Esmeralda Topi

Vjeshtën që lamë pas, kryeministri nisi një fushatë informimi me pensionistë nga veriu në jug duke u premtuar të moshuarve rritje pensionesh mandatin e ardhshëm. Paralelisht me këtë premtim të ricikluar të një dekade më parë, gjatë takimeve Rama lajmëroi se qeveria po planifikonte edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.

“Nuk duhet ta kalojmë Vitin e Ri pa u thënë pensionistëve që kaq, një lek një lek, nuk ka rëndësi, por ama tek fatura, kur tu vijë fatura në janar a në shkurt kur vjen, do t’ju vijë më pak sesa ishte” se ju i numëroni të gjitha qindarkat.”, premtoi kryeministri gjatë një takimi me pensionistët e Fierit.

Fakt

Aktualisht, familjet shqiptare paguajnë 9,5 lekë për çdo kilovat orë energji elektrike që konsumojnë. Ky çmim është fiksuar në vitin 2014 pasi u hoq tarifimi me dy fasha dhe prej një dekade mbeti i pandryshuar deri këtë të mërkurë.

Enti Rregullator i Energjisë vendosi të ulë çmimin e energjisë për familjarët.

Bordi i ERE-s vendosi të ulë me 1 lek çmimin e energjisë elektrike për familjet të cilat konsumojnë deri në 700 kilovat orë energji në muaj.

Një familje që ka paguar një faturë mujore prej 7,980 lekë (me TVSH), nga muaji tjetër do të paguajë 7,140 lekë (me TVSH). E thënë ndryshe, 840 lekë më pak në faturën mujore apo 9,240 lekë për 11 muajt e vitit 2025.

Nga ana tjetër, të gjitha familjet që konsumojnë mbi fashën 700 kWh nuk përfitojnë nga ulja e çmimit. ERE vendosi që konsumi mbi këtë fashë të faturohet me të njëjtin çmim pra 9,5 lekë apo 11,4 lekë për kilovat orë (me TVSH).

Po ashtu, çmimi mbeti i pandryshuar edhe për kategoritë e tjera të abonentëve, sikurse janë bizneset, furrat e bukës apo institucionet buxhetore dhe jo buxhetore.

Vendimi i ERE-s hyn në fuqi në datën 1 shkurt dhe është i vlefshëm deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Reagime

“…ne ia dolëm që t’iu shohim në sy e t’iu themi; ata që shpenzojnë dhe që janë rreth 95% e konsumatorëve deri në fashën 700 kilovat orë, do të kenë një ulje të çmimit të energjisë.” , tha kryeministri Edi Rama menjëherë pas vendimit.

Por ekspertët e fushës e shohin si të pamjaftueshme uljen me 1 lek. Sipas inxhinier Azmer Duleviç sektori kishte hapësira për më shumë.

“Është shume pak ulja që do të përkthehet te qytetarët. Duhet edhe një diferencë në çmim dite dhe çmim nate. Aq sa e ka Kosova.”, argumenton Duleviç.

Ai e sheh këtë vendim të lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Ulja e energjisë në këtë moment bëhet vetëm për kapital elektoral. Absurdi qendron që çmimi i energjise ulet ndërsa nga ana tjeter çmimi i ujit është rritur me 20-30%.”, përfundon inxhinieri.

Sa përfitojnë?

Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Petrit Ahmeti tha se nga ulja e çmimit përfitojnë rreth 80% e abonentëve familjarë.

 “Pjesa e kategorisë së konsumatorëve që shkojnë deri në 700 kËh/muaj është gati 80%, që përfaqëson një sasi relativisht të madhe të konsumatorëve, pra mbulon pjesën më të madhe të konsumatorëve familjarë”theksoi Ahmeti.

Por një orë më vonë, ministrja e energjisë Belinda Balluku tha se familjet përfituese zënë 95% të abonentëve familjarë.

“…konsumi mujor i abonentëve nga 0-700 kvh, është i barabartë me 1 milion e 70 mijë abonentë, ose ndryshe e thënë 95% e bazës së abonentëve që ne kemi të regjistruar në OSHEE.”, tha Balluku.

Burimi: Ministria e Energjisë

Referuar të dhënave të OSHEE-së, aktualisht numërohen rreth 1,1 milionë abonentë familjarë.

Përfundim

Premtimin e kryeministrit Edi Rama se çmimi i energjisë elektrike do të ulej këtë vit me të paktën 1 lek për abonentët familjarë e kategorizojmë si premtim të mbajtur.

#energji#cmim#familje#ere#qeveri