Lajm i publikuar nga portalet ku pretendohet se është bërë një deklaratë e fortë për vënien para drejtësisë të ish-presidentit Ilir Meta rezulton se është nxjerrë jashtë kontekstit. “Faktoje” verifikoi se intervista ku bazohet lajmi sensacional është e muajit korrik dhe përpos kësaj është abuzuar me titullin për të tërhequr një audiencë masive.
Gjatë dy muajve të fundit Ilir Meta mund të vlerësohet si politikani më aktivë përsa i përket komunikimit publik. Konferencat e përditshme për shtyp apo dalje prezenca e shpeshtë në emisionet e debatit televiziv ofrojnë një “ushqim” të mirë për mediat dhe portalet onlinë. Por, mesa duket, ish-presidenti Meta “thirret në skenë” nga portalet edhe pa e kërkuar vetë një protagonizëm të tillë.
Një lajm i publikuar nga portali “Prottekdinbd.com” në 18 shtator të këtij viti, njofton për një urdhër të dhënë tashmë mbi vënien para Drejtësisë të ish-presdentit Ilir Meta.
“De klarata e fortë: Ilir Meta do dalë para dr ejtësisë, ur dhri është dhënë nga…”, raporton portali.
Screenshot lajmi i publikuar nga portali
Titulli i shkruar në mënyrë jo korrekte dhe me hapësirë të panevojshme nxit dyshimet për vërtetësinë e artikullit. Për këtë arsye, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të lajmit, i cili në vetëm 24 orë ka arritur të marrë mbi 33 mijë shikime.
Në një kërkim të thjeshtë në Google rezulton se intervista, së cilës i referohet kjo media online është dhënë në korrik të këtij viti.
Në lajmin e publikuar fillimisht më 5 korrik nga Dritare.net, pjesë e cilës është edhe emisioni “Shqip”, nuk përmendet ndonjë urdhër për ndalimin e Metës. Teksti i portalit “prottekdinbd.com” është kopjuar plotësisht nga Dritare.net, por është nxjerrë jashtë kontekstit, duke abuzuar me titullin.
“Unë besoj se nuk ka ndonjë interes shumë të madh shteti amerikan ndaj Presidentit Meta. Nuk mendoj se shteti amerikan ka ndonjë problem të madh në përgjithësi me zyrtarët shqiptarë….Ilir Meta mund të ketë tagrin e presidentit, në momentin që nuk do e ketë dhe tani kemi kohën e mjaftueshme me SPAK dhe institucionet që janë ngritur, do shikojmë realisht se sa shteti shqiptar do përdori provat që ka që ta çojë para drejtësisë”, argumenton ndër të tjera analisti Ben Andoni në intervistën e dhënë për emisionin “Shqip”, por nuk përmend ndonjë urdhër, siç pretendon portali.
Artikulli me këtë titull është publikuar edhe nga disa portale të tjera si: lajmettodaynews44.com, Shkoderinfo.com.
Manipulimi i audiencës duke përdorur tituj që nuk përputhen me artikullin në brendësi ka si qëllim tërheqjen e sa më shumë klikimeve, të cilat më pas përkthehen në të ardhura financiare. Por, një mënyrë e tillë keqinformon publikun dhe duke parë numrin e shikimeve, numri i ndjekësve që kanë renë pre e këtij lajmi është i lartë.