Pretendimi: Donald Trump u qëllua nga tri armë të ndryshme gjatë atentatit
Verdikti: Mungon konteksti
Mes teorive që qarkullojnë së fundi në rrjetet sociale është dhe ai që pretendon se Donald Trump është goditur me 3 armë të ndryshme gjatë atentatit në Pensilvani në 13 korrik.
“Analizat shkencore të audios tregojnë që Trump u godit nga 3 armë sipas CNN”-shkruan një përdorues i Facebook, duke publikuar edhe një foto ku duket një vrimë në xhaketën e kandidatit për president.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në lidhje me këto pretendime, ne vendosëm të bëjmë një verifikim, duke iu referuar informacioneve zyrtare. Nga të dhënat e bëra publike deri më tani në lidhje me atentatin ndaj Trump, është konfirmuar se atentatori i identifikuar si Thomas Matthew Crooks veproi i vetëm.
Sipas CNN, që citohet si burim i 3 armëve në postim, vrasësi qëlloi me një armë AR15 të blerë nga babai i tij në vitin 2013, duke u pozicionuar në çatinë e një ndërtese rreth 120 deri në 150 metra larg podiumit. Hetuesit kanë përcaktuar tashmë se Crooks ka vepruar i vetëm duke realizuar 8 të shtëna në drejtim të ish-presidentit përpara se të qëllohej për vdekje nga snajperët e Shërbimit Sekret Amerikan.
Më tej, CNN shkruan se: “Analiza mjeko-ligjore e provave nga tubimi tregon se janë shkarkuar të paktën dy armë zjarri të ndryshme. Konkretisht, bëhet me dije se një nga këto armë është shkrepur nga forcat e rendit në përgjigje të situatës”.
Në një konferencë shtypi, Kevin Rojek, agjenti special i FBI-së i ngarkuar me zyrën e Pitsburg, tha se ishte “e habitshme” që personi i armatosur ishte në gjendje të gjuante të shtëna të shumta gjatë tubimit në drejtim të Trump.
“Do të ketë një hetim të gjatë për saktësisht se çfarë ndodhi dhe se si individi ishte në gjendje të hynte aty, çfarë lloji arme kishte”, raporton CNN .
Në një tjetër artikull, CNN shkruan: “Pas të shtënave, burime të shumta të zbatimit të ligjit thanë se hetuesit gjetën një jelek antiplumb, tre karikatorë të mbushur plotësisht dhe dy pajisje shpërthyese me telekomandë në makinën e Crooks”.
Në raportimet e deri më tanishme nuk ka të dhëna që tregojnë se Trump u godit nga 3 armë të ndryshme.
Krahas tekstit në këtë publikim në rrjetet sociale është edhe një foto, ku pretendohet se ish-presidenti është qëlluar në gjoks.
Mirëpo, në të vërtetë, foto e shkrepur tregon një palosje të xhaketës së kostumit të një prej agjentëve të Shërbimit Sekret, që hidhet për të mbrojtur Trump pas të shtënave. Imazhet e tjera të shkrepura nga momenti i incidentit tregojnë qartë se nuk ka asnjë vrimë në xhaketën e Trump.
Kjo konfirmohet edhe në një verifikim të bërë nga kolegët e “Associated Press”. Gjithashtu, në video të publikuara shihet se “vrima” shihet duke u zvogëluar, teksa agjenti lëviz.
Fotoja, e realizuar nga një fotograf i AP, tregon agjenten duke u përkulur ndërsa ajo mbron Trump, xhaketa e saj duket pak më e errët se ajo e ish-presidentit. Pra, vrima e pretenduar është një fakt një palosje në mëngën e xhaketës së një agjenti të Shërbimit Sekret, jo pasoja e një plumbi.
Trump shkroi në platformën e tij të mediave sociale se ai u qëllua me një plumb që shpoi pjesën e sipërme të veshit tim të djathtë. Fotot dhe videot e atentatit tregojnë gjak në veshin e djathtë dhe në anën e djathtë të fytyrës.
Shërbimi Sekret nuk pranoi të komentonte detajet në lidhje me të shtënat dhe nuk dha asnjë informaicon nëse Trump kishte veshur një jelek antiplumb.