Në planin e qeverisjes së PS për mandatin 2017-2021 u premtua se 100 për qind e fëmijëve romë dhe egjiptianë do të regjistroheshin dhe do të mbaronin arsimin e detyruar 9-vjeçar e madje një pjesë e mirë edhe universitetin. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se shumica e fëmijeve të këtij komuniteti nuk e ndjek shkollën dhe në rastin më të mirë, ata që e ndjekin e braktisin pas klasës së 5 apo të 9-ë. Sipas studimeve Shqipëria ka 44 mijë analfabetë dhe shumica i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Kjo shifër mëndohet të jetë rritur pas shfaqjes së pandemisë që vështrësoi më së shumti mbijetesën e këtij komuniteti.
Zana Sula një grua 48 vjeçe, e cila për të siguruar jetësën mbledh bidonë plastikë dhe kanaçe ka 7 fëmijë, por asnjëri prej tyre nuk e ka frekuentuar ndonjëherë shkollën.
“Unë i kam fëmijët nga 19 vjeç e poshtë. Asnjëri nuk ka shkuar në shkollë. Fillimisht janë ndier të diferencuar nga fëmijët e tjerë. Pastaj ne mezi iu kemi siguruar një vakt ushqimor, si mund të rrinin në shkollë dhe të mësonin me barkun bosh”.-thotë ajo për Faktoje.
Fëmijë të komunitetit Rom, në Shkozë, Tiranë më 31 maj 2021
Partia Socialiste në programin e saj elektoral, në vitin 2017 ndër të tjera mori këtë zotim:
“Deri në vitin 2021, çdo fëmijë rom dhe egjiptian, do të regjistrohet në shkollë, 100 për qind e tyre do të mbarojnë arsimin e detyruar dhe 70 për qind më shumë vajza e djem romë dhe egjiptianë do të përfundojnë të gjitha nivelet e arsimit. Do të arrihet fuqizimi dhe zgjerimi i rrjetit të shkollave si qendra komunitare.”
Screenshot i programit të Partisë Socialiste, 2017
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, se sa është numri i fëmijëve romë dhe egjiptianë që kanë ndjekur shkollën gjatë periudhës 2017 deri më sot.
Kërkesë për Informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, 14 maj 2021
Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë na kthehu përgjigje duke na vënë në dispozicion shifrat e frekuentimit të shkollës nga kjo kategori, të renditura në tabela përmbledhëse prej vitit 2014 deri në 2021:
Përgjigje e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, 18 maj 2021
Sipas informacionit zyrtar, për vitin shkollor 2014-2015, jepen shifra vetëm për fëmijët romë. 2974 prej tyre ndoqën arsimin fillor, ndërsa më pak se gjysma e kësaj shifre raportohet të kenë ndjekur arsimin e mesëm të ulët, duke e ndërprerë në atë nivel ciklin e mësimnxënies.
Për vitet shkollore 2014-2015 dhe 2015-2016 nuk ka shifra për frekuentimin nga fëmijët egjiptianë. Këto të dhëna nisin të raportohen prej vitit shkollor 2016-2017.
Nga 2016-a deri në 2021 rezulton se numri i fëmijëve egjiptianë që ndjekin arsimin e detyruar 9 vjeçar, është më i lartë, madje në disa vite është sa dyfishi i numrit të fëmijëve romë. Gjithashtu, një përqindje e vogël e tyre raportohet se ndjekin arsimin privat.
Ajo çka bie në sy është rënia e numrit të fëmijëve romë dhe egjiptianë që frekuentuan shkollën në vitin pandemik 2020-2021, një vit sfidues edhe përsa i përket të mësuarit në distancë.
Ministria e Arsimit nuk raporton të dhëna për vijimin e arsimimit në cikin e mesëm të lartë apo atë universitar, edhe pse zotimi në platformën 2017-2021 ishte që 70 për qind më shumë fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian do të përfundonin ciklin e plotë.
Përgjigje e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, 18 maj 2021
Në fund të vitit 2020, Faktoje i është drejtuar edhe Bashkisë Tiranë më anë të një kërkese për informacion ku pyeti se sa fëmijë të komunitetit rom në kryeqytet kanë frekuentuar shkollën gjatë 4 viteve të fundit.
Kërkesë për Informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, 7 dhjetor 2020
Bashkia Tiranë na ktheu këtë përgjigje:
“Ju bëjmë me dije se në kuadër të raportimit për Planin e Zhvillimit të Komunitetit Rom dhe Egjiptian 2017-2020, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale mban komunikimin me Zyrën Vendore ArsimoreTiranë dhe rezulton se fëmijët Romë dhe Egjiptianë që frekuentojnë arsimin parauniversitar janë si më poshtë sipas viteve.
Përgjigje e Bashkisë Tiranë
Nga të dhënat e vëna në dizpozicion rezulton një rritje e frekuentitmi të arsimit parashkollor nga fëmijët e këtij komuniteti nga 2017-a deri në 2020-n. Gjithashtu vërehet një numër më i lartë frekuentimi nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa nga klasa e pestë deri në klasën e 9 reduktohet numri i fëmijëve që shkollohen. Në vitin shkollor 2019-2020 (kur u shfaq edhe pandemia) kemi reduktim të numrit të frekuentimit si në ciklin I-V ashtu edhe në atë V-IX.
Fëmijë të komunitetit Rom, në Shkozë, Tiranë më 31 maj 2021
Faktoje gjatë vëzhgimit në terren, në zonat e banuara nga komuniteti rom në kryeqytet, mësoi se shumë prej fëmijëve nuk e frekuentojnë shkollën.
