BallinaTë pambajturaU shkel premtimi për nisjen e rivitalizimit të lagjes Kala në Elbasan

U shkel premtimi për nisjen e rivitalizimit të lagjes Kala në Elbasan

Dallëndyshe Xhaferri

Në Ditën e Verës, festën simbol të Elbasanit, më 14 mars 2021, që ishte edhe një vit zgjedhor, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Gledian Llatja premtuan nisjen e zbatimit të projektit për rijetëzimin e lagjes Kala. Kryebashkiaku madje konfirmoi se projekti ishte gati. Ekzaktësisht 1 vit më pas, Faktoje verifikoi se zbatimi i projektit, nuk ka nisur.  Çfarë do t’u thotë këtë vit kryeministri banorëve për premtimin e pambajtur?

—————-

 Më 14 mars 2021 Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja dhe deputeti i qarkut Taulant Balla, deklaroi gjatë vizitës në një familje të Kalasë së Elbasanit se kjo kala do të ndiqte modelin e Korçës dhe Vlorës për t’u kthyer në një potencial turistik.

“Do ta realizojmë tani të gjithë projektin e transformimit të lagjes së Kalasë. Do ta bëjmë si ato që kemi bërë në Korçë e në Vlorë, do ta bëjmë bukur, sepse ka shumë potencial këtu”-deklaroi kryeministri në 14 mars 2021.

Ndërkohë kryebashkiaku Gledian Llatja shtoi se projekti i rivitalizimit të lagjes Kala ishte gati.

“Është momenti ynë që të ndërhymë me investimet tona të paktën nga jashtë dhe pastaj nga brenda të zhvillohen biznese të ndryshme karakteristike për zonën.”-tha Llatja.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja, 14 mars 2021

Në 11 mars 2022, Faktoje bëri një verifikim në terren ku konsatoi se në lagjen Kala ende nuk ka nisur ndërhyrja për rivitalizimin e saj, edhe pse një vit më parë kryebashkiaku Llatja konfirmoi se projekti ishte gati.

Foto brenda lagjes Kala në Elbasan, mars 2022

Banorë të kësaj lagjeje me të cilët biseduam na konfirmuan se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për rikonstruksion, as pas datës 14 mars 2021 kur u bë premtimi për nisjen e projektit të rivitalizimit. I vetmi investim që mbajnë mend banorët është ai i rrugës Egnatia dhe rrugës së xhamisë.

“Përpara se të binte tërmeti ministrja e Kulturës na takoi dhe premtoi se do të investohej. Ra tërmeti e pastaj kovidi, ne u harruam. Para një viti u tha sërish. Këtu ka ardhur edhe Kryeministri. Kam fotografi të fëmijëve me të. Ai tha do ta rregullojmë, por se kur, nuk e dimë.” – tha një banor i lagjes Kala i cili nuk pranoi të identifikohej.

Shpresa, e cila ka edhe biznesin e saj brenda Kalasë thotë se premtimet për rivitalizimin e kësaj lagjeje janë bërë thjesht për fushatë, pasi asgjë nuk është bërë realisht.

“Banorët e lagjes janë thirrur në takime. I kanë thënë do investohet, por askush nuk ka menduar për biznesin, që vërtet ka më shumë nevojë pasi ai mund t’i kthejë jetën Kalasë. Të gjithë banorët po ikin e po i shesin ose mbyllin dyert fare ngaqë nuk ka shpresë, s’e di çfarë do bëhet në këtë drejtim.”-thotë ajo për Faktoje.

Pas verifikimit në terren dhe komunikimit me banorë të kësaj legjeje, ne iu drejtuam me një këresë për informacion bashkisë Elbasan, e cila dërgoi këtë përgjigje:

“Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është angazhuar për zhvillimin e një projekti prioritar në lagjen më të vjetër të qytetit. Duke përmirësuar dhe ritrajtuar objektet me rëndësi kulturore, historike, pjesë e ansamblit arkeologjik”.

Përgjigjja e Bashkisë Elbasan, 14 shkurt 2022

Bashkia njoftoi si se së shpejti do të hapet me programin buxhetor “Bonusi i rijetëzimit” që sipas këtij institucioni do të fillojë përgjatë vitit 2022. Në kuadër të këtij program, sipas bashkisë do të ketë edhe një dëgjesë me banorët dhe grupet e interesit për procedurat dhe mundësitë për financim për çdo person të interesuar.

Në të njëjtën përgjigje bashkia konfirmon se është në proces regjistrimi i pasurive, inventari i bizneseve që operojnë në zonën e Kalasë dhe pastrimi i lagjes.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që premtimin e kryeministrit Rama në 14 mars 2021, për realizimin e projektit të rijetëzimit të lagjes Kala ta kategorizojmë, deri tani Të Pambajtur.

 

 

* Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img