Pretendimi: Turqia ka hequr Izraelin nga lista e eksporteve

Verdikti: Mungon konteksti

————————–

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se shteti turk ka hequr Izraelin “nga lista e eksporteve.” I shpërndarë nga burime pro-turke, lajmi nuk jep kontekstin e duhur për ta bërë Turqinë të duket favorshëm në sytë e mbështetësve të Palestinës.

Kundërshtarët e pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Gazës rekomandojnë prej vitesh bojkotin dhe vendosjen e sanksioneve kundër Izraelit si një mënyrë për të luftuar këtë pushtim. Arsyetimi pas kësaj metode është fakti që sanksionet ishin një goditje e rëndësishme kundrejt shtetit të aparteidit në Afrikën e Jugut.

Aktivistë të ndryshëm kanë bërë thirrje që BE të sanksionojë Izraelin për të parandaluar më shumë vdekje në Gaza.

Postimi i mësipërm jep përshtypjen se Turqia, që është shprehur vazhdimisht kundër bombardimit të Gazës nga Izraeli, ka marrë këtë hap, duke hequr Izraelin nga lista e eksporteve, pra, duke mos eksportuar më në Izrael.

Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë. Lajmi i plotë është se në Janar, Ministria turke e Tregtisë hoqi Izraelin, krahas 4 vendeve të tjera, nga lista e shteteve të shënjestruar për eksport.

Kjo do të thotë se Turqia do të ndalojë së nxitur eksportet në Izrael, dhe nuk do të subvencionojë apo mbështesë tregtinë me shtetin izraelit. 

Ndërkohë, vlen të përmendet se, më 24 Shkurt, një baner ku lexohej “Jepi fund tregtisë së turpshme me Izraelin” u hoq nga një tubim i presidentit Erdogan.

Të dhëna nga Instituti Turk i Statistikave treguan se eksportet nga Izraeli u rritën në Nëntor dhe Dhjetor 2023, pas nisjes së sulmeve izraelite në Gaza më 7 tetor.