Lavdia nënë e 5 fëmijëve që jeton në banesat sociale në Shkozë tregon për Fakoje:
“Asnjë nga fëmijët nuk e ndjek shkollën, sepse nuk kemi mundësi ekonomike. Unë punoj në kazane sa për të mundësuar bukën e gojës. Shumica e atyre që njoh unë nuk i çojnë në shkolla fëmijët, se janë krah pune me prindërit e tyre.”
Fëmijë të komunitetit Rom, 31 maj 2021
Albana, nënë e katër fëmijëve na thotë:
“Vajza e madhe është 13 vjeç, i dyti 10 vjeç, të dy djemtë e tjerë nga 8 dhe 6 vjeç. Dy fëmijet që kisha në shkollë i hoqa, sepse furgoni që i merr është i vogël dhe fëmijët ziheshin me njëri-tjetrin. Përveç kësaj, nuk kemi mundësi ekonomike, me ça t’i veshim, ça të hajnë, e kemi situatën shumë të vështirë për të jetuar. Janë shumë fëmijë që sot nuk e ndjekin shkollën.”
Agimi, është i ve’ dhe thotë se po i rrit i vetëm të pesë fëmijët, pas vdekjes së gruas. Ai dëshmon se thotë se familja jeton në kushte ekstreme dhe se shpesh nuk ka se me çfarë t’i ushqejë të vegjlit, pasi ndihma prej 40 mijë lekësh të vjetra është e papërfillshme”.
Fëmijë të komunitetit rom, duke u përgatitur për një ditë punë në mbledhjen ë shisheve dhe kanaçeve, Tiranë, 31 maj 2021
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim edhe në shkollën 9 -vjeçare “Marie Logoreci” në zonën e Shkozës në kryeqytet, ku janë vendosur edhe banesat kolektive për komunitetin në fjalë.
Shkolla 9-vjeçare Marie Logoreci, 31 maj 2021
Aty takuam një mësuese e cila nuk pranoi të identifikohej, por që na konfirmoi se shkollën e ndjekin shumë pak nxënës të komunitetit rom. Aktualisht, sipas saj pak fëmijë që frekuentojnë klasën e 6 dhe të 9.
“Nuk vijnë në shkollë për arsye se shumica prej tyre fillojnë punë për të siguruar jetesën dhe për të dhënë sado pak kontritutin e tyre në familje”- thotë mësuesja për Faktoje.
Shkolla 9 vjeçare “Androkli Kostallari”, 31 maj 2021
Ne u përpoqëm të komunikojmë edhe me drejtoreshën shkollës 9 vjeçare “Androkli Kostallari”, po në zonën e Shkozës, për të pyetur se sa nxënës të komunitetit e frekuentojnë. Edhe pse kontaktuam me Ministrinë e Arsimit për të marrë leje për intervistën, drejtoresha refuzoi të flasë për Faktoje.
Femijet detyrohen të punojnë për të ndihmuar familjen
Aktivisti Brendon Xhavara, i pyetur më herët nga Faktoje mbi situatën e fëmijëve romë dhe mosfrekuentimin e shkollës, tha:
“Problematikat sociale dhe ligjore të romëve fillojnë që nga strehimi, punësimi, arsimimi dhe shëndetësia. Në fakt këto janë probleme që edhe familje jo rome kanë, por duke qenë se ky komunitet është një nga grupet më vulnerabël, problemet e tyre kanë një histori të mbartur shumëvjeçare.”
Ekspertja e arsimit Linda Pino në një intervistë televizive, ka cekur gjithashtu përkeqësimin e situatës sa i përket arsimimit të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian, siodmos gjatë pandemisë.
“Fëmijët romë, të gjithë e dinë që janë rrugëve të Tiranës, se e kanë të pamundur të sigurojnë ushqimin e ditëve të javës dhe aq më tepër të kenë një telefon në shtëpi për të bërë detyrat. Fëmijët nuk kanë një person t’i ndjekë, sepse prindërit janë në lëvizje për të siguruar ushqimin për ta.”- është shprehur ajo.
Për vlerësimin e nevojave të komuniteteve rom dhe egjiptian në Shqipëri janë bërë disa studime.
Sipas asaj që raporton UNDP, për periudhën 2016-2020 tregon, fëmijët romë dhe egjiptianë vuajnë paragjykimet dhe qëndrimet diskriminuese të fshehura, si në mjedisin shkollor, ashtu edhe jashtë tij, gjë që pengon përpjekjet për frekuentimin e shkollës prej tyre dhe më pas integrimin në shoqërinë e gjerë. Në studimin më të fundit të OSFA-së, 80 për qind e familjeve rome kanë raportuar se flasin gjuhën rome në shtëpi (si gjuhë e parë), ndërsa vetëm 20 për qind flasin shqip.
Ndërkohë sipas një studimi të publikuara nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, (UNESCO) Shqipëria ka 44 mijë analfabetë në të gjithë vendin të cilët, nuk dinë as shkrim as këndim. Këto matje të UNESCO-s për analfabetizmin në Shqipëri i referohen popullsisë në moshë mbi 15 vjeç.
Bazuar tek të dhënat në faqen online të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, në Shqipëri vetëm nga komuniteti rom numërohen rreth 20 mijë persona në të gjithë vendin. “Të paktën këto janë të dhënat e konfirmuara bazuar në censusin e viti 2011, i fundit i zhvilluar në Shqipëri”-sipas drejtueses së këtij komiteti, zonjës Kostantina Bezhani.
*Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Faktoje dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.