Pretendimi: Kjo video tregon një vend sakrifikimi ku elitat vrasin fëmijët e trafikuar.

Verdikti: E pavërtetë.

———————————————-

Një video që po shpërndahet në rrjetet konspiracioniste pretendohet se tregon vendin ku “elitat” sakrifikojnë fëmijë.

Video e mësipërme tregon një grua duke hapur dy dyer të fshehta që duket se të çojnë në një teatër nëntokësor.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video tregon Teatrin Donnafugata. Faqja zyrtare e teatrit përmban foto që përkojnë me pamjet e videos që po qarkullon në rrjet.

Faqja zyrtare e Teatrit Donnafugata (majtas) dhe teatri në video (djathtas)

Teatri Donnafugata ndodhet brenda një kështjelle mesjetare në Siçili. Ai u ndërtua në fillim të shekullit XIX dhe u restaurua në 2004. Në të organizohen rregullisht performanca, punëtori, koncerte dhe aktivitete për fëmijë.

Nuk ka asnjë provë se mes aktiviteteve të shumta të Teatrit Donnafuga përfshihen edhe sakrificat e fëmijëve.

Ashtu si kemi verifikuar edhe më parë, narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u shfrytëzuar për sigurimin e adrenalinës (adrenokromi) për të zgjatur jetën dhe rininë e elitave  u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan ish-presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një rrjet elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një rrjet trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.