Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave konfirmuan ngadalësimin e turizmit në muajin korrik. Sipas Instat, hyrjet e turistëve u rritën me vetëm 2,7% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, teksa gjysma e parë e vitit ishte me rritje dyshifrore.
Esmeralda Topi
Pas një bumi turistësh vitin e shkuar që vijoi deri në gjysmën e parë të vitit, në korrik, vendi u përball me një panoramë krejt tjetër. Pamjet e plazheve bosh në jug të vendit nxitën polemika. Qeveria refuzoi ta pranonte rënien e turistëve duke pretenduar se turizmi në Shqipëri ishte target i një sulmi të organizuar. Nga ana tjetër, tur – operatorët dhe strukturat akomoduese raportonin të shqetësuar mungesën e pushuesve krahasuar me një vit më parë.
‘(…) Sot të jeni të gjithë të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar.’, deklaroi kryeministri Edi Rama, në mesin e muajit korrik.
‘Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur edhe të skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri.’, vijoi më tej ai.
Verifikim
Koha ju dha të drejtë tur-operatorëve dhe strukturave akomoduese. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave konfirmuan ngadalësimin e turizmit në muajin korrik.
‘Gjatë muajit Korrik 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj’, raporton INSTAT.
Referuar të dhënave, hyrjet e turistëve u rritën me vetëm 2,7% gjatë korrikut, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, teksa gjysma e parë e vitit ishte me rritje dyshifrore.
‘Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1,818,378.’– raportoi INSTAT.
Ndërsa si 7 mujor, rritja e numrit të shtetsave të huaj rezultoi 23,2%. Referuar të dhënave, nga janari në korrik, në Shqipëri kanë hyrë 6,36 milionë të huaj.
95 % e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë korrikut janë nga Evropa- ku ajo jugore zë 71% të hyrjeve ndjekur nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore me vetëm 10%.
‘Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj’, thekson raporti i Institutit të Statistikave.
‘Statistika të sakta’
Mirëpo të dhënat e INSTAT shihen me skepticizëm nga ekspertët e turizmit. Duhen statistika të sakta që turizmi të ketë zhvillim të qendrueshëm – thotë kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Zak Topuzi.
“INSTAT flet për “Lëvizje të shtetasve të huaj”, kurse Qeverisë i intereson ti quajë “Turistë” duke mos qënë e njëjta gjë. Shqipëria po përdoret si kalim “Tranzit” për rajonin falë Aeroportit Rinas Loë- Cost dhe kjo e ndërlikon situatën dhe kërkon një analizë të veçantë.”, thekson Topuzi.
“Operatorët formalë, me të drejtë, presin rritje të kërkesës, ndërkohë tregu informal i Apartamenteve po mer një kontigjent të rëndësishëm të turistëve të vërtetë por low cost, që vetë i stimuluam!! Ekuacioni është bërë me shumë të panjohura dhe vështirë të zgjidhet dhe nga ekspertët më të mirë, qofte të huaj, pa statistika të sakta.”, argumenton ai, teksa shton se duhet ndryshuar strategji.
‘Planifikoni Resorte & Hotele të mëdha, që Shqiptarët dhe Kosovarët që kanë mundësi të paguajnë të mos kenë destinacion kryesor Turqinë dhe Greqinë por të pushojnë me dinjitet në bregdetin Shqiptar.’, përfundon Topuzi.
Lexoni verifikimin e Faktoje në muajin korrik përgjatë vijës bregdetare të Vlorës.