Pretendimi: Turqia merr në mbrojtje rajonin dhe Shqipërinë nëpërmjet një marrëveshjeje lufte
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Në fund të marsit 2025, një numër mediash dhe portalesh shqipfolëse botuan artikuj me titullin “Turqia merr në mbrojtje rajonin dhe Shqipërinë! Zbulohet marrëveshja e luftës.”
Brendia e artikujve identikë duket se është përkthimi në shqip i një artikulli nga gazetari Levent Kenez të botuar më 18 mars 2025 në median suedeze Nordic Monitor.
Çfarë spikat menjëherë është se, megjithëse përmbajtja e artikullit është përkthyer në mënyrë identike, titulli i artikullit të Kenez ëshë ndryshuar.
Titulli i artikullit origjinal ishte “Turqia lëviz për të vënë në fuqi marrëveshjet ushtarake me tre vende ballkanike që rrethojnë Greqinë.”
Artikulli shpjegon se Turqia është gati të ratifikojë marrëveshjet e firmosura në 2024 me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Marrëveshjet janë futur me shpejtësi në axhendën e parlamentit turk, ndryshe nga paktet e ngjashme ushtarake që zakonisht i nënshtrohen proceseve më të gjata të shqyrtimit.
Sipas këtyre marrëveshjeve, Turqia do të bashkëpunojë me këto vende në një sërë fushash ushtarake dhe të mbrojtjes, duke përfshirë trajnimin dhe edukimin, stërvitjet e përbashkëta, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimin e inteligjencës, mbështetjen logjistike, shërbimet mjekësore, mbrojtjen kibernetike, dhe misionet paqeruajtëse. Marrëveshjet lehtësojnë gjithashtu shkëmbimin e personelit, hulumtimin e përbashkët në shkencën dhe teknologjinë ushtarake dhe bashkëpunimin operacional në ndihmën humanitare dhe misionet e ndihmës ndaj fatkeqësive.
Deri në dhjetor 2024, Turqia kishte nënshkruar marrëveshje ushtarake me 89 vende dhe marrëveshje bashkëpunimi për trajnimin ushtarak me 65 vende. Negociatat janë duke vazhduar me 47 vende për marrëveshjet ushtarake dhe 13 për marrëveshjet e trajnimit. Gjithashtu, Turqia ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për industrinë e mbrojtjes me 90 vende.
Kështu, Turqia nuk ka marrë në mbrojtje në rast lufte as rajonin, as Shqipërinë. Ajo ka nënshkruar marrëveshje ushtarake me këto vende, të ngjashme me ato që ka nënshkruar me dhjetëra vende të tjera për shitjen e prodhimeve të saj ushtarake. Duket se nuk jemi aq të veçantë sa duam të mendojmë.