Pretendimi: Presidenti i Ugandës ka burgosur dy çifte gej, dhe u ka thënë se mund të lirohen kur të mbeten shtatzanë

Verdikti: E pavërtetë

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se presidenti i Ugandës ka burgosur dy çifte homoseksualësh dhe u ka thënë: “Ju do të qëndroni në burg derisa të mbeteni shtatzënë në çift (që të na garantoni vazhdimësinë). Po e realizuat do dilni, në t’kundërt, nuk keni me dalë nga burgu.”

Këto postime kanë marrë komente të cilat kryesisht mbështesnin me entuziazëm veprimin e pretenduar të presidentit së Ugandës, Yoweri Kaguta Museveni, paçka se ai qartësisht do të përbënte një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe civile.

Fatkeqësisht për komentuesit e mësipërm, dhe fatmirësisht për ugandezët gej, lajmi është i pavërtetë.

Duket se ky pretendim qarkullon që në vitin 2020 dhe është ricikluar sërish në 2021. Megjithatë, ende nuk ka prova konkrete që e mbështesin atë, si emrat e viktimave, apo burime të besueshme që kanë raportuar ndonjë lajm të ngjashëm si media vendase apo ndërkombëtare. 

Asnjë grup i të drejtave të njeriut, të cilët japin zakonisht të parët alarmin kur evidentohen shkelje të këtyre të fundit, nuk ka raportuar një lajm të tillë.

Museveni ka qenë president i Ugandës që nga viti 1986. Në 2014, ai dekretoi një ligj kundër homoseksualtietit, i cili ishte miratuar më herët nga parlamenti.

Tre muaj pasi miratimit të ligjit kundër homoseksualëve, AP raportoi se si dy ugandas u akuzuan për shkelje të ligjit tij. Sipas AP, gjyqi ishte i pari i këtij lloji kundër homoseksualëve në vendin afrikan. UK Guardian e identifikoi çiftin homoseksual si Jackson Musaka dhe Kim Mukisa.

Megjithatë, po në 2014, ligji kundër homoseksualëve u anulua nga Gjykata e Lartë e Ugandës. 

Në Uganda, si në shumicën e shteteve moderne, është gjyqësori që është përgjegjës për interpretimin dhe zbatimin e ligjit, dhe jo presidenti.