Pretendimi: Luhatjet e shpejta të temperaturave në Kosovë shkaktohen nga sistemi HAARP dhe kemtrajlet

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Në një video të postuar në fund të shtatorit nga Arianit Sllamniku, i njohur edhe nga publiku në Shqipëri si një nga komentuesit e teorive konspiracioniste, pretendohet se rënia e menjëhershme e temperaturave në Gjilan është shkaktuar nga famëkeqi sistemi HAARP

“Ora është 21:21 dhe në këtë orë i kemi këto temperatura të motit. Pra i kemi sot 25 gradë, nesër 28, të premten 30, të shtunën 30, të dielën 17. Të hënën tjetër 15. Qysh ka mundësi me u shpjegue kjo rënie prej gati 15 gradë brenda ditës? Ky është pra, të dashur dhe të nderuar, sistemi HAARP që kur do ta bën 30 gradë dhe kur do ta bën 15 gradë e 17 gradë. Sistemi HAARP i bashkëdyjëzuar me kemtrajle, ato vijat lart,” komentohet në video.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Për vetë stinën në të cilën ndodhemi ulja e temperaturave është më normale se vijimi i ditëve të nxehta. Siç tregohet në hartën e mëposhtme, më 29 shtator, Gjilani është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore relativisht të lagështa, gjë që shkakton rënie të temperaturave. 

Rekordi botëror për ndryshimin më të madh të temperaturës brenda 24 orë është regjistruar më 14-15 janar 1972 në Montana, ShBA, kur temperatura u ngrit nga -47.7°C në 9.4°C. Ndërsa rënia më e madhe e temperaturës në 24 orë është regjistruar po në Montana, më 23-24 janar 1916, kur temperatura ra 56°C, nga 7°C në -49°C.

Të dyja këto rekorde janë regjistruar përpara se HAARP të ekzistonte.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.