga mediat në lidhje me një urdhër të drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku për ndalimin e mjekrës, rezulton i pavërtetë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit konfirmojnë për Faktoje se nuk ka një urdhër të tillë, duke shtuar se punonjësve të policisë u është kërkuar rritje e performancës për sa i përket komunikimit me qytetarët.
———————————————————————————————————————————–
Lajmi për ndalimin e mjekrës për punonjësit e policisë ngjalli interes dhe u bë subjekt i memeve humoristike në rrjet. I tillë është rasti i artikullit të portali TPZ, me titull “Muhamet Rrumbullaku u ndalon policëve të mbajnë mjekër”, që mban datën 9 shtator.
Screenshot lajmi i publikuar nga portali
Në brendësi të artikullit renditen disa nga porositë e kreut të ri të Policisë së Shtetit, zotit Muhamet Rrumbullaku, ku një prej tyre sipas portalit është edhe ndalimi i mbajtjes së mjekrës nga punonjësit e policisë.
“Ndër të tjera ai ka folur edhe për çështje etike e që lidhen me kodin e sjelljes së efektivëve të Policisë së Shtetit. Kryepolici ka kërkuar të mos ketë asnjë punonjës policie me mjekër. Me sa duket mjekra në Policinë e Shtetit ka ikur bashkë me ish-drejtorin Gledis Nano të shkarkuar para disa ditësh”, shkruan ndër të tjera portali TPZ.
Lajmi është publikuar në disa prej mediave online në vend, si: Shqiptarja.com, Gazetashqiptare.al, Shqipmedia, Voxnews.al, Epokaere.com, Liberale.al, Dritare.net, Gazetametro.net, Gazetadita.al, Shekulli.com.
Ajo që vihet re në lajmin e publikuar nga portalet është fakti se asnjë prej tyre nuk i referohet një burimi për këtë informacion, por thjesht shkruajnë: “mësohet se iu ka thënë Rrumbullaku”. Dhe citimi është i njëjtë në këto media online.
Në lidhje me këtë lajm që qarkulloi masivisht në mediat online, “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë strukturave të Policisë së Shtetit. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se nuk ka asnjë urdhër të tillë nga drejtori Muhamet Rrumbullaku. Të njëjtat burime saktësojnë se punonjësve të policisë u është kërkuar rritje e performancës për sa i përket komunikimit me qytetarët dhe ndjekjes në kohë të problematikave.
“Drejtori në asnjë rast nuk ka kërkuar një gjë të tillë për punonjësit e policisë. Në takimin e zhvilluar me strukturat drejtori ka kërkuar rritje të performancës së Policisë në drejtim të komunikimit me qytetarët dhe ndjekjen në kohë të problemeve të adresuara nga qytetarët”, sqarojnë për Faktoje burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
Bazuar mbi këtë përgjigje zyrtare të Policisë së Shtetit, lajmi i mësipërm vlerësohet jo i vërtetë